E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha po na provokon me fushata të paligjshme elektorale”

Kreu i PS-së: “Kryeministri gaboi rëndë me shantazhet ndaj medias”. Rama: “Gjobat e vendosura nga KKRT-ja ndaj televizioneve, të paligjshme”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të tërhiqet menjëherë nga shkelja e barazisë së subjekteve politike e shoqërore si dhe nga sulmet dhe shantazhet e ndërmarra ndaj medias së lirë. Rama i cilësoi këto dy veprime të kryeministrit Berisha dhe të qeverisë së tij jo vetëm si gabime trashanike, por edhe si shkelje të parimeve elementare të demokracisë. Rama i bëri apel Berishës që të mos e provokojë edhe më tej opozitën, duke përdorur lekët e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike. “Dua t'i bëj apel kryeministrit Berisha që të kuptojë se nuk është në interes të vendit e të bashkëqytetarëve tanë kthimi mbrapa në debatet e vjetra e të ashpra për të drejtat e liritë elementare të opozitës në procesin politik në tërësi dhe atë elektoral në veçanti. Ne nuk e dëshirojmë rritjen e tensionit politik, aq më tepër për shkaqe krejtësisht të evitueshme dhe as dëshirojmë që të ringjallim te qytetarët shqiptarë e te komuniteti ndërkombëtar shqetësimin e vjetër të shkeljes së lirive e të drejtave më elementare të opozitës e të medias në Shqipëri, po duam ta zgjidhim këtë problem të krijuar pa lejuar që të rëndohet më tej e të prodhojë dëme të panevojshme mbi procesin politik e elektoral, në dëm të qytetarëve të vendit e të imazhit të tij”, - tha kryetari i PS-së, Edi Rama.
KKRT-ja
Kreu i Partisë Socialiste e cilësoi të turpshme vendimin e KKRT-së për të marrë masa penalizuese ndaj televizioneve të cilat transmetuan spotin e G99-s, që ironizonte spotin e kopjuar të Berishës për angazhimin ndaj luftës kundër korrupsionit. Ai tha se gjobat e vendosura nga KKRT-ja ndaj këtyre televizioneve janë të paligjshme. “Po ashtu kryeministri s'mund të bëjë as shurdhin e as budallain në lidhje me faktin se KKRT-ja, përmes kryetares së zgjedhur prej qeverisë, ka gjobitur në mënyrë të paligjshme televizionet që kanë transmetuar një reagim të ligjshëm të qytetarëve të këtij vendi ndaj spotit të kryeministrit”, - vijoi Rama.
Apeli
Shefi i selisë rozë kërkoi nga kryeministri Berisha që të ndërmarrë veprime të barabarta ligjore për çështjet që kanë të bëjnë me spotet televizive. Rama tha se duhet të vendoset nëse do të ndalohen apo duhen lejuar njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, spotet televizive jashtë periudhës së fushatës zgjedhore. Ai kërkoi nga kryeministri që të lejojë spotet sensibilizuese të shoqërisë civile për problemet që kanë të bëjnë me vendin. Rama i bëri gjithashtu apel Berishhës që t’i japë fund dhunës ndaj medias përmes gjobave arbitrare që ja vendosur KKRT-ja.

Kërkesat e Ramës për Berishën
Të ndalojmë njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, ose të lejojmë njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, spotet televizive jashtë periudhës elektorale të përcaktuar nga ligji.
Të mos ketë asnjë kufizim ligjor për spotet sensibilizuese të subjekteve të shoqërisë civile për problemet e vendit e të qeverisjes së tij në nivel qendror e vendor.
Të përcaktohet qartë me ligj llojin dhe kohëzgjatjen e njoftimeve të qeverisë apo institucioneve shtetërore përmes spoteve televizive.
Të ndalohet dhuna ndaj mediave përmes gjobave arbitrare të shumicës politike të KKRT që përfaqëson qeverinë në atë institucion

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›