E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha refuzon të japë përgjigje për gjobën



Kryeministri Sali Berisha nuk i është përgjigjur ende mesazhit të Televizionit Vizion Plus dërguar një ditë më parë në numrin e tij të celularit të bërë publik në reklamën për luftën kundër korrupsionit. I pyetur dje nga gazetarët e këtij televizioni, kreu i qeverisë ka heshtur. Edhe zëdhënësja për shtyp e kryeministrit, Juela Meçani, e kontaktuar në telefon nga gazetarët e Vizion Plusit, është shprehur se nuk ka dijeni për mesazhin dhe se do të kthejë përgjigje pasi të marrë informacionin e duhur. Por, 24 orë pas mesazhit të dërguar nga Televizioni Vizion Plus, nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga kreu i qeverisë. Vizion Plusi e pyeti kryeministrin një ditë më parë nëse reklama për luftën kundër korrupsionit i është blerë televizionit argjentinas, i cili e ka transmetuar këtë spot gjatë kandidimit të Lopez Merfit.

Ndoka kritikon Berishën për shantazhet ndaj medias
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, bëhet zëri i parë brenda maxhorancës që dënon dhe kritikon shantazhet e kryeministrit Berisha ndaj televizioneve që transmetuan spotin kritik ndaj shefit të qeverisë. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e konsideroi jo normale idenë e kryeministrit për të bërë spote ku ai “bën edhe prokurorin, edhe gjykatësin e luftës kundër korrupsionit”.
“Ka mekanizma për të luftuar korrupsionin. Nuk është normale që një kryeministër të bëjë spote për luftën kundër korrupsionit”, - u shpreh Ndoka. Kreu i demokristianëve kritikoi gjithashtu edhe institucionin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, i cili, sipas tij, duket sikur po komandohet dhe është vënë nën urdhrat e Kryeministrisë. Gjithsesi, sipas Ndokës, ekziston mundësia e rishikimit të penaliteteve që KKRT-ja ndërmori ndaj televizioneve që transmetuan spotin kritik ndaj Berishës. “Mendoj se vendimi për gjobën nuk është përfundimtar. Vendimi është marrë nga inspektorët dhe anëtarësia e KKRT-së do ta diskutojë dhe votojë”, - tha Ndoka.

Meta: “Berisha, korrupsion me spotin antikorrupsion”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka reaguar ndaj spotit të kryeministrit Berisha, duke e etiketuar atë një shou të korruptuar. Meta tha se Berisha nuk arriti të frenohej përpara korrupsionit, edhe në rastin e përgatitjes së një spoti që kishte qëllime për luftën kundër korrupsionit. “Pasi ka thyer ‘rekorde’ në renditjen e Shqipërisë ndër vendet më të korruptuara, na jep së fundi një shou të korruptuar për të luftuar korrupsionin, një spot të vjedhur nga një kandidat i dështuar, duke paguar me paratë e shqiptarëve edhe paaftësinë qeverisëse. Por, hipokrizia e gënjeshtra e pacipë e Sali Berishës nuk mund të mbulojë dot më dështimin e tij të plotë”, - tha Meta. Kreu i LSI-së e akuzoi kryeministrin Sali berisha se e ngriti korrupsionin edhe më tej në sistemin politik të kapjes së shtetit, të uzurpimit të pushteteve të pavarura e të shkatërrimit të kushtetutës.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›