E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një legjendë e lodhur (jo)urbane

Skënder Minxhozi 

Nëse do të vërehej me kujdes ajo që ndodh çdo ditë në forumin e madh virtual shqiptar, në disa qindra faqe interneti apo mediume që rregullisht komunikojnë mes tyre nga të gjithë cepat e botës ku flitet shqip, do të vihet re, veç të tjerash, një fenomen deri diku i çuditshëm. Njëra ndër akuzat që rëndom haset me bollëk, e për pasojë edhe në mënyrë spekulative, është ajo e të qenit “spiun” dhe “i shitur”. Pseudonime gjithfarësh njerëzish që kanë gjetur papritur një mjet për të shfryrë jo vetëm lirinë, por më shumë instinktet e tyre, etiketojnë këdo që i del para me këto epitete tashmë “të lodhura”. “Grek i fëlliqur”, “këlysh i Sllobodanit” e të tjera përçartje si këto, i rezervohen kujtdo që e shtyn polemikën përtej një caku imagjinar, cilado qoftë tema, përfshirë edhe futbollin apo muzikën.
Shoqëria shqiptare vijon të jetë e dominuar nga sindromi i agjentëve të huaj dhe i fqinjëve hileqarë. Ky frymëzim, shenjë dalluese e një shoqërie të mbyllur, të vogël e historikisht të rrethuar nga fqinj që janë parë si armiq edhe kur s’kanë qenë të tillë, vijon të mbahet i gjallë në jetën politike e sociale me lloj-lloj formash e mënyrash. Dhe kur problemi vendoset në skakierën politike, në vitrinën e partive dhe institucioneve, çështja bëhet edhe më e koklavitur.
Trajtimi dhe kryesisht menaxhimi i problemit të nacionalizmit shqiptar, i të gjitha formave, nga më të moderuarat e deri tek ato absurdet, nuk mund të bëhet më sipas ndarjes historike në krahë politikë, në “spiunë” e të “shitur” dhe “patriotë të çartur”. Ka kohë që burrat e mirë na shfaqen si të këqij dhe anasjelltas. Në njëzet vjet kemi parë shtetarë të djathtë që kanë mbajtur qëndrime të turpshme në dëm të interesave të shtetit dhe të vendit, ashtu siç kemi parë zyrtarë të majtë që kanë habitur me rezistencën e tyre në momente të caktuara, kur ka qenë fjala për të çeduar diku apo diçka. Askush nuk ka vepruar sipas ndonjë frymëzimi divin apo sipas ndonjë ligji të parashkruar. Të mirët dhe të këqijtë në këtë plan duket se kanë gjetur strehë kudo, pa dallim dhe pa ngjyrim partish. “Pyll pa derra nuk ka”, thotë proverbi.
Rëndom është konsideruar se në aferat shqiptare, ka një ndarje të padukshme, e cila buron nga një e drejtë historike dhe ideologjike. Ka një grupim që hyn apriori me tagrin e “të mirit” dhe një tjetër që rregullisht etiketohet si i keq. Sipas një ndarjeje që daton nga konceptet më të hershme politike, është marrë si e mirëqenë që e djathta ka një tendencë të jetë më e ngurtë dhe luftarake kur flitet për mbrojtjen e interesave kombëtare, kurse e majta është më fleksibël, më e prirur drejt kompromiseve. Kështu është parë e trajtuar kjo ndarje që në kohën kur në Shqipëri luftohej, në Luftën e Dytë Botërore e më pas, pas çlirimit, kur qeveria komuniste konsiderohej si e shitur një herë tek jugosllavët, rusët e kinezët, ndërsa e djathta nacionaliste e mërguar kishte “pronësinë” e bastionit nacionalist, që luftonte edhe atje ku ishte për kombin dhe interesat e tij të larta.
Kohët moderne, ose më mirë periudha e pluralizmit, bashkë me shumë mite të tjera, duket se ka rrëzuar edhe atë të “patriotizmës shqiptare”. Kemi parë në dy dekadat e fundit sesi një krah politik i djathtë e ka nisur qeverisjen duke sigluar kredencialet e një prifti grek në krye të kishës tonë ortodokse. Kemi parë më pas sesi po ky krah ka flirtuar rregullisht, ashtu siç po bën edhe sot, me fqinjin tonë jugor dhe përfaqësues jo fort të pastër të tij. Kemi parë sesi në tre vjetët e fundit janë zhvarrosur civilë shqiptarë, në vend të ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore dhe qeveria ka heshtur, kemi parë sesi ka zënë vend gradualisht dhe është zyrtarizuar e drejta e shkollave greke si kërpudhat pas shiut, apo sesi është sfumuar deri në kufijtë e mosekzistencës dosja çame. Kemi parë gjithashtu sesi çështja e varrezave greke në Jug, po bllokon ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga parlamenti grek, deri në atë pikë, saqë kjo u komunikohet hapur autoriteteve tona nga kundërpala greke, e megjithatë qeveria jonë nuk reagon.
Të gjitha këto kanë ndodhur dhe ndodhin nën një qeverisje, e cila sipas kutit klasik të ndarjes në konservatorë dhe të moderuar, duhet t’i përkiste kategorisë së parë. Në mënyrë hileqare është ndërtuar me kalimin e viteve, një legjendë urbane (në fakt më shumë rurale, sesa urbane), se PD-ja është e vetmja forcë që garanton drejtpeshimin që vjen e humbet, sa herë që pushtetin e ka pasur për disa vite rresht PS-ja. Kjo lavdi e paqenë vazhdon të jetë mjaft popullore në një pjesë të publikut shqiptar, këtej dhe andej kufirit shtetëror, megjithëse e vënë shpesh në pikëpyetje dhe e përballur me njëmijë dilema të shkaktuara nga qëndrime si ato të mësipërmet.
Ajo që po ndodh prej vitesh në Himarë është jo vetëm një zinxhir provokacionesh i një grupimi etnikisht jokorrekt, por edhe një neglizhencë ditën për diell dhe e qëllimtë e pushtetit qendror në Tiranë, ndaj aktesh dhe faktesh që do të duhet të ishin dënuar me kohë. Edhe njëherë, pas trazirave të fundit, qeveria ka heshtur, duke i besuar sërish sharmit të vjetër të “nacionalizmës” që kujton se ka në sytë e shqiptarëve.
Nacionalizmi është një rreckë jo komode për të mbuluar lakuriqësinë, porse të qenit i përgjegjshëm dhe patriot është diçka krejt tjetër, më se e nevojshme dhe urgjente për të gjithë ata që kanë në dorë një pjesë të fateve të këtij vendi. Një mësim historie i shkruar shumë kohë më parë se në pushtet të vinte PS, PD dhe të gjitha siglat e tjera të marra së bashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›