Memecëria që fermerëve u kushton miliona
Kur kreu i qeverisë nuk e ka problem fare të fusë dorën në xhepin tonë, pra të taksapaguesve shqiptarë, dhe të marrë prej andej shuma të mëdha për spotin publicitar antikorrupsion, dikastereve në varësi të tij, p.sh. Ministrisë së Bujqësisë, nuk ia ndien fare për fermerët që sivjet nuk do të prodhojnë misër, mollë dhe prite se çfarë tjetër, edhe pse është përgjegjëse për farën apo për pesticidet që ata blejnë nga firmat e licencuara nga kjo e fundit. Ne nuk po duam të komentojmë se si dhe ku e morën spotin specialistët e promocionit të kryeministrit, a ishin në rregull me të drejtën e autorit apo të tjera si këto, pasi kjo nuk na intereson tani për tani teksa shohim rrënimin e dhjetëra fermerëve, kur paratë e shpenzuara prej tyre për kultivimin e misrit, apo pemëtarinë u shkuan dëm. Pikërisht në kulmin e zhurmës mediatike, Ministria e Bujqësisë vendosi të bënte shurdhmemecin, pse të mos themi pastaj se fjalët tona ranë në vesh të padëgjueshëm, edhe pse kishte të dhëna për farëra shterpë, apo pesticide të skaduara, duke lënë të kuptohet se dikasteri i fermerëve, që duhet të jetë në krah të tyre, fatkeqësisht deri tani, me heshtjen, ka qenë në favor të firmave private të licencuara për tregtimin e farërave shterpë apo pesticideve të skaduara. Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë dashur t’ia dinë për paratë e shkuara dëm të fshatarëve, ose siç ka qejf t’i quajë kryeministri fermerët, por madje për më tepër me përfaqësuesit vendorë të tyre ata kanë “kërcënuar” se askush nuk duhet të flasë për këtë problem, pasi do ta kenë keq punën. Çfarë kërkojnë t’u bëjnë fakirëve kur ia bënë atë që është më e rëndësishmja për ta, i lanë pa të pabukë, i zhytën edhe më në mjerimin e tyre të gjithhershëm?!
5 Shtator 2008