E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria me hapin e breshkës nën vorbullën e tymit e “padijes”



Nga Myhejan GASHI

Në këtë koment vendosa të bëj një dialog me pjesën kryesore të fjalimit të Presidentit të Republikës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në pamundësi për ta bërë direkt. Konkretisht Presidenti tha se: “Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime”. Edhe unë e gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë kështu mendojmë dhe dëshirojmë, por nëse për tragjedinë e Gërdecit, përgjegjësia do mbetet deri tek Delijorgji-Pinari-Minxolli dhe ca kapterë, apo viktimat, ajo, do apo s’do Presidenti ynë i nderuar sipas gjasave të deri tanishme ka mbetur jetime. E themi këtë për faktin e thjeshtë sepse vendimmarrësit, toleruesit dhe shkelësit e mëdhenj të ligjeve nuk janë marionetat dhe shtrydhësit, por ata që vënë në lëvizje mekanizmat e shtetit nëpërmjet pushtetit që populli u ka besuar me votën e dhënë për administrim, pra një sërë shtetarësh të lartë në hierarkinë e lartë ushtarake, qeverisëse qendrore e vendore që ligjet e vendit i ngarkojnë me detyrime, pra ata që deri tani bëjnë “heroin” pas beteje, por që krijuan “betejën” me veprime dhe mosveprime në përmbushjen e detyrës, të cilët janë shumë, pavarësisht se fshihen ca si minj apo ca bëjnë tigrin prej letre.
“Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra”, - thotë Presidenti publikisht. Emrat dhe mbiemrat e tyre lançohen në media në formë direkte, indirekte, me prova filmike, regjistrime, transkriptime, deklarime dhe dokumente të ndryshme komprometuese, sikundër edhe me deklaratat e tyre kontradiktore. Por kambanat bien për ata që kanë vesh jo për ata që u vënë tapa, apo duan të shurdhojnë edhe të të tjerëve, kështu që fajtorë me emra dhe mbiemra nuk ka më të tjerë po vazhdoi të ecet kështu, të paktën ky është mendimi masiv që dominon opinionin publik. Ndoshta edhe Presidenti është në këtë linjë, se po ti dinte do i kishte bërë prezent, kuraja e tij tashmë njihet, kur thotë: “Nevojitet një hetim serioz, rigoroz, transparent për zbardhjen e kësaj ngjarje të paprecedent”.
Shumë profesionistë mendojnë se, veprimet e deritanishme të Prokurorisë lënë për të dëshiruar për mos të paragjykuar,... ǒfarë e pengon atë për një hetim serioz, plotësisht të bazuar në Kodin e Procedurës Penale rresht më rresht e presje pas presjeje dhe me transparent qytetar për të gjitha grupet e interesit dhe publikun, sepse përmasat e saj nuk mund ti mbaj e menaxhojë vetëm Prokurorja e Përgjithshme dhe 3-4 të besuarit e saj. Është mëse e domosdoshme nëse kemi institucione realisht të pavarura që ato të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në zbardhjen e çështjes për identifikimin e plotë të fajtorëve, por kjo ka pak gjasa të ndodhë pasi politizimi i tyre dhe trysnia e atyre që dyshohen është një mospërputhje e madhe të drejtash dhe interesash të përbashkëta, çfarë vë në dyshim edhe hetimin e pavarur e profesional, ndaj dhe Presidenti i shqetësuar me të drejtë thotë:
-“Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre”. Duke konstatuar një gjendje të dyzuar dhe apatike konstatimi i Presidentit por edhe thirrja e tij drejtohet te:
-“Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale”. Këtu Ai gabon, sepse unë dhe shume të tjerë dyshojmë se deri tani ajo ka punuar e varur!? dhe pa boshte profesionale. Të kesh prokurori të dyshimtë se varet nga dikush ..(Ç`farë mund të jetë ky dikush, pushtet tjetër, grup kriminal apo dreqi e di..). Kjo është shqetësuese, biles shume e rëndë po të kemi parasysh dhe topin e hedhur në fushë tjetër nga Prokuroria e Përgjithshme, kur kërkon ndihmë nga Ambasada e SHBA. Personalisht e kam mbështetur dhe përshëndetur zgjedhjen e një femre në këtë funksion, por kjo lëvizje është shumë e dyshimtë, më shumë sesa hetimit, dikush tjetër nëpërmjet saj kërkon të dijë se ç`dinë dhe ç`kanë për çështjen autoritetet dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA (zoti më gjykoftë nëse i hyj dikujt në hak). Thua se diletantizmin profesional dhe politik të tyre, ta kalojë me “naivitet” nënrrogozin e SHBA-së. Ndaj, Presidenti është inteligjent dhe demonstron integritet në analizën e Tij, kur paralajmëron e thotë : -“Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit”. Zakonisht këto nyje apo kryqëzime piketohen nga mjeshtrit e trafiqeve ndërkombëtare por edhe nga shërbime subersive apo organizata mafioze e terroriste. Nëse njëra nga këto qëndron, për publikun po, shqetësimi dhe rreziku sërish është prezent edhe pas ngjarjes, sepse ato i kanë paralizuar strukturat e sigurisë, kanë gjunjëzuar-ortake qeverisjen, siguria nuk ekziston në kushte të tilla, sovraniteti në rrezik. -“Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë, ndaj kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer”.
-Sërish Presidenti gabon sepse në vend që t’i vejë para përgjegjësisë dhe të marrë masa administrative e ligjore, u jep kohë atyre për të realizuar masat e nevojshme të mbrojtjes, zbutjes deri edhe tjetërsimit të përgjegjësive, ç`ka do të thotë përgjegjësia i mbetet shtetit jetim ! Kjo lëshon terren dhe bëhet e besueshme kur Presidenti thotë : -“Ne nuk mund të harrojmë se jemi shumë pranë anëtarësimit në NATO”. E kuptuar në nëntekst kjo do të thotë se, ju që jeni këtu mbani përgjegjësi nëse nuk marrim ftesën për në NATO. Duke parë kush ishin, çdokush shtron pyetjen e thjeshtë, pse nuk u ngarkon përgjegjësitë edhe për ngjarjen e Gërdecit, por pret 5 prillin Presidenti ynë, krimi ndëshkohet si brenda dhe jashtë evenimenteve.-“Do të ishte e pafalshme për ne të lejonim që procesi historik i Integrimit Euro-Atlantik të vendit tonë, të komprometohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e ndonjë individi cilido qoftë ai, të ndonjë zyrtari të korruptuar dhe të cilitdo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. -Toni pesimist i Presidentit për gjendjen e rëndë aktuale dhe mundësinë e pranimit në NATO ngre shume hipoteza dhe dyshime, që cilido me pak mirëkuptim dhe bonsens edhe mund ta shfajësoj atë si kreu i shtetit. Pavarësisht ngjarjes dhe shume standardeve të tjera që mungojnë, në NATO, Shqipëria mund të pranohet për dy arsye të tjera, së pari nga gjeopolitika rajonale, së dyti nga ringjallje e simptomave të luftës së ftohtë në rajonin e Ballkanit dhe aleancave të vjetra antiperëndimore. Kjo padyshim që nuk është meritë e atyre që Presidenti kishte në Këshill, ca më pak qeverisë, por e popullit që është përpara politikës dhe qeverisë në aspiratat e tij. Presidenti ka të drejtë, por ai duhet të mbaj edhe qëndrime koherente me standarde, kur thotë : -“Ne duhet t’i dëshmojmë opinionit ndërkombëtar se Shqipëria e meriton NATO-n dhe integrimin Euro-Atlantik”. Populli shqiptar e meriton padyshim zoti President, një popull ku mbi 90% dëshiron anëtarësimin e tij ne NATO, një popull ku mbi 85% dëshiron anëtarësimin në BE, një popull ku mbi 93 % janë pro amerikane dhe me kontribute paqeruajtëse ne misionet e NATO-s prej afro 10 vjetësh e meriton pavarësisht qeverisë dhe politikbërsve demagoge, mashtrues e me veprimtari të pastër anti NATO-BE. Besoj se Presidenti nuk është në këtë anë, ai është dhe duhet të jetë me popullin dhe të ardhmen e tij. -“Nuk mund të ketë më tolerancë mbi ata që duan të pasurohen mbi kurrizin e fëmijëve. Zero tolerancë, për cilindo që mendon se mund të rikthejë marrëdhëniet poshtëruese të punës në Shqipëri”. -Duke ngritur tonet për mbrojtjen e të drejtave të individit, Presidenti jep mesazhin se ai do të qëndroj mbi palët dhe nuk do lejoj asnjë institucion të abuzoj mbi të drejtat. Po pse deri tani nuk e ka bërë, kush e ka mashtruar, penguar, kush duhet të përgjigjet para ligjit përsa ka ndodhur? Ne presim që Presidenti ynë të na i thotë edhe këto, që të qetësojë pak shpirtrat e trazuar dhe një popull të revoltuar. Uniteti i kombit e kërkon ta bëj, ndërsa vet Presidenti u kujtua të kërkojë pak ditë pas tragjedisë: -“Pres nga Shërbimet Informative, nga Policia dhe nga Inspektoratet e ndryshme shtetërore, të godasin pa mëshirë këdo që shfrytëzon një njeri tjetër, për të pasuruar veten”. Megjithëse i vonuar në ushtrimin e detyrave momenti dhe reflektimi Tij ndaj situatës sikur jep pak drite shprese për pakëz drejtësi, transparencë dhe moral të ri politik, ndaj vrasësve me mburojë politike dhe kundër
krimit të pastër qeveritar të Gërdecit, ringjall pak shpresën e vrarë nga padrejtësitë dhe drejtësia. -“Duhet të zhdëmtojmë ekonomikisht viktimat e tragjedisë dhe familjet e tyre.
Gjithashtu duhet të punohet për sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme të vënë nga aventurierë, të cilët mendojnë se janë më të fortë nga ligji dhe shteti”. -Sikur Presidenti te mos ishte shprehur për zhdëmtimet ekonomike, por te kishte nxjerr një dekret të tillë dhe t`ja përcillte Kuvendit do ishte në lartësinë Kushtetuese dhe morale të funksionit të Tij, do jepte mesazhin që është mbi palët dhe i të gjithëve. Edhe këtu Ai gaboi pasi u kthye në përforcues i premtimeve të atyre që kanë përgjegjësi ligjore për krimin makabër, i qeverisë, që edhe sikur të mos dojë Presidenti është më e pakta gjë që ajo mund ti ofroj atij komuniteti dhe opinionit publik, për të larë me nder siç thotë populli m.... me sh... ., zbutur tensionet, “lehtësuar” veten, parat nuk janë të saj janë tonat o popull. Presidenti këtu duhet të kishte qëndruar fortë, por me një dimension tjetër dhe konkret. Ai duhet të kishte kërkuar që demi ekonomik tu vihet ne ngarkim të gjithë të implikuarve me çështjen, pavarësisht se taksa paguesit shqiptar do zhdëmtojnë viktimat, sikundër duhej të kishte kërkuar llogari për varfërimin e mëtejshëm që sjell kjo ngjarje për ta dhe rrugët institucionale e politike të daljes nga gjendja. Duke vëzhguar situatën, aktorët, faktorët dhe vendimet e deritanishme me paanshmëri, ekspertë të ndryshëm të drejtësisë penale, drejtësisë civile, drejtësisë ndërkombëtare, politologe, ekonomistë të shquar dhe njerëz të thjeshtë, të pakënaqur, të shqetësuar e skeptik shprehen se : Veprimet e deritanishme të Prokurorisë lënë për të dëshiruar për mos tu paragjykuar, ... ndërsa Presidenti Topi edhe këtë herë mbetet në klasë si palë me qeverinë. Është për të ardhur keq që Prokuroria në këto hetime po ecën me hapin e breshkës dhe nën vorbullën e tymit e “padijes” së saj. Ajo ka shansin historik të shkëputet nga e djeshmja dhe e sotmja e saj dhe të jetë e pavarur nga varret e politikës, por e varur vetëm nga ligji dhe Kushtetuta. Historia ka dëshmuar se populli di t’i kërkojë dhe mbrojë të drejtat e tij edhe kur ato nuk ja garantojnë ata të cilët ai i paguan, sigurisht këtë e di mirë edhe Prokuroria e Përgjithshme edhe Presidenti Republikës, biles ata janë ngritur në revolta kundër fenomeneve të tilla, prandaj lusim që mos të ngrihen të tjerë kundër tyre.
-Amen-Allah.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›