E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet në qershor, në 7 muaj ndryshova Shqipërinë”

Shqipëria në këta 7 muaj qeverisje ka pësuar transformimet më të mëdha në 16 vitet e fundit. 

BLEDar HOTI

Këtë qëndrim ka mbajtur Kryeministri gjatë prezantimit para mediave të punës 7-mujore, të qeverisë që ai drejton. Në një konferencë për shtyp, që zgjati rreth 1 orë e 15 minuta, Berisha raportoi para gazetarëve arritjet e kabinetit që drejton gjatë muajve të parë të vitit 2008. Ai bëri të ditur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen brenda muajit qershor të 2009, duke siguruar se ato do të realizohen me kartat e reja të identitetit. Si pikënisje të këtyre arritjeve ai përmendi shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe më pas marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit, në prill 2008. Kryeministri ripohoi mirënjohjen ndaj SHBA-së dhe Presidentit, Xhorxh Bush, për mbështetjen e shprehur në këto ngjarje të mëdha siç ishte edhe ftesa për NATO. “Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon për 800 mijë familje shqiptare, që këtë korrik morën nga 35-90 për qind paga dhe pensione më të larta, krahasuar me vitin 2005”, theksoi Berisha.
Gërdeci
Berisha hedh poshtë tezën se ndonjë diplomat amerikan mund të ketë fajësuar qeverinë e tij, për pengesa në zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit. Deklarata e Kryeministrit u bë gjatë prezantimit të punës 7-mujore të qeverisë së tij, ku u shpalosën arritjet e kryera nga ekzekutivi. “Nuk ekziston asnjë deklaratë e asnjë diplomati dhe e asnjë zyrtari, se qeveria po pengon hetimet. Ky është një dezinformim. Ju këshilloj t’i lexoni mirë deklaratat. Së dyti, qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën që i takon të japë. Janë marrë të gjitha masat administrative ndaj të gjithë personave potencialisht ose direkt të lidhur me këtë ngjarje. Qeveria ka plotësuar çdo kërkesë të bërë. Së treti, qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuar në zbardhjen e së vërtetës së këtij hetimi”, deklaroi Kryeministri. Sipas tij, vetëm këto mund të bëjë qeveria, pasi hetimin nuk mund ta bëjë dot, sepse është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme. “Ata që mendojnë se qeveria ka penguar hetimet, po trillojnë. Nëse ka institucion më të interesuar për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ajo është qeveria shqiptare”, deklaroi Berisha. Ndërsa ka fajësuar opozitën se u përpoq të përfitonte nga kjo tragjedi. Ndërsa për dëmshpërblimet Berisha theksoi se, ka pasur ndonjë gabim, por ato janë llogaritur mbi bazën çmimeve të qendrës së Tiranës.

Shifrat e qeverisë

• Në këta shtatë muaj, qeveria ime miratoi rreth 1115 ligje, marrëveshje dhe vendime, apo dy herë më shumë se në vitin 2005.

• Më 3 prill në Bukuresht dhe më 9 korrik në Bruksel patëm votëbesimin e 26 vendeve anëtare të NATO-s.

• Reformat u vlerësuan unanimisht nga ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE në deklaratën e qershorit 2008, si frymëzuese për vendet e rajonit.

• Lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit njohu rezultate të thella.

• Më 17 Shkurt 2008, kombi shqiptar përjetoi ndryshimin më të madh, ngjarjen më madhore në historinë e tij pas vitit 1912, pavarësinë e Kosovës.

• Presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush luajti rol përcaktues në finalizimin e aktit të ftesës anëtarësimit në NATO, me vizitën e tij historike, më 10 Qershor 2007 në Tiranë.

• Të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet, si rezultat i luftës kundër korrupsionit, janë rreth 1.2 milionë dollarë më shumë se në vitin 2005.

• U goditën nga organet e zbatimit të ligjit rreth 69 grupe kriminale dhe u vendosën para ligjit 280 anëtarë të tyre.

• Organet e zbatimit të ligjit proceduan apo ndaluan për korrupsion gjatë kësaj periudhe rreth 70 zyrtarë të niveleve të ndryshme.

• Janë zhvilluar 22 operacione kundër trafiqeve kriminale dhe u arrestuan 115 trafikantë, nga të cilët 21 shtetas të huaj.

• U zbuluan ngjarje të vjetra kriminale, vrasje apo vjedhje me armë, me pasojë vdekjen, rreth 164 raste shumë se tre vitet e fundit të marra së bashku.

• ARMO u privatizua me një çmim 13 herë më të lartë se 4 vjet më parë.

Rritja
Qeveria që unë drejtoj, për të realizuar këto dy qëllime, ka vendosur në tre vjet, për shtesën e rrogave e pensioneve 38.7 miliardë lekë, pra, rreth 13 miliardë lekë në vit, kundrejt 33 miliardë lekë, që u vendosën nga qeveritë e mëparshme
në tetë vjet.

Pagat
Me shtesën e rrogave të vitit 2008, paga mesatare e punonjësve buxhetorë u rrit nga 273.000 lekë në vitin 2005 në 424.000 në vitin 2008, apo 55 për qind më e lartë se në vitin 2005.

Pensionet
Të ardhurat pensionale minimale në fshat janë rritur nga 36300 lekë, në 60900 lekë apo me rreth 80 për qind. Të ardhurat pensionale mesatare të pleqërisë në qytet janë rritur nga 83200 lekë, në 129920 lekë në vitin 2008, ose një rritje prej 44.6%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›