Shfaqje 100% femërore, nga Prishtina në Tiranë, Fier e Vlorë
Petrika GROSI
Ndërsa mungojnë totalisht angazhimet në jetën artistike e kulturore nga ana e Teatrit Kombëtar, dhe pikërisht gjatë periudhës më kulminante të verës, kur turistët kanë më shumë se kurrë nevojë për argëtim e kulturë, Teatri Oda i Prishtinës do të japë një shfaqje të veçantë tri netë me radhë duke nisur që nga salla e TK-së në kryeqytet (15 gusht), pastaj në teatrin “Bylis”në Fier (16 gusht) dhe në teatrin “Petro Marko” të Vlorës (17 gusht). Po me çfarë pritet të përballemi në këtë produksion?
Ambicia për pavarësi dhe dilemat për humbjen e saj kur je në një marrdhënie. Dëshira për t’u bërë nënë dhe frika se mos përfundon të bëhesh një shtëpiake e rëndomtë. Mospërmbushja seksuale dhe dyshimet për identitetin seksual. Të gjitha problemet tipike të grave beqare, të arsimuara dhe profesioniste, që kanë hyrë në krizën e mesmoshës, atë që fillon pas të tridhjetave...
Është një shfaqje e veçantë dhe totalisht femërore. Kjo duke pasur parasysh jo vetëm temën që trajton, por edhe komponentët e saj, regjinë, skenarin, kostumet, skenografinë e aktrimin. Pas mbi 30 shfaqjesh të konsideruara si të suksesshme prej organizatorëve, tashmë Teatri Oda i Prishtinës pushton skenën shqiptare me një shfaqje 100% feministe! Kjo vizitë e trupës teatrore kosovare në Shqipëri dhe turneu i saj tri-ditor zhvillohen në kuadrin e Festivalit Vera e Adriatikut. Organizatorët e shfaqjes pohojnë për gazetën “Albania” se “jo rastësisht, kjo shfaqje e ka pasur premierën ditën e tetë marsit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë...”. Pjesa e titulluar “Çdo të hënë”, e regjisores së njohur nga Kosova, Burbuqe Berisha trajton një temë të ngjashme me serialin më të ndjekur të ditëve të sotme “Sex and the City”. Shfaqja na zbulon mjaft “sekrete”, si p.sh. çfarë bëjnë gratë kur nuk janë burrat në shtëpi? Çfarë i mundon më së shumti gratë në jetën e tyre të përditshme. Deri ku mund të arrijnë ato për të pasur atë që duan. Po karriera dhe pengesat që hasin gratë për pasojën e maskilizmit dhe patriarkalizmit të shoqërisë mbarëshqiptare sa e vështirë është dhe mbi cilat shina duhet të kalojë?! Të ngjitha këto mundohet t’i zbërrthejë regjisorja me gjetjet e saj artistike.
15 Gusht 2008