E Shtunë, 31 Tetor 2026

Litarët e lënë jashtë varrit



Nga Misto Xhemali

Në një fshat të Shqipërisë tregojnë për një person, i cili u kishte hapur shumë telashe banorëve të fshatit si dhe gjithë krahinës përreth. Ai njihej si një person ngatërrestar, duke sjellë për banorët vetëm fatkeqësi, grindje, zënka dhe ndarje. Ishte bërë shumë i neveritshëm dhe të gjithë i largoheshin për të mos patur punë me të.
Por një ditë edhe këtij ekzemplari i erdhi ora e vdekjes. Në grahmat e tij të fundit, me gjysmë zëri dhe “i penduar” për bëmat e tij, ai la edhe një amanet: “Ma bëni varrin sa më të thellë, por mos harroni që jashtë të më lini një copë litar” . Dhe varrmihësit, si për çdo amanet, e plotësuan këtë dëshirë të njeriut mostër. Pasi e varrosën thellë, ata i lanë jashtë varrit një copë litar, i cili ishte lidhur me fundin e arkivolit të tij.
Kaluan kohë dhe banorët tashmë ishin qetësuar nga zënkat dhe grindjet me njëri tjetrin. Trazovaçi kishte vdekur dhe jetën e tyre të përditshme tashmë nuk e trazonte kush. Por duket që kjo paqe ishte e përkohshme. Banorët që shkonin në varreza për të kryer shërbime të ndryshme mortore, jo rrallëherë, ngatërroheshin me copën e litarit që ishte lënë përjashta varrit të monstërs, pengoheshin dhe binin përmbys, duke mallkuar të vdekurin që edhe pse ishte larguar nga kjo jetë, përsëri u krijonte atyre telashe e fatkeqësi të panumërta.
Edhe këto ditë, duke përjetuar dhimbjen e madhe të tragjedisë të Gërdecit, mendja të shkon tek ajo “copë litari” që ish diktatura e dikurshme ka lënë jashtë varrit të saj, për të sjellë tragjedi të tjera në vendin tonë. Dhe kjo “copë litari” janë ato mijëra e mijëra tonë municionesh e ato qindra tonë armatimesh, që janë lënë në depo, tunele e magazina si për të ndjellë vdekjen masive të shqiptarëve. Tragjedia e Gërdecit nuk është e para. Duke uruar që ajo të jetë e fundit, le të kujtojmë se tragjedi të tilla masive, diku në përmasa të mëdha e diku më të vogla, thuajse kanë ndodhur në dhjetëra fshatra të Shqipërisë, që nga Tropoja e deri në Sarandë, ku kanë qenë të dislokuar reparte ushtarakë, apo ishin ngritur depo armatimesh, ku gjendeshin lloj armatimesh, deri tek ato të shfarosjes masive. Dhe tragjeditë e këtij “litari” të lënë jashtë varrit nuk kanë patur të sosur. Tragjedi të tilla masive kanë ndodhur një depot e municioneve në tunelet e Gramshit, në tunelet e Qafështamës në rrethin e Matit, në depot e Dhëmbanit në rrethin e Tepelenës, në tunelet e Poçemit në rrethin e Mallkastrës si dhe në qendra të tjera ushtarake, ku kanë mbetur viktima, apo janë gjymtuar edhe fëmijë, të cilët janë futur në këto depozitime arsenalesh të kalibrave nga më të ndryshmet për të nxjerrë bukën e gojës, apo edhe duke luajtur me njëri tjetrin. Tragjedi të tilla kanë ndodhur në zonën e Topojës në rrethin e Fierit, në zonën e Mjekësit në Elbasan, në disa fshatra të Kukësit, të Përmetit, të Vlorës e në dhjetëra rrethe të tjera të vendit tonë. Kjo “copë litari vdekjeje” ka mbetur jashtë për afro dy dekada pas varrosjes së diktaturës, edhe pse është folur aq shumë për eliminimin e tyre. Por duket që gjithçka ka qenë vetëm në kuadrin e fjalëve, pasi kanë munguar masat efektive për asgjësimin e tyre. “Litari” është lënë jashtë, ndoshta edhe jo pa qellim. Faktet e fundit tregojnë se këtë copë “litari” e kanë përdorur jo pak batakçinj e rrufjanë të llojeve të ndryshme, të cilët kanë shfrytëzuar këtë mosveprim të segmenteve të shtetit, apo edhe në bashkëpunim me këto segmente, për të patur përfitime kolosale në rrugë të pandershme e me metoda mafioze.
Por me sa duket nuk ka qenë vetëm kjo “copë litari” që ish diktatura ka lënë jashtë varrit të saj. Jashtë këtij varri janë lënë edhe militantët e dikurshëm të komunizmit, të cilët tashmë mbushin krahët e politikës shqiptare. Militantët janë verbëria dhe shurdhëria e politikës dhe e politikanëve. Ata janë “mbushësit” e topave, tek të cilët mbështeten politikanët gjatë fushatave elektorale e që paskëtaj, këta militantë, kërkojnë “borxhin” tek pushtetarët. Ata kërkojnë vendet e pamerituara në instancat shtetërore, apo edhe privilegje që çojnë në detyrime të pamoralshme e absurde të atyre që janë në pushtet. Ata hapin dyert e zyrave duke i shqelmuar ato me këmbë, hipin mbi tavolinat e zyrtarëve, ulërijnë sa herë që nuk u plotësohet ndonjë dëshirë, ngrenë zërin sa herë që duan të vendosin për interesat e tyre. Ata bëhen zotë të pushtetit ekzekutiv. Është kjo arsyeja që shumë nga këta militantë, në vartësi të rrotacionit të pushteteve, zënë vend në administratën shtetërore, duke zëvendësuar të aftët, të cilët flaken në rrugë. Ata shfaqen të plotfuqishëm, të shkathët, elegantë, të kudondodhur, kavalierë, servilë, delenxhinj, klounë, që ngjasojnë më shumë me personazhet gogolianë. Dhe kjo ndodh së tepërmi kur në qeverisje ndërtohen aleanca paszgjedhore, pasi të dekretuarit e një force të caktuar politike, mbledhin rreth vetes militantët e paskrupullt, të cilët në shumë raste nuk e njohin fare funksionin ligjor të detyrës së tyre shtetërore. E natyrisht në raste të tilla do të ketë edhe të papritura, qëndrime antiligjore, veprime skandaloze, ashtu si në diktaturë, kur në postet politike emëroheshin të ardhurit nga “kllasa” punëtore, apo fshatarësia punonjëse.
Edhe në këtë rast ish diktatura ka lënë jashtë varrit të saj atë “copë litari” që qorollis e hedh në humnerë qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Prandaj edhe të ashtuquajturat reforma duhet të fillojnë nga pastrimi i aparatit shtetëror nga militantët partiakë, të cilët nuk kanë asnjë aftësi për të drejtuar segmentet e shtetit dhe të qeverisjes së vendit, qoftë në nivel të pushtetit qendror, qoftë në nivel të pushtetit lokal. Ndryshe atë “copë litar” të lënë jashtë varrit do ta kemi gjithmonë nëpër këmbët tona.
Por ish diktatura komuniste me sa duket ka lënë pas edhe një “copë litari” që ka lidhje me mentalitetin e statusit të nëpunësit të shtetit, pavarësisht shkallës hierarkike në të cilën ai ndodhet. Dikur në diktaturë nuk kishte shkarkime në detyrë. Diktatori “zbulonte” grupe armiqësore, të cilët ndëshkoheshin me ekzekutime masive. Ai asnjëherë nuk mbante përgjegjësi personale. Të tjerët ishin fajtorë. Mbi ta binte e pamëshirshme sëpata e diktaturës. Për ata ishte e panjohur dorëheqja. Në shumë raste sajohej vetëvrasja. Më këtë metodë janë “vetëvrarë” ministra, kryeministra, anëtarë të Byrosë Politike, anëtarë të forumeve të larta të nomenklaturës së kuqe. Vrasjet dhe vetëvrasjet shkonin deri tek familjarë e të afërm të tyre. E nëse nuk arrihej kjo, atëherë niste fushata e spastrimit në kuadrin e luftës së klasave. Sajohej një fushatë e asgjësimit masiv. Dhe diktatori fërkonte duart i kënaqur, duke u shprehur në mënyrë standarde: “Tashmë jemi më të fort se kurrë”.
Duket që edhe kjo “cope litari” ka mbetur jashtë varrit të diktaturës, deri sa edhe për ngjarjen e fundit nuk është publikuar asnjë shkarkim zyrtarësh, edhe pse shkeljet administrative janë aq evidente. Natyrisht kjo nuk ka të bëjë aspak me rolin e organit të akuzës, që në fund të fundit ka për detyrë që të çojë në bankën e të akuzuarve cilindo që ka shkelur ligjin, qoftë ai në detyrë, qoftë i shkarkuar nga detyra. Pushteti ekzekutiv duhet të bëjë punën e vetë, ndërkohë që gjyqësori ka rolin e vetë, si një pushtet i ndarë nga pushtetet e tjera. Vetëm në diktaturë aplikohej politika penale. Në kushtet e pluralizmit politik ekzekutivi nuk duhet të presë vendimin e gjyqësorit dhe pastaj të vendosë. Ai duhet të paraprijë, duke lëvizur të gjithë ata nëpunës të paaftë e neglizhentë, pavarësisht nga shkalla e përfaqësimit të tyre në qeverisje e pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.
Në ngjarjen tragjike të Gërdecit, nga ana e organit të akuzës, nuk është përjashtuar edhe pista e hetimit të një akti subersiv nga ana e agjencive të shërbimeve inteligjente të huaja, të cilat me sa duket, sipas kësaj hipoteze në hetim, kanë patur për qëllim përjashtimin e Shqipërisë nga organizmat euro-atllantike, në të cilat aspirojmë për t’u bërë palë. E natyrisht këto akte subersive nuk mund të kryen e realizohen pa patur edhe një mbështetje nga brenda. Kjo do të thotë se këto agjenci ndoshta aktivizojnë në këto momente historike agjentë e tyre të dikurshëm, apo edhe të rinj për të realizuar qëllime të mbrapshta. Natyrisht që këto janë supozime, por mbështetur në këtë pistë nëpër të cilën po ecën organi i akuzës, mendja të shkon tek fakti që diktatura ka lënë edhe një “ copë litari“ për atë kategori ish spiunësh që me kohë janë rekrutuar nga këto shërbime të huaja e që tashmë ka ardhur koha të riaktivizohen në shërbim të tyre. Ndoshta disa prej tyre mund edhe të kenë marrë triskën e të persekutuarit politik, apo edhe mund të jenë në administratën shtetërore. Është pikërisht kjo arsyeja që tashmë përbën urgjencë hapja e dosjeve, e cila edhe pse është ngritur disa herë, është neglizhuar, zvarritur e së fundi është harruar nga organi i legjislativit.
Tashmë për të gjithë është e qartë se këto “copa litari“ të lëna jashtë varrit duhen shkulur sa më shpejt e pa humbur kohë nga kufoma e dekompozuar e ish diktaturës së kuqe. Ndryshe do të jetë shumë vonë dhe çdo riparim i zgjatur në kohë do të kushtojë jetë njerëzish.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›