E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e Thomeit "monopoli" në trafikun e armëve

Tregtia e ligjshme apo e jo e armëve nga Heinrich Thomet ka nisur shumë vite më parë dhe gjatë kësaj kohe ai ka merituar më së miri emrin "Zoti i Luftës". "Kolegët" e tij, tregtarët e vegjël të armëve janë habitur nga aftësia e tij dhe e një firme me "vetëm 20 punëtorë" për të shpënë armë në çdo vend të botës. Nuk kishte rëndësi nëse askush tjetër nuk kishte mundësi për të dërguar armë në atë vend. Nuk kishte rëndësi nëse trafiku i armëve me atë vend ishte i paligjshëm apo mbi të rëndonte ndonjë embargo. Mjafton të kishte kërkesë dhe ofertë për armë dhe Heinrich Thomet shfaqej gjithmonë me një zgjidhje për të gjithë.

Një nga hetimet e para për këtë firmë ka nisur në Britani. Në atë kohë Britania ishte e dyshuar për shitjen e armëve për vendet në konflikt. Shumë firma britanike i shisnin armët e tyre kompanive të huaja, të cilat në mënyrë indirekte kryenin trafikun ilegal. Në këtë mënyrë shmangeshin të gjitha ligjet ndërkombëtare që ndalonin trafikun e armëve. Të dhënat e para tregonin se armët kishin përfunduar në Pakistan, Iran apo vende të tjera të ndaluara.


Disa gazetarë nisën të bënin një provë duke pohuan në internet se kishin një sasi të madhe armësh për t'i shitur por nuk kishin asnjë mundësi që t'i dërgonin në vendet në konflikt. Prova e parë u bë me Zimbabven, një vend tek i cili Britania nuk mund të shiste armë. Në listën e firmave që mund të bënin dërgimin e armëve u gjend edhe "Brugger & Thomet". Firma zvicerane, ashtu si edhe të gjitha firmat e tjera të botës, nuk mund të shiste armë në këtë vend për shkak të embargos. Armët u gjetën, automatikë MP5 me një çmim 550 dollarë copa.


E para që iu përgjigj kërkesës ishte qeveria e Iranit por ajo kërkonte një çmimi prej 300 dollarësh për secilën armë. Situata nisi të bëhej edhe më e çuditshme pasi firma të ndryshme ofroheshin për të bërë tregtinë e më pas tërhiqeshin. Por kur gjithçka dukej se po shkonte keq u shfaq "Brugger & Thomet", e cila i delegoi tek një agjent i tyre në Finlandë. Pas një telefonate të bërë tek agjenti, një njeri i quajtu Olli Salo, u tregua i gatshëm për të shpënë armë si në Algjeri ashtu edhe në Zimbabve. "Doni të dërgoni armë në Algjeri? Nuk ka asnjë problem",- ishte përgjigjja e Salo. Më pas ai u pyet, po në Zimbabve a mund të dërgojmë armë? "Nuk ka asnjë problem, edhe atje",- ishte përgjigjja e radhës.


Atij iu shpjegua se për të kryer këtë veprim nevojitej një leje nga vendi që do blinte armët dhe një licencë nga vendi që i shiste ato. Dhe përgjigjja ishte: Të vetmet letra që na duhen është një leje pune nga vendi që do të marrë armët. Vetëm kaq duhet...". Për të konfirmuar këtë është bërë një tjetër telefonatë në firmën "Brugger & Thomet". Përgjigjja ishte: "Ai është një partneri ynë. Është më shumë si zyra jonë në Finlandë. Nëse doni vazhdojmë. Ai është agenti ynë për shumë gjëra dhe me të puna na ka shkuar shumë qetësisht". Telefonata daton 25 prill 2002 dhe është bërë me Heinrich Thomet. Më pas ai dhe agjenti i tij kanë shpjeguar se armët do të vinin nga Gjermania dhe Zvicra por në letra do të thuaj se ishin nga ndonjë vend tjetër pasi këto dy vende nuk mund të bënin tregti armësh.


"Duhet të jetë sikur armët nisen nga një vend jashtë Bashkimit Europian sepse nëse janë brenda BE-së atëherë ne na duhet një licencë. Kjo është hileja. Ne nuk na nevojitet një licencë eksportimi sepse nuk do të quhet aspak eksport",- ishte shpjegimi i Heinrich Thomet. Në këtë mënyrë është bërë nisja e armëve drejt Finlandës por më pas destinacioni i tyre ndryshonte dhe kthehej në Zimbabve.


Ditën e paracaktuar për nisjen e armëve gazetarët i kanë treguar Olli Salos të vërtetën dhe përgjigjja e tij ishte shumë e thjeshtë: "Unë e dija çfarë ishit ju dhe po bëja shaka. Sigurisht që ju nevojiten të gjitha dokumentet për të bërë eksportim armësh". Por kur telefonata iu bë Heinrich Thomet ai menjëherë mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›