Prokuroria mbyll hetimet për vdekjen e Trebickës: Ishte aksident
Pas dyshimeve dhe varianteve të shumta të hedhura rreth vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, një prej dëshmitarëve kyç në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet ditën e djeshme, teksa e vdekjen e tij e ka cilësuar aksidentale. “Kosta Trebicka humbi jetën si pasojë e aksidentit. Për këtë arsye vendosëm që të mbyllim hetimet për këtë rast”, - bëri të ditur prokuroria. Sipas organit të akuzës, kjo e fundit ka marrë në analizë të gjitha provat e administruara si procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalin e këqyrjes së kufomës, tabela fotografike dhe kaseta filmike e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, aktet e ekspertimeve auto-teknike dhe topografike, procesverbalet e këqyrjes, marrjes dhe sekuestrimeve të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitareve, tabulatet telefonike etj. Nga këqyrja e të gjitha këtyre provave, prokuroria bëri të ditur se ka arritur në konkluzionin se vdekja e Trebickës ka ardhur pikërisht si pasojë e aksidentit. “Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi, po udhëtonin në drejtim të veriut. Kur shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, pesha e automjetit ka kaluar menjëherë në krahun e djathtë të pjesës së përparme. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke e hedhur shoferin në tokë, nga zona e hapur e tavanit. Ndërkohë, automjeti u rrotullua mbi shoferin dhe eventualisht u kthye me rrota pingul me rrugën. Si rezultat i pjerrtësisë së rrugës, poshtë, në drejtim të lindjes, automjeti eci mbrapsht, siç tregohet dhe nga shenjat e gomave që shkojnë deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit”, - thuhet në ekspertizën e prokurorisë. Tashmë, zyrtarisht është përcaktuar se vdekja e Kosta Trebickës ka ndodhur si pasojë e aksidentit, por gjithsesi, dyshimet për vdekjen e tij do të vazhdojnë të mbeten për një kohë të gjatë. Më poshtë po paraqesim vendimin e plotë të hetimeve të prokurorisë për vdekjen e Trebickës.
Vendim
Pasi kanë studiuar të gjitha aktet dhe materialet hetimore të administruara për vdekjen e Kosta Trebickës, prokurorët e çështjes kanë arritur në këtë përfundim:
Në datë 12.09.2008, me marrjen e njoftimit nga Drejtoria e Policisë Qarkut Korçë, ku jemi njoftuar se në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës”, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë, është gjetur i vdekur shtetasi Kosta Trebicka, menjëherë është krijuar grupi hetimor, me përbërje të drejtuesit të prokurorisë dhe prokurorit të gatshëm, si dhe të ekspertëve kriminalistë dhe mjeko-ligjorë, ku është shkuar te vendi i ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar si më poshtë: Nga lindja, vendi i ngjarjes kufizohej me një pjesë pylli me bredh dhe pishë. Nga perëndimi, vendi i ngjarjes kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Gjergjevicë. Nga jugu, kufizohej me kodrat e fshatit Gjergjevicë. Nga veriu, kufizohej me rrugën rurale që të çon në fshatin Voskopojë. Si pikë orientuese për fiksimin e të gjitha provave që janë gjetur në vendin e ngjarjes është marrë kryqëzimi i rrugës rurale ekzistuese Lekas - Voskopojë. Në distancën rreth 95 m nga ky kryqëzim, kur je i orientuar me drejtim lëvizjeje për të shkuar sipër, në pjesën e rrugës të hapur rishtazi, gati me ekstremin lindor të kësaj rruge, gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitjeje gomash automjeti, që fillojnë nga krahu i djathtë i kësaj rruge, në kulm me tendencë vazhdimi nga krahu i djathtë i kësaj rruge, me gjatësi 9.8 m, e matur sipas formës së rrëshqitjes. Në të majtë të fillimit të kësaj gjurme, 5.3 m poshtë saj, në drejtimin verior mbi një pjesë të ngritur të mesit të kësaj rruge, gjendet fillimi i një gjurme rrëshqitjeje, formuar nga gomat e krahut të majtë të automjetit. Fundi i këtyre gjurmëve dhe konkretisht 1.9 m nga ajo e krahut të djathtë dhe 1.2 m nga ajo e krahut të majtë, gati në fundin e ekstremit perëndimor të kësaj rruge, poshtë tyre konstatohet prania e një mase xhamash të thyer, të cilat janë pjesë e një të tëre me sy të lirë me një sipërfaqe 0.6 cm X 0.7 cm. Kufoma ndodhet në pozicion me shpinë nga toka, koka është në kënd 30 gradë në pjesën verilindore. Koka është e mbuluar me flokë të shkurtër, të zinj, të thinjur, në masën 85 %, të rralla në pjesën e ballit, me gjatësi rreth 1 cm. Sytë e mbyllur plotësisht, goja gjysmë e hapur. Nga goja, vrimat e hundës dhe vrimat e veshëve, konstatohen sekrecione hemorragjike me ngjyrë të kuqe të thatë. Më tej, dera e krahut të djathtë paraqet dëmtime masive në nivelin e dorezës, midis dy llamarinave të derës. Pasqyra paraqitet e dëmtuar dhe së bashku, e futur në pjesën e brendshme të xhamit. Në pjesën e kornizës, krahu i djathtë i mbajtjes së xhamit paraqet dëmtime të freskëta, pothuajse gjatë gjithë gjatësisë, pothuajse me përqendrim më të madh nga gjysma e gjatësisë sipër në distancën 0.28 m nga këndi i poshtëm i derës, sipër saj gjendet një masë dheu e thatë në trajtë stampimi, bashkë me bar. Xhami i parë i derës së pasagjerit paraqitej i thyer plotësisht. Xhami i parë, i zhvendosur nga pozicioni fillestar. Parafango e krahut të djathtë mbrapa paraqitej me dëmtime të freskëta në trajtë shtypjeje me vendosje topografike, përpara 0.3 m dhe pjesa e sipërme përsëri me heqje boje. Në pjesën e llamarinës, në zonën e sinjalit, krahu i djathtë, vërehej një gërvishtje e freskët me gjatësi 8 cm dhe pozicion 45 gradë në aksin gjatësor. Sinjali i majtë anësor i pasmë paraqitej me thyerje të freskët në të gjithë lartësinë e saj. Parakolpi në pjesën anësore të tij, në krahun e majtë, ka patur një shtypje të freskët nga jashtë-brenda, e shoqëruar me gërvishtje të freskëta anësore. Po kështu, ky automjet është këqyrur me imtësi në prani të ekspertëve, në ambientet e Drejtorisë së Policisë Korçë dhe i është nënshtruar ekspertimeve dhe eksperimenteve për gjendjen teknike të tij.
Në bazë të akteve të ekspertimeve auto-teknike të të tre ekspertëve të caktuar nga organi procedues, ekspertët, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, kanë dhënë këto konkluzione për dinamikën e ndodhjes së aksidentit si më poshtë:
Në bazë të raportit të oficerit të lartë, Kevin Teter, i Policisë së Shtetit Virxhinia, i thirrur nga prokuroria shqiptare, në cilësinë e ekspertit, theksohet se kjo manovër e menjëhershme ka bërë që pesha e automjetit të kalojë në krahun e djathtë dhe të rrotullojë mjetin, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke e hedhur shoferin nga zona e hapur e tavanit. Ndërkohë, automjeti është rrotulluar në tavanin e tij, mbi shoferin, dhe eventualisht është kthyer mbi rrota, pingul me rrugën. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës për poshtë, në drejtim të lindjes, automjeti eci mbrapsht, deri në pozicionin final të qëndrimit të tij. Në bazë të aktit të ekspertimit auto-teknik të ing. Daniel Xhemo, dinamika e ndodhjes së aksidentit është si më poshtë; “Autovetura e drejtuar nga i ndjeri Kosta Trebicka, pak para fillimit të shfaqjes së gjurmëve rrëshqitëse, ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi V, sipas drejtimit jug-veri dhe e pozicionuar gati në gjysmën e djathtë të rrugës, me një tendencë të lehtë për nga e djathta, gjë që e vërteton gjurma e lënë nga goma e djathtë prapa. Në momentin kur makina ka qenë me gomat lart, mjeti ka qenë saktësisht mbi viktimën, duke i shkaktuar atij dëmtimet e konstatuara në aktin mjeko-ligjor. Ndërsa drejtuesi i autoveturës, në fillimin e përmbysjes, gjatë rrotullimit të parë, ka qenë nën ushtrimin e forcave aktive një-planëshe, asaj të rëndesës G dhe dy forcave centrifugale Fc, F’c. Rezultantja e tyre e ka detyruar trupin e tij të shkëputet nga sedilja (rripi i sigurimit nuk ka qenë i vënë), të rrotullohet në sens orar dhe të zhvendoset (të lëvizë) drejt derës së djathtë. Gjatë rrotullimit të dytë të autoveturës, për shkak të dominimit të peshës gravitacionale vetjake G, trupi i tij është pozicionuar në hapësirën e hapur të çatisë (baxhës), nëpërmjet të cilës është larguar jashtë autoveturës, duke u shembur në rrugë dhe njëkohësisht duke marrë goditje nga pjesët e jashtme të saj”.
3- Në bazë të aktit të ekspertimit auto-teknik të ekspertit Gëzim Hoxha, mekanizmi i ndodhjes së aksidentit është si më poshtë; Rruga ku qarkullonte mjeti në raport me terrenin, vjen me një pjerrësi të lehtë. Në krahun e djathtë të rrugës, drejtimi lindor, vendi vjen i pjerrët dhe lidhur me rrugën, ai përfaqëson një sipërfaqe të konsiderueshme, paralel me atë dhe që është e mbuluar me bar të thatë. Në krahun e majtë të rrugës, drejtimi perëndim, vendi vjen më i ngritur, në raport me rrugën dhe krijon një disnivel të përgjithshëm, në vlerat 50-70 cm dhe në pjesën ngjitur me rrugën ku lëviz mjeti, një skarpat të ngritur në vlerat 27-40 cm. Para afrimit të vendit të ngjarjes (në distancë 95 m nga pika e referimit) automjeti ka qenë duke udhëtuar drejt tij duke qenë i vendosur plotësisht në ekstremin e krahut të djathtë të rrugës. Në këto momente, për arsye të panjohura, drejtuesi i mjetit kryen një manovrim të menjëhershëm majtas me timon për të kaluar mjetin nga krahu i djathtë i rrugës në atë të majtë. Gomat e krahut të majtë dalin nga rruga e hipin mbi skarpatin perëndimor të saj, ndërsa gomat e krahut të djathtë janë të pozicionuara në gjysmën e rrugës pjesa perëndimore e saj. Ndërsa mjeti ka hyrë në kthesë dhe gomat e krahut të majtë kanë filluar lëvizjen në pjesën perëndimore jashtë rrugës, ato kanë filluar të shkëputin kontaktin me tokën dhe lëvizja e mjetit vjen duke u ngadalësuar. Në momentin që goma e parë e majtë ka përshkruar distancën 2.8 metra jashtë rrugës në pjesën e ngritur në perëndim, ndërsa goma e parë djathtas sapo ka filluar të shkelë në skarpat, kemi fillimin e përmbysjes së plotë të mjetit”. Lidhur me drejtuesin e mjetit në momentin që mjeti rrotullohet dhe përmbyset, forca që vepron mbi mjet vepron edhe mbi drejtuesin e mjetit, i cili në këtë moment konsiderohet trup i vetëm me mjetin. Për arsye të kësaj force, drejtuesi i mjetit i pafiksuar në mjet me rripin e sigurisë së pavendosur, hidhet jashtë mjetit nëpërmjet pjesës së hapur në tavanin e modifikuar në tokë dhe për shkak të shpejtësisë/ energjisë që zotëron, vazhdon të spostohet më tej, duke rrëshqitur në sipërfaqen e tokës dhe ndalon në pozicionin e fiksuar në vendngjarje”. Siç rezulton më sipër, të tre ekspertët, një i huaj dhe dy ekspertët shqiptarë, pavarësisht se janë shprehur në akte më vete, kanë arritur në një konkluzion të njëjtë në përmbajte për rrethanat e ndodhjes së aksidentit dhe shkakut të vdekjes. Këto akte përputhen edhe me aktin e ekspertimit tekniko-topografik, datë 15.09.2008 të inxhinierit gjeodet Ermal Gjermani. Më konkretisht, nga këto akte ekspertimi, rezulton se modifikimi i automjetit, heqja e kabinës, lëvizja në një terren malor me pjerrësi të konsiderueshme të rrezikshme, mosmbajtja e rripit të sigurimit, manovrimi i menjëhershëm i drejtuesit të automjetit në krahun e majtë, kanë çuar në ndodhjen e aksidentit dhe në ardhjen e pasojës. c-Dëmtimet e konstatuara janë shkaktuar nga një mjet i fortë, te mprehtë, karakteristikë për traumat automobilistike, me mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes së trupit me një pjesë të automjetit në një objekt të fortë. d-Shkaku i vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka ka qenë shoku traumatik-hemorragjik shoqëruar me kontuzionin e rëndë të trurit në terren të politraumës. Gjithashtu, në lidhje me këtë procedim penal janë pyetur 23 persona me cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, nga këta; të afërm të familjes, shokë dhe miq të viktimës, si dhe dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes. Nga pyetja e tyre ka rezultuar e provuar mënyra e lëvizjes së shtetasit Kosta Trebicka nga data 11.09.2008. deri në datën 12.09.2008 rreth mesit të ditës, ku edhe ka gjetur vdekjen nga ky aksident. Thëniet e këtyre dëshmitarëve përputhen në raport me të gjitha provat e tjera të sekuestruara në vendin e ngjarjes, tabulatet telefonike të ardhura nga kompania AMC mbi thirrjet e telefonatave hyrëse dhe dalëse të shtetasit Kosta Trebicka. Duke marrë në analizë të gjitha provat e administruara në procedimin penal nr. 1006, viti 2008, si procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalin e këqyrjes së kufomës, tabela fotografike dhe kaseta filmike e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, aktet e ekspertimeve auto-teknike dhe topografike, procesverbalet e këqyrjes, marrjes dhe sekuestrimeve të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitarëve, tabulatet telefonike, etj., arrijmë në konkluzionin se shtetasi Kosta Trebicka ka humbur jetën si rezultat i këtij aksidenti rrugor në mënyrën që arsyetuam në këtë vendim. Për sa më sipër, si dhe në mbështetje të nenit 328, germa “b” e K. Pr. Penale vendosëm pushimin e hetimeve të procedimit penal nr. 1006, viti 2008.