Fiqiretja: Enverin do ta helmonim me pilulat që unë mora në Paris
AFRIM IMAJ
Vendimi i gjykatës për dënimin e Fiqerete Shehut dhe të tjerëve, që “Panorama” është duke publikuar këto ditë, është i thjeshtëlexueshëm përsa i përket marrjes përsipër të planeve të pabesueshme, madje fantastike për të eliminuar Enver Hoxhën dhe ndërruar kursin e regjimit komunist. Është shumë e qartë se pohimet e Fiqerete Shehut janë marrë në kushte të dhunës dhe presionit ekstrem, se ajo mund të ketë pranuar të pohojë e firmosë me qëllimin e vetëm për të shpëtuar fëmijët dhe se dukshëm gjithçka është hartuar nga Sigurimi i Shtetit. Po përse lipsej një shfaqje e tillë? Ka të ngjarë që gjithçka të ketë pasur lidhje me vetëvrasjen apo vrasjen e Mehmet Shehut dhe leximin e vështirë të këtij momenti nga një pjesë e konsiderueshme e popullit, që mendoi se bëhej fjalë për një tradhti të madhe. Kjo sepse Shehu ishte një nga figurat me besimin, apo kultin e individit tepër të betonuar në një pjesë të popullit. Kështu që për të shpërbërë këtë mendim të rrezikshëm, Hoxha dhe të tijët duhet të kenë organizuar nxirjen e figurës së Shehut në maksimum. Një maksimum që në çdo rast ishte më i besueshëm nëse do të artikulohej nga goja e njerëzve më të afërt të tij. Për këtë bën fjalë edhe përmbajtja e shkrimit të mëposhtëm.
“Të eliminohet me çdo kusht Enver Hoxha. Mehmeti të marrë në dorë frenat e pushtetit!”. Këtë rekomandim së të huajve, Fiqirete Shehu, e veja e kryeministrit të vetëvrarë, duke dëshmuar në gjyqin e gushtit ‘83, e vlerëson edhe si një apel të miqve së të shoqit por edhe si urdhër i prerë të tyre për të bërë tjetërsimin e pushtetit në Shqipëri.
Sipas saj, Mehmet Shehu këtë plan e ka pasur shumë herët, qysh në vitet e luftës. Sakaq e veja e ish-kryeministrit sjell para trupit gjykues një retrospektivë të përpjekjeve të fshehta, që ka bërë i shoqi i saj për shmangien e Enverit nga kreu i lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe drejtimi i Partisë Komuniste. Për herë të parë Fiqirete Shehu zbulon faktin e panjohur lidhur me dështimin e inkursionit të Brigadës së Parë Sulmuese, e cila u thirr me urgjencë për t’i ardhur në ndihmë Shtabit të Përgjithshëm, që kishte mbetur i rrethuar nga gjermanët gjatë operacionit të dimrit të vitit ‘44. Ndërkaq, gruaja e kryeministrit komunist bën të ditur misterin e veprimeve në prapaskenën e Beratit, ku shmangia e Enver Hoxhës gati u realizua, por nuk gjeti mbështetjen e duhur për ta zëvendësuar. “Mehmet Shehu, u shpreh në gjyq Fiqiretja, ka bërë disa herë përpjekje për ta eliminuar sekretarin e parë, por në asnjë rast nuk ka mundur”. Në kujtesën e saj kanë mbetur përpjekjet e bëra në fillimin e viteve ’70, për të ndërlikuar shëndetin e tij me anën e mjekëve personal dhe operacioni sekret me agjentët jugosllavë për të siguruar helmin me veprim të vonuar, i cili nuk u realizua asnjëherë….
Vendimi i gjyqit për Fiqirete Shehun
Nga zhvillimi i gjykimit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Fiqiret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu në bashkëpunim me agjenturat e huaja kanë kryer veprime terroriste për eliminimin fizik të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Të gjitha fitoret që ka arritur populli e Partia jonë, prestigji dhe autoriteti i madh që gëzojnë ato sot në botë, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me shokun Enver Hoxha, themeluesin e Partisë sonë, luftëtarin e orëve të para kundër fashizmit e tradhtisë, kundër imperializmit e revizionimit, marksist-leninistin e shquar, njeriun më të dashur e të shtrenjtë të Partisë e popullit shqiptar. Prandaj është e natyrshme që tërë planet e armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm kanë synuar edhe eliminimin fizik të udhëheqësit të partisë e të popullit.
Për arritjen e këtij pikësynimi, poliagjenti Mehmet Shehu ka menduar e vepruar në bashkëpunim me padronët e tij qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ai me porosi të anglezëve, gjatë operacionit të dimrit 1943-1944 nuk shkoi në Brigadën e Parë në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, që qe rrethuar nga gjermanët me qëllim që të asgjësohej. Por siç dihet, jashtë vullnetit të armiqve kjo u evitua, shtabi e çau vetë rrethimin. Për këtë çështje, djali i tradhtarit Mehmet Shehu, i dënuar Bashkim Shehu ka deponuar:
“Siç më ka treguar Mehmeti gjenerali anglez nëpërmjet oficerit anglez, që ndodhej pranë Brigadës së Parë kishte urdhëruar që brigada të mos shkonte në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, ta linte shtabin të asgjësohej. Unë, më ka thënë Mehmet Shehu, e bisedova këtë gjë me Fiqirete Shehun dhe Tuk Jakovën dhe që të tre ramë dakord me urdhrin e anglezëve. E vonuam disa ditë me radhë nisjen e brigadës në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm ...”
Të njëjtat mendime ka pasur edhe shoku i ngushtë i tradhtarit Mehmet Shehu, Nako Spiro, njeriu i jugosllavëve dhe i prapaskenës së Beratit, i cili duke e pasur fjalën për shokun Enver Hoxha, i ka thënë Naxhie Dumes në Berat “Nëse Komandanti nuk bindet e bind koburja”.
Siç rezultoi në hetuesi dhe në gjykim padronët i kanë dhënë Mehmet Shehut variante të ndryshme për të asgjësuar fizikisht Sekretarin e parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Zbatimin e kësaj vepre të poshtër terroristi Mehmet Shehu ka dashur ta realizonte në vitin 1973 me anën e mjekëve që po kuronin shokun Enver Hoxha, të cilët duhet t’i shkaktonin ndërlikime shëndetit të tij.
Pikërisht për këtë u shpejtua nisja për në Paris...
“Në fund të prillit të vitit 1981, tha kjo e pandehur, në Paris jam takuar me një person të zbulimit jugosllav, i cili më dha një pako me pilula helmi për t’ia dorëzuar Mehmet Shehut sa më shpejt”.
Këtë fakt e konfirmon edhe i pandehuri Skënder Shehu, i cili ka mësuar nga e pandehura Fiqirete Shehu se në takimin me agjentin jugosllav në Paris, jugosllavët kërkonin marrjen në dorë nga Mehmet Shehu sa më parë të udhëheqjes së Partisë, duke likuiduar fizikisht udhëheqësin e saj me anë të helmit, të cilin ia dhanë kësaj agjenteje në Paris.
“Ishte kjo arsyeja sqaron në hetuesi që në gjyq i pandehuri Skënder Shehu, që e bënte të domosdoshëm takimin edhe me personelin e agjenturës amerikane në Suedi, ku do të vendosej përfundimisht”.
Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet dhe detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili. Të pandehurës Fiqirete Shehu iu ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i parë i Komitetit Qendror të partisë të shkëmbente vizita me Mehmet Shehun të gjente momentin më të përshtatshëm për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar, i pandehuri Llambi Ziçishti do të manipulonte rezultatin e analizave toksikologjike dhe të autopsisë mjeko-ligjore, kurse i pandehuri Nesti Nase do të gjente literaturë për format dhe metodat e atentateve kundër personaliteteve politike, do të shmangte daljen e sekreteve të kësaj veprimtarie kriminale jashtë shtetit dhe do të ndërpriste çdo informacion që mund t’i vinte Shqipërisë për veprimtarinë e zbulimeve të huaja kundër vendit tonë. Detyra të rëndësishme kanë pasur edhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate.
E pandehura Fiqirete Shehu për këtë problem shpjegoi:
“ .... Mehmeti bisedoi menjëherë me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin dhe Mihallaq Ziçishtin e me mua .... Mehmet Shehu bisedoi edhe .... me Llambi Ziçishtin .... dhe i dha porositë. ... Kadri Habiu tha që vrasjen me helm të sheqerosur ta bëjmë në Vlorë, kur sekretari i Parë i Komitetit Qendror të vinte për pushime .... T’i hidhnim në kafe pilulën me helm që prura unë nga Parisi”.
Edhe i pandehuri Llambi Ziçishti shpjegoi:
“ ... në gusht të ‘81-it Mehmeti më thirri dhe më tha: .... Likuidimin e udhëheqësit kryesor të partisë ... do ta bëj unë. Për këtë qëllim kam siguruar edhe mjetin, helmin me veprim të ngadalshëm, të cilin e solli Fiqiretja nga jashtë .... Mehmeti më tha se rrugë tjetër nuk ka .... Kur të dukeshin shenjat e para të helmimit unë do të manipuloja analizat dhe më pas do të manipuloja autopsinë..... Unë duhet të ruaja edhe analizat e manipuluara edhe kopjet e vërteta, që ai (Mehmet Shehu) ... do t’i përdorte për të akuzuar kundërshtarët si vrasës”.
Ndërsa i pandehuri Nesti Nase për këtë problem shpjegoi:
“Mehmet Shehu më tha .... ka ardhur koha që ndryshimet të bëhen me pahir, me anë të forcës dhe për këtë problem kam biseduar edhe me Feçorin edhe me Kadriun, të cilët janë ngarkuar se si do të veprojnë... Ti Nesti duhet të mendosh për të vepruar menjëherë për të justifikuar ndryshimet që do të bëhen në udhëheqje dhe qëndrimet që do të mbajmë”.
Siç u vu në dukje për të dalë nga gjendja e rëndë që po kalonte Jugosllavia më 16 e 17 dhjetor 1981, UDB-ja nëpërmjet agjentëve të saj i transmetoi Mehmet Shehut që “Enver Hoxha të vritej me çdo kusht me armë zjarri, edhe në mbledhje qoftë duke u vrarë edhe ai vetë”. Terroristi Mehmet Shehu u ndodh në rrugëkryq: nga njëra anë Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë i kërkonte llogari për fejesën e djalit dhe për veprimet e tjera të tij antiparti, nga ana tjetër UDB-ja e urdhëronte për veprim. Pas konsultës me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ashtu si dikur shoku i tij Nako Spiro vendosi dhe vrau veten, që të shpëtonte të kaluarën e tij të lavdishme”, gruan dhe fëmijët dhe që të mos jepte llogari para Partisë e popullit për punët e poshtra armiqësore që kishte bërë tinëzisht për 40 vjet rresht. Por në sajë të vigjilencës së saj Partia i zbuloi fijet e këtij komploti dhe e shpartalloi atë.
Nga gjithë zhvillimi i hetimit dhe gjykimit u vërtetua plotësisht se një nga drejtimet kryesore të kësaj organizate kundërrevolucionare të drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, ka qenë sabotimi i orientimeve dhe i direktivave të Partisë dhe i gjithë veprimtarisë në fushat e ndryshme të zhvillimit të jetës në vendin tonë.
Këta armiq kanë përmbushur detyra të posaçme për të penguar e shtrembëruar zbatimin e vijës së Partisë dhe për të sabotuar ekonominë socialiste në sektorët që mbulonin. Kjo veprimtari sabotuese është në lidhje të ndërsjellë e koordinuar edhe në vazhdim të sabotimeve, që kanë bërë të frymëzuar nën drejtimin e mercenarit Mehmet Shehu, grupet e tjera antiparti, tradhtare komplotuese puçiste e sabotuese në fusha të ndryshme të ndërtimit socialist në vendin tonë.
(vijon nesër)
Dëshmia në gjyq: Mehmeti kishte plan të vriste Enverin në prill të ‘82-it
“Ndërsa më 1981 në shtator, kur djali ynë Skënderi do të shkonte për të vazhduar studimet pasuniversitare në Suedi, Mehmet Shehu i dha si shoqërues, një nga miqtë e tij më të besuar gjoja për t’i hequr mërzinë. Qëllimi ishte tjetër, ishte qëllim agjenturor. I dha këtij shoqëruesi një letër për agjenturën amerikane dhe mundësisht personin ta takonte vetë. Në letrën që dërgonte Mehmet Shehu shkruhej, që fejesa u shpall po ky veprim u dënua nga Partia dhe gjithashtu, njoftonte që likuidimi fizik i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror do të bëhej dhe ishte menduar që të bëhej në prill të 1982. Për më shpejt as që bëhej fjalë. Përmbajtjen e kësaj letre ia kishte thënë shkurt shoqëruesit të Skënderit. Shoqëruesi që shkoi me Skënderin në Suedi i solli Mehmet Shehut përgjigjen nga agjentura amerikane. Çfarë shkruante agjentura amerikane mua nuk më ka thënë Mehmet Shehu, por kam dëgjuar gjatë seancave gjyqësore, që foli Skënderi që ata e porosisnin të shpejtonte po edhe mos të bënte veprime të pakontrolluara, pasi rrezikoheshin gjëra shumë serioze. Për këtë shoqërues di të them që Mehmet Shehu parashikonte dhe detyra lidhur me puçin ushtarak që kishte planifikuar prej kohësh...”
“Rruga paqësore, varianti tjetër i marrjes së pushtetit”
“Amerikanët e kishin porositur Mehmetin të ndiqte variantin e marrjes në dorë të udhëheqjes së Partisë në rrugë paqësore, domethënë gradualisht mbas vitit ‘79 të forconte pozitat në KQ të Partisë, duke bërë edhe spostimin e Sekretarit të parë të KQ nga drejtimi i punëve të Partisë. Ngjarjet në Kosovë e tronditën Jugosllavinë dhe jugosllavët megjithëse e dinin variantin paqësor të amerikanëve, kërkonin që ne të hiqnim dorë nga varianti i SHBA së dhe të vepronim aktivisht për të marrë Mehmet Shehu drejtimin Partisë. Duke porositur dhe likuidimin fizik të Enverit. Në takimin që bëra në Suedi, amerikanët u pajtuan me variantin jugosllav. Po pse e pranuan amerikanët këtë. Së pari, ata u trembën se mos jugosllavët do të nxirrnin ndonjë gjë kopromentuese dhe do të digjej Mehmet Shehu. Së dyti, ata nuk donin të krijonin acarime me Jugosllavinë si një vend që ata e përdorin si të duan. Së treti, amerikanët u pajtuan formalisht se fshehtas ata filluan ta sabotonin planin jugosllav. Pikërisht për këtë arsye ata porositën Mehmet Shehun për të bërë fejesën e djalit me vajzën e Turdive. Ky veprim kishte qëllim të lëkundte pozitat e Mehmetit në krye të Partisë, për të zbatuar planin jugosllav. Nga ana tjetër Mehmeti duke dalë përkohësisht nga skena si një nga udhëheqësit kryesorë, do të ruhej nga amerikanët për të vepruar më vonë...”