Firma “Agro-Blend”: “Pas verifikimeve do të shpërblehen fermerët e dëmtuar”
Në lidhje me problemin e farës së misrit “Aliseo”, kompania “Agro-Blend”, në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve dhe me drejtoritë e bujqësisë së qarqeve, nis sot evidentimin e saktë të sipërfaqeve dhe fermerëve të cilët kanë mbjellë misër “Aliseo” dhe kanë pasur problem ne lidhjen e kokrrave. Pasi të bëhet evidentimi i saktë do të bëhet edhe dëmshpërblimi i fermerëve për problemin në fjalë, duke u bazuar në rendimentin mesatar të publikuar në buletinin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për vitin 2007.
Kompania “Agro-Blend” ka importuar farë misri “Aliseo” sipas standardit the Komunitetit Europian, të certifikuara nga ISTA dhe OECD, dy organizmat kryesore të certifikimit të farërave në Europë. Kjo farë është importuar nga prodhuesi më i madh në Europë për farën e misrit, kompania “Limagrain”. Pasi u konstatua për herë të parë ky fenomen, kompania franceze dërgoi menjëherë specialistët e saj për verifikimin e problemit. Kompania franceze po bën analizat gjenetike për të gjetur shkakun e mospjalmimit të këtij loti misri të importuar nga ne. Pavarësisht nga koha e analizave, “Agro-Blend” ka marrë përsipër dëmshpërblimin e fermerëve me misër kokërr, pas një verifikimi të saktë në vend i të gjitha parcelave ku ka pasur problem me mospjalmimin e hibridit “Aliseo”. Lidhur me problemin e misrit nuk bëhet fjalë për “mijëra hektarë”, por deri tani ne kemi rezultate për rreth 100 ha në të gjithë territorin. Kjo sipërfaqe problematike është shumë poshtë sasisë prej 60 000-70 000 ha misër që mbillen në Shqipëri. Për këtë arsye theksojmë se nuk ka ndikim në prodhimin kombëtar të misrit. Edhe një herë theksojmë se do të përfundojmë sa më shpejt evidentimin e saktë të të gjitha sipërfaqeve dhe do të bëjmë dëmshpërblimin, në mënyrë që fermerët të mos kenë asnjë humbje lidhur me problemin në fjalë. Kompania “Agro-Blend”, ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë fermerit duke ofruar zgjidhjen më të mirë të mundshme.
5 Shtator 2008