Vrasja e policëve në Kukës, dështon seanca e parë
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda dështoi seanca e parë ndaj të akuzuarit për vrasjen e dy policëve në Kukës. Shkak për shtyrjen e seancës ka qenë mosparaqitja e avokatëve me prokurë të të pandehurit Afrim Hasanaj. Vrasja e policëve Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila ndodhi në muajin mars, pasi më parë blutë e Kukësit kishin bërë një kallëzim për Hasanajn. Ky i fundit u kap 12 orë pas ngjarjes, jo shumë larg vendit ku ndodhi vrasja në Shën Mëri të Kukësit. I pandehuri Hasanaj akuzohet për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit të veprës penale, Shkëlzen Dobrushi, “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj kallëzuesit Ramadan Hilaj, “shkatërrimit të pronës” së shtetasit Mentor Hila, “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë”, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, vepra penale të parashikuara përkatësisht nga nenet 79 germa “c” dhe germa “ç”, 150, 236/2 dhe 278/2 të Kodit Penal. Në këtë proces gjyqësor pritet të dëshmojnë 19 persona që kanë parë apo kanë dijeni për çështjen, ndërkohë që do të lexohen edhe deklarimet e dhëna më parë nga dy policët e vrarë.