E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxheri Thana: “S’kemi shitur pesticide në Tropojë”



“Në lidhje me shkrimin në gazetën tuaj për kompaninë ‘Agro-Blend’, sqarojmë se ‘Agro-Blend’ është kompania më serioze në tregun shqiptar të inputeve bujqësore, e themeluar që në vitin 1993. ‘Agro-Blend’ tregton inpute bujqësore të prodhuara nga kompani prestigjioze në botë dhe gjatë aktivitetit të saj nuk ka tregtuar asnjëherë pesticide apo produkte të tjera të skaduara. Lidhur me shkrimin e publikuar për fermerin nga Lugaj i Tropojës, Gjovalin Nikolla, është një trillim me dashje për të ulur imazhin e kompanisë sonë. Fermeri në fjalë nuk ka blerë asnjëherë produkte të kompanisë sonë, gjithashtu theksojmë se për vitin 2008 nuk kemi shitur asnjë pesticid në Tropojë. Pesticidet që ne tregtojmë janë krejtësisht brenda standardeve të Komunitetit Europian, konform afateve të përdorimit dhe me etiketë në gjuhën shqipe, ku shprehet qartë mënyra e përdorimit të tyre. Për fermerin në fjalë nga Lugaj i Tropojës do të marrim hapat e duhur ligjorë në gjykatë për shpifje dhe tendencë për uljen e imazhit të kompanisë sonë. Edhe një herë theksojmë dhe sqarojmë opinionin publik se ‘Agro-Blend’ do të vazhdojë të tregtojë inpute bujqësore cilësore dhe konform të gjitha standardeve të kërkuara”, - tha për gazetën menaxheri i “Agro-Blend”, Sami Thana.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›