Henri Thomei, cili është "Zoti i Luftës" partneri i qeverisë shqiptare
Njihet si krijuesi i disa firmave të tregtisë së armëve që nga Zvicra, Izraeli e Qiproja e vende të tjera me objekt shitblerjen e armëve
Miku i Pinarit, është një nga emrat më të përmendur të organizatave të të drejtave të njeriut për trafikun e armëve drejt vendeve në konflikte
TIRANË- Henri Thomei, i njohur si "Zoti i Luftës", një nga partnerët e biznesit të Ylli Pinarit në çështjen e trafikut të armëve dhe njëkohësisht edhe ndërlidhësi ndërmjet Ylli Pinarit, drejtorit të MEICO-s në Shqipëri dhe Patrik Henrit i SAC, në çështjen demontimit të municioneve në Gërdec.
Henri Thomei, i njohur ndryshe edhe me emrin Henry Thomet, njihet për aftësitë e tij në organizimin dhe tregtinë e armëve dhe rrethin e gjerë të veprimtarisë së tij, që nga Afrika, Azia Lindja e Mesme dhe Ballkani. Organizatat e ndryshme Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në mënyrë të herë pas hershme kanë vënë në shënjestrën e tyre, pikërisht për shkak se nga kërkimet e tyre emri i Thomeit gjendej sipas tyre në mënyrë të herë pas hershme në subjektet e angazhuara në trafikun e armëve. Në këtë mënyrë, Ministria shqiptare e Mbrojtjes dhe firma shtetërore në varësi të këtij dikasteri, MEICO kanë lidhur kontrata multimilionë dollarëshe me një shtetas zviceran, i cili njihet shumë mirë në tregun botëror të armëve si "Zoti i Luftës".
I hetuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, i hetuar nga Amnesty International dhe nga shumë agjenci të huaja, ai është përzgjedhur nga qeveria shqiptare si një njeri i besuar për të kryer trafikun e municioneve në vendet në konflikt që nga Afrika e deri në Azi. Emri i tij është shfaqur pothuajse në të gjitha skandalet botërore të trafikut të armëve por kjo duket se nuk e ka shqetësuar aspak qeverinë shqiptare.
Henri Tomei, emri i parë i tij është Heinrich Thomet, është shfaqur fillimisht në skenën shqiptare si përfaqësues i firmës "EVDIN LTD". Ai njihet edhe si përfaqësues, themelues dhe pronar i firmës zvicerane "Brugger & Thomet" si dhe firmës "AG BG International" por në shumë raste të tjera ai njihet si aksioner kryesor i një sërë firmash të impluara në trafikuin e armëve në vendet në konflikt. Roli i sekserit "EVDIN LTD" me seli në Qipro dhe me pronar Heinrich Thomet duket fantazëm dhe tepër i dyshimtë, në rastin lidhjes së saj me MEICO-n. Ajo ka hyrë në marrëveshje me qeverinë shqiptare duke bërë një rritje tepër të madhe të çmimit origjinal të municioneve ushtarake që u dërguan në Irak dhe Afganistan.
Çmimi fillestar i produktit ishte 22 dollarë amerikanë por me ndërhyrjen e "EVDIN LTD" si ndërmjetës, çmimi u rrit duke arritur 40 dollarë amerikanë. Pra vetëm ndërhyrja e tij dhe tarifa e "sekserllëkut" ka kushtuar 18 dollarë. Vetë Kosta Trebicka pranoi se Diverolit i ishte kërkuar nga Delijorgji të bënin një kontratë të re por me një çmim prej 18 dollarësh më shumë, çka lë të kuptohet se edhe firma qipriote ishte kopertura për të justifikuar çmimin e fryrë dhe përfitimet e paligjshme të personave të tretë, jo palë në kontratë.
Trafiku i armëve nga ish- vendetsovjetike dhe lidhjet në Izrael
Nga kjo u zbulua se në vitet e para pas rënies së regjimit sovjetik, një numër tepër i madh armësh të vjetra, kryesisht armë të lehta kishin përfunduar në tregun e zi dhe tregtia ishte bërë nga vetë ish- oficerët e këtyre vendeve. Në atë kohë kallashnikovët rusë mund të bliheshin me çmime qesharake tek të gjithë shitësit e armëve të tregut të zi. Në këto kohë shfaqet edhe një raport i Amnesty International që tregonte nisjen e trafikut menjëherë pas përfundimit të "Luftës së Ftohtë".
Ai kryhej nëpërmjet kontraktorëve privatë, që transportonin mijëra tonë armë dhe pajisje të tjera ushtarake në të gjithë botën. Më pas trafiku u përqendrua në vendet e Ballkanit dhe kryesisht në zonën e Serbisë dhe Malit të Zi. Në këtë pikë shfaqet hapur Henri Tomei dhe firmat e tij fantazma të trafikut të armëve. Ai ishte tepër i interesuar në trafikun e armëve sepse sapo kishte nisur konflikti në Irak dhe Afganistan. Hetimet ndërkombëtare zbuluan se Henri Tomei ishte një pjesë thelbësore e trafikut që niste nga këto dy vende dhe përfundonte në Irak e Afganistan. Fillimisht u zbulua emri i një firme izraelite e quajtur "Talon" me bazë në Tel Aviv.
Ajo luante një rol shumë thelbësor në trafikun e armëve nga Serbia në Lindjen e Mesme. Ajo kishte lidhje edhe në Malin e Zi. Zyrtarisht ministritë e këtyre dy vendeve deklaruan se ky ishte pjesë e një programi për prokurimin e armëve për në Irak. Pronari i firmës "Talon" është Major Shmuel Avivi, (kjo e dhënë është marrë nga Dhoma e Tregtisë së Izraelit). Por vetë Avivi mohoi të kishte lidhje me këtë çështje. Hetimet e vetë palës izraelite zbuluan se zoti Avivi vepronte me një firmë zvicerane dhe kishte si parter një person të quajtur Henri.
Në vendin e tij ai quhej Heinrich Thomet, i cili ishte aksioner në të paktën dy kompani të shitjes së armëve, "Brugger & Thomet AG" dhe "BT International Ltd". Vetë ai pranoi të kishte punuar me raste me zotin Shmuel Avivi dhe se kompanitë e tij nuk po kryenin ndonjë shërbim për Irakun apo Afganistanin. Sipas tij, ato po punonin vetëm për qeverinë amerikane. Hetimet kanë nxjerrë edhe kompani të tjera të aplikuara në këtë trafik. E përbashkëta e të gjithë trafikantëve të armëve është se ata përdorin nga dy emra, njërin zyrtar të cilin ia kanë vënë kur kanë lindur dhe emrin tjetër me të cilin firmosin në dokumente.
Në përfundim të hetimeve në lidhje me çështjen e armëve të nisura nga Serbia në Irak dhe Afganistan është zbuluar një shifër e frikshme e trafikut. "Është e pabesueshme që askush nuk di ku ndodhen 200 mijë pushkë sulmi. Nëse këto armë kanë humbur është e tmerrshme",- ka deklaruar në atë kohë zëdhënësi i Amnesty, Mike Blakemore. Por kontrollorët e trafikut nuk kanë asnjë regjistër të fluturimeve që supozohet të jenë bërë në vitet 2004- 2005. Zyrtarisht ata nuk kishin marrë armë nga vendet e Ballkanit por është pranuar se armët kanë mbërritur nëpërmjet kontraktorëve të ndryshëm, një prej të cilëve ishte edhe Henri Tomei.
Trafiku i armëve nga Serbia dhe Mali i Zi
Në lidhje me këtë çështje ka hetuar edhe Qeveria Federale e Zvicrës. Ajo ka rënë në gjurmë të trafikut dhe është pyetur disa herë nga hetuesit e ndryshëm në lidhje me implikimin e shtetasit zviceran Heinrich Thomet dhe për dërgimin e tij me anë të firmës "Talon" të armëve të ndryshme në Irak dhe Afganistan. Prejardhja e këtyre armëve ishte Serbia dhe Mali i Zi. Pas hetimit Qeveria Federale e Zvicrës ka shpjeguar se shoqëria"BT International" me seli bë Bernë ka informuar se në vitin 2004 ka krijuar një tjetër shoqëri. Kjo shoqëri është krijuar nga Heinrich Thomet dhe një tjetër shtetas zviceran. Ajo quhet "Talon Ltd" dhe ka selinë në Izrael. Pra me anë të këtij pohimi konfirmohet se edhe shoqëria "izraelite" "Talon Ltd" është në pronësi të Heinrich Thomet. Ai nuk është një aksioner i thjeshtë pasi zotëron 70 për qind të kësaj firme dhe aktiviteti i saj është tregtia e armëve dhe impianteve të sigurisë. Vetë Heinrich Thomet ka shpjeguar për qeverinë zvicerane se ka krijuar shoqërinë izraelite me shpresën se me anë të saj do të ketë më shumë akses në tregun amerikan. "Nga tetori i vitit 2005 është marrë në punë ish- zyrtari i ushtrisë Shmuel Avivi dhe ai është në rolin e drejtorit të shoqërisë",- thuhet në përgjigjen e qeverisë zvicerane të asaj kohe. Por shteti izraelit ka pohuar se shumë shpejt do të hapet një hetim ushtarak në lidhje me aktivitetin e tij ushtarak. Zyrtarisht autoritetet zvicerane nuk dinë nëse shoqëria "Talon Ltd." ka dërguar apo jo armë në Irak ose Afganistan, të cilat kishin prejardhje Serbinë dhe Malin e Zi. Një tjetër pjesë ku implikohet Heinrich Thomet është një tjetër raport i Amnesty International për tregëtinë e armëve. Këtë herë bëhet fjalë për Afrikën dhe jo më Irakun ose Afganistanin. Në këtë raport ka një kapitull të veçantë për tregtarët nga Kroacia, Zvicra dhe Britania e Madhe. Firma që ka bërë trafikun në këtë rast është "Taos". Nënkontraktori i hetuar nga Amnesty International për këtë rast është Marius Joray Waffen, edhe ai shtetas zviceran. Ai zyrtarisht ka një dyqan të vogël armësh në kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë. Ky dyqan i vogël në dukje por me një numër tepër të madh armësh të shitura është në listën e distributorëve të "Brugger & Thomet", firmës së madhe zvicerane me pronar Heinrich Thomet. Ky i fundit rezulton i implikuar në një kontratë që ka të bëjë me firmën "Taos". Kjo firmë ka një kontratë të rregullt për të prokuruar armë për qeverinë amerikane, si në shumicën e rasteve kontrata është e rregullt por mënyra e gjetjes së armëve është tepër e dyshimtë. Në këtë rast ata kanë marrë një numër tepër të madh armësh në Bosnje. "Këto armë duheshin shkatërruar ose shitur",- ka qenë reagimi zyrtar i firmës në lidhje me prejardhjen e armëve. Por më pas Joray ka pranuar se është përfshirë në mënyrë "indirekte" në nisjen e armëve në mënyrë ilegale. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera. Për këtë hetim Amnesty International ka pasur fotografi që tregonin nisjen e dyshimtë të armëve.