PS-ja, letër Presidentit: “Kriteret tona për anëtarët e Gjykatës së Lartë”
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur nëpërmjet një letre dërguar institucionit të Presidencës, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Lartë të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë letër, të nënshkruar nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, theksohet rëndësia e përshpejtimit të procesit të plotësimit të vendeve bosh në Gjykatën e Lartë. Në këtë letër paraqiten kriteret për përzgjedhjet e anëtarëve, të cilat janë të lidhura me meritat dhe cilësitë e kandidatëve. “Ne çmojmë se në procesin e përzgjedhjes, shqyrtimit dhe të votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet t’u jepet përparësi kritereve që: i garantojnë Gjyqësorit juristë me integritet moral, dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës. Nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës. Kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë. I provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës”, - thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, dërguar institucionit të Presidencës. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste thekson gjithashtu se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave duhet të jetë transparent dhe në respekt të Kushtetutës, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për të kontribuar në përzgjedhjen e këtyre kandidaturave. “Ne çmojmë se vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere paragjykues e përjashtuese me motiv politik e klientelist. Mbetemi të hapur të japim kontributin tonë në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave nëse kjo çmohet nga Presidenti i Republikës në funksion të ushtrimit të përgjegjësive të tij kushtetuese”, - thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
28 Qershor 2008