E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë kërcënon fermerin në emër të privatëve



Pas denoncimit të djeshëm në “Albania” të kalbjes së tre hektarëve me mollë në Lugaj të Tropojës si pasojë e pesticideve të skaduara, ekspertë dhe punonjës rajonalë të Ministrisë së Bujqësisë kanë kërcënuar pronarin e parcelës që bëri publik fenomenin. Ekspertë të Drejtorisë Rajonale të Ministrisë kanë shkuar të inspektojnë parcelën e fermerit Gjovalin Nikolla, ndërsa vetë Nikolla është shprehur se këta specialistë nuk kanë dhënë asnjë shpjegim lidhur me procedurën që do të ndiqej, e ç’është dhe më e rënda, përfaqësuesit lokalë të Ministrisë i kanë bërë të ditur Nikollës se duhej të bënte kujdes me denoncimet në media. Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar dje me fermerin pronar të parcelës, ky i fundit është shprehur se i është kërkuar të ndërpriste kontaktet me median. “Erdhën specialistë të Ministrisë për të bërë kontrollin. Nuk më dhanë asnjë lloj shpjegimi. Thjesht më thanë në fillim se kemi ardhur të shikojmë gjendjen e parcelës. Kur unë u kërkova të dhëna lidhur me mënyrën apo rrugën se si do të dëmshpërblehesha, ata shmangën përgjigjen dhe më thanë që të bëja kujdes kur flisja publikisht. Madje më thanë se nëse do të vazhdoj të prononcohem, do të ishte akoma më keq për mua dhe biznesin tim”, - i tha dje Nikolla “Albania”-s.
Jo më larg se dy ditë më parë “Albania” kontaktoi me pronarin e një parcele prej tre hektarësh (të mbjella me mollë) në Lugaj të Tropojës, i quajtur Gjovalin Nikolla, i cili ka pohuar se e gjithë sipërfaqja e mbjellë prej tij me mollë ka shkuar dëm për shkak të pesticideve dhe fungicideve të skaduara, që ai i ka blerë në firmën “Agro-Blend”. “Mollët kanë rënë përtokë, ejani dhe shikoni vetë. U hodha ilaçin e blerë pemëve, por nuk dhanë asnjë efekt. Gjithë investimi ka shkuar dëm”, - i tha Nikolla gazetës, duke u shprehur se sipërfaqes së mbjellë i janë bërë të gjitha shërbimet duhura, ndërsa efektin shkatërrues e kanë dhënë pesticidet dhe fungicidet.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›