Misteri i farës së misrit, Ministria e Bujqësisë bllokoi në maj qindra kuintalë
Habjon Hasani
Enti i kontrollit të farave në Ministri ka publikuar një listë me sasitë dhe llojet e farave të misrit të bllokuar deri në datën 20 maj të këtij viti. Mes subjekteve rezulton dhe firma “Agro-Blend”, ndërsa shifrat dhe statistikat e mbledhura nga inspektorët ngrenë disa pikëpyetje të rënda mbi rolin dhe qëndrimin e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë. Të dhënat analitike flasin për sasi shumë të mëdha të farës së misrit të asgjësuara apo të bllokuara në subjekte të ndryshme, ndërsa tabela e të dhënave parashikon edhe një rritje progresive në muajt në vazhdim të këtyre sasive me farë misri skarco. Kjo tabelë zyrtare, në mënyrë absolute vërteton se strukturat përkatëse të Ministrisë kanë qenë në dijeni që në fillim të sezonit të këtij viti se firmat dhe subjektet më të mëdha në vend të shpërndarjes së farës së misrit dispononin sasi shumë të mëdha në gjendje skadence.
“Albania” është konsultuar me ekspertë të pavarur të bujqësisë, të cilët kanë sqaruar se “vetëm ky fakt është i mjaftueshëm që Ministria të kishte sensibilizuar dhe me spote televizive, madje gjithë prodhuesit, që të shfaqnin kujdes gjatë blerjes së farës. Këto sasi janë shumë të madha në raport me nevojat e përgjithshme në nivel kombëtar. Referuar faktit që të dhënat parashikonin një rritje progresive të këtyre sasive skarco, menjëherë ekspertë dhe punonjës të specializuar të Ministrisë duhet të kishin zbritur në terren për verifikime dhe kontrolle”.
Asgjësim, apo bllokim?
Në tabelën e të dhënave paraqiten dy veprime të ndryshme lidhur me trajtimin që Ministria i ka bërë sasive të farës së misrit të skarcuar. Sakaq, disa subjekteve u është asgjësuar fara e evidentuar, ndërsa për një pjesë të vogël të subjekteve është urdhëruar vetëm bllokimi i farës. Interesimit tonë në Ministri për të marrë përgjigje lidhur me arsyet dhe për zbërthimin e mëtejshëm të tabelës nuk i erdhi përgjigje. Gjatë ditës së djeshme askush në Ministri nuk kishte marrë “autorizim” për të folur në lidhje me këto të dhëna, ndërsa i vetmi reagim publik i deritanishëm ka qenë konferenca për shtyp e ministrit disa ditë më parë. Në këtë konferencë ministri është shprehur se firmës “Agro-Blend” i është asgjësuar sasia prej 170 kuintalësh që iu gjet në muajin maj, por ministri nuk ka dhënë shpjegime se cila ka qenë arsyeja që Ministria nuk paralajmëroi publikisht prodhuesit dhe fermerët pasi konstatoi sasi kaq të mëdha të farës së skarcuar të misrit. “Them se nuk ka vend për aludime të tilla, pasi janë 27 kompani që operojnë në këtë treg të importit të farërave. Fakti që kemi groposur 1237.7 kuintalë farë misri do të thotë se nuk kemi pasur arsye për të mos groposur edhe 100 kuintalë, që kanë rezultuar tashmë disa muaj pas mbjelljes, në fazën e xhufkimit me probleme. Por atëherë ka qenë e pamundur të verifikohej, se fara ka shfaqur probleme pas 5 muajsh, në sezon rritje”, - është shprehur Gjana pak ditë më parë.
Skandali
Vetëm javën e fundit, me dhjetëra raste u evidentuan në të gjithë vendin lidhur me shpërndarjen e farës së misrit që prodhonte kallinj pa kokrra. Ndërsa Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdon të deklarohet se janë në pritje të analizave për raste të përfolura, fermerët kanë vënë alarmin se rastet me misrin e modifikuar gjenetikisht po shtohen dita-ditës. Ministri Gjana po ashtu garantoi të gjithë fermerët për cilësinë dhe sigurinë e farërave dhe fidanëve bujqësore të importuar, që shiten në tregjet e vendin. Duke vlerësuar problemin me 100 kv farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit e Peqinit dhe Fierit), kreu i Bujqësisë tha tri ditë më parë se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin.
5 Shtator 2008