E Diel, 1 Nëntor 2026

Firma “Evdin” fshehu 8 milionë USD fitime të zyrtarëve shqiptarë

Pagesat e Diverolit zbardhin rolin e vërtetë të firmës qipriote. Nga të dhënat e bëra publike llogaritet vjedhja e kësaj firme

Habjon Hasani
Të dhënat e siguruara nga prokurorët amerikanë lidhur me faturat e pagesave ndërmjet firmës “AEY” dhe “MEICO”-s kanë zbuluar rolin inekzistent të firmës seksere ”Evdin ltd” në këtë marrëdhënie. Por këto të dhëna duket se kanë nxjerrë automatikisht në pah dhe fshehjen dhe grabitjen e më shumë se 8 milionë dollarëve nga kjo firmë. Që prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2007 asnjë pagesë nuk është kryer nga firma ”Evdin ltd” në drejtim të “MEICO”-s, por kjo firmë, sikurse ka rezultuar në hetimet e Prokurorisë, ka rritur çmimin nga 22 USD/ 1 mijë fishekë në 40 dollarë/1 mijë fishekë. Por faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë kanë zbuluar se pagesat janë bërë direkt nga llogaria e firmës “AEY” dhe firma “Evdin lid” nuk ka pasur kurrfarë aksesi në pagesat e bëra për çdo transportim dhe eksportim të municionit për në Afganistan. Janë pikërisht mandat-pagesat fakti dhe prova që nuk mund të hedhin dot poshtë autoritetet shqiptare të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi cilado të ketë qenë kontrata mes tyre dhe firmës ”Evdin ltd”, kompania “MEICO” nuk ka kryer asnjë transaksion me kompaninë ”Evdin ltd”, por direkt me Diverolin. Sipas kësaj Ministrie, kompania “AEY” dhe “Evdin ltd” kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar “MEICO”-s municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës. Pak ditë më parë zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes është shprehur se “kompania ‘Evdin ltd’ ka pasur autorizim nga kompania ‘AEY’, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndërmarrja ‘MEICO’ i ka ofruar kompanisë ‘Evdin ltd’ materialet e kërkuara duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes ‘MEICO’ si shitës dhe kompanisë ‘Evdin ltd’ për ‘AEY inc’, më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.4.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korresponduese”, - shprehet kjo ministri. Në këtë deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes duket se flitet për të gjitha funksionet e firmës ”Evdin”, duke lënë mënjanë vetëm statusin e saj financiar në këtë histori!
Zbardhja e skemës
Por ja që statusin financiar të kësaj firme, edhe pse nuk e dha Ministria, vendosën ta bëjnë prokurorët amerikanë. Gjithë zbardhja e skemës së vjedhjes nga ana e firmës “Evdin lid” mund të evidentohet në kontratën që ish-ministri Mediu bëri publike dy ditë pasi ishte dorëhequr nga posti i tij. Sipas kësaj kontrate, “MEICO” do t’ia shiste fishekët (për çdo 1 mijë copë) me 22 dollarë firmës “Evdin”, ndërsa më vonë firmës “Evdin” i lindte e drejta (të drejtë që ia kishte njohur edhe firma “AEY”-ja) që t’ia shiste këto sasi të blera firmës “AEY” me një çmim më të lartë. Pra firma “Evdin” duhej t’i blinte te “MEICO” dhe t’i shiste te “AEY”. Po ku janë blerjet e firmës “Evdin”?! Këto blerje nuk figurojnë në faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë, pasi të gjitha pagesat i ka bërë direkt firma “AEY”. Në këto kushte lind pyetja: pse i duhej një kontratë e tillë Ministrisë kur dollarët i paguheshin direkt nga firma “AEY”?! Përse kjo Ministri lidhi një kontratë me firmën ”Evdin ltd”, duke e ekspozuar këtë firmë si blerëse të saj, ndërkohë që sot rezulton se asnjë blerje nuk është bërë nga kjo firmë?! Po diferenca prej 18 dollarësh (për 1 mijë fishekë) si u sigurua nga kjo firmë në kushtet kur ajo nuk operonte në sistemin bankar me kompaninë “MEICO”?! Logjikisht e vetmja mundësi është se diferenca e fitimit ilegal të ”Evdin ltd” të jetë depozituar në llogari private të individëve dhe jo në subjektin privat të licencuar ”Evdin ltd”.
”Ndarja e tortës”
Personat që krijuan firmën ”Evdin ltd”, në të njëjtën ditë krijuan dhe firmën ”Garietta ltd”. Njësoj si firma ”Evdin ltd”, edhe “Garietta” rezultonte me seli në Qipro dhe me të njëjtët numra telefonikë boshnjakë, si të “Evdin”: 00387 62 94 24 52 (që është numër celular) dhe 00387 32 40 72 72, i fikur prej ditësh. Ekzistenca e shoqërisë së dytë fantazmë është zbuluar nga media pak javë më parë ku “Evdin Ltd” deklaron adresë të sajën numrin 1 në rrugën “Thermophylon”, në Larnakë, ndërsa “Garietta” zgjedh si adresë false adresën: “Lord Byron Street”, numër 33, gjithnjë në Larnakë. Në këtë adresë ndodhet selia e një banke. Që të dyja shoqëritë janë identike, me një “drejtor”, emri i të cilit ndryshon vetëm me ndonjë germë, por që kanë dhe e-mail të njëjtë. Pambos Fellas quhet drejtori i “Evdin ltd”, ndërsa Pampos Felas ai i “Garietta Lld”. Emra plotësisht të panjohur dhe anonimë. Por krijimi i dy firmave të ndryshme nuk është edhe aq rastësi nëse u referohesh rasteve të trafiqeve. Është një formulë klasike tashmë që për të humbur gjurmët krijohen dy firma, njëra për të justifikuar ndërhyrjen (”Evdin lid”), ndërsa tjetra për të marrë dërgesat e fitimeve të paligjshme (”Garietta ltd”). Ndoshta nuk është thjesht rastësi që firma e dytë e krijuar, me të njëjtën adresë që kishte dhe firma që kontraktoi shteti shqiptar, i korrespondonte adresës së një banke. E për më shumë në një bankë të Qipros, shtet i njohur për sistemin e tij off-shore (jashtë kontrollit) bankar.

Pagesat, përfitimi i “Evdin” gati i njëjtë me të “MEICO”-s

Një ditë më parë ”Albania” publikoi për herë të parë të gjitha pagesat e bëra nga firma “AEY” në drejtim të ndërmarrjes “MEICO”, nga qershori deri në dhjetor të vitit 2007. Kjo periudhë korrespondon me përpikëri me periudhën kur në lojë hyri dhe firma ”Evdin”. Totali i këtyre pagesave për “MEICO”-n shkonte gjithsej në 10 milionë dollarë. Në kushtet kur dihen dhe të dhënat e kontratës mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës “Evdin”, atëherë përllogaritja e fitimeve kthehet në një kalkulim të rëndomtë aritmetik. Në këtë mënyrë përllogaritet se ndërmarrja “MEICO” fitoi rreth 10 milionë dollarë nga ngarkesat duke shitur me 22 dollarë/1 mijë fishekë. Sakaq, firma “Evdin” kishte (në bazë të kontratës) marzhin e saj prej 18 dollarësh/1 mijë fishekë. Në bazë të raportit të fitimit 18/22, del e qartë se firma ”Evdin ltd” ka arritur të fitojë rreth 8.1 milionë dollarë duke mos bërë asgjë. Ky natyrisht që është një dëm dhe një vjedhje e faktuar, por askush nuk mund të sigurojë se ngarkesa të tëra mund të mos jenë deklaruar nga “MEICO” dhe vjedhja mund të jetë edhe më e madhe në këtë rast. Në kushtet kur Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se i ka lëvruar gjithsej 60 milionë dollarë (për blerjet në Shqipëri) Efraim Diverolit, atëherë mund të përllogaritet dhe fitimi i këtij të fundit (pa llogaritur transportin etj.), i cili është rreth 42 milionë (nga 60-a zbritet fitimi i “MEICO”-s dhe ”Evdin ltd”) dollarë.

“New York Times”: “EVDIN ngriti pazarin e kontratës”

”Paketuesi amerikan i përfshirë në këtë marrëveshje, Kosta Trebicka, tha se ai dyshonte se qëllimi i kompanisë "Evdin" ishte t’i transferonte paratë te zyrtarët shqiptarë.
Shitjet, sipas Trebickës, ishin mister: Shqipëria shiste municione tek "Evdin" 22 dollarë për 1000 fishekë, ndërsa "Evdin" ia shiste AEY-së së Diverolit për shumë më tepër. Diferenca, sipas Trebickës, ndahej me zyrtarët shqiptarë, me Pinarin, që ishte kreu i agjencisë së eksportit të armëve dhe me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. (Mediu dha dorëheqjen javën e kaluar pas shpërthimeve të depove të municionit). "Tani Berisha, Pinari, Mediu i kanë mohuar akuzat". Por Trebicka thotë se pasi ngriti shqetësimin për "Evdin" dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kompania u detyrua të përjashtohej nga kontrata. Më 11 qershor 2007 Trebicka dhe Diveroli bëjnë një bisedë telefonike për problemet e biznesit në Shqipëri. Trebicka e regjistroi këtë bisedë, që më vonë ua kaloi hetuesve shqiptarë. Biseda tregoi se kompania amerikane ishte në dijeni të korrupsionit në Shqipëri dhe se “Heinrich Thomei”, një kompani shitëse armësh zvicerane, qëndronte prapa "Evdin". Diveroli ka thënë se” Thomei, ose i quajtur Henri, vepronte si ndërmjetës në këtë biznes. Pinari ka nevojë, si edhe Henri, që në ndërmjetësim të jetë i kujdesshëm, që të ruajë lëkurën e tij, gjë që nuk është në biznesin tim”. Zoti Diveroli tha se "unë nuk dua të di asgjë rreth atij biznesi. Unë dua të di rreth legjitimitetit të bizneseve".

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›