Qeveria biznes me trafikantin e armëve Dëshmia e Patrick Henry: Tomei dhe firma MEICO bënin biznes bashkë
'Trafikanti' Tomei e Pinari sollën SAC në Shqipëri
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, në përfundim të hetimeve 12- mujore mbi ngjarjen tragjike të shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, ka zbardhur lidhjet e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, me zviceranin Henri Tomeit (Henrich Thomeit), i njohur ndryshe në botën e "trafikut të armëve" si "zoti i luftës", referenca e të cilit e solli kompaninë amerikane "SAC Inc" të punonte në Shqipëri.
Ky fakt është provuar nga institucioni i akuzës, mbi bazën e deklarimeve të presidentit të kompaninë "SAC Inc", Patrik Henry (Patrick Corneilos Henry) dhënë para agjentëve të FBI-së në SHBA, ku është marrë në pyetje për llogari të hetimeve shqiptare. Sipas kësaj dëshmie, nënvizohet fakti se ka qenë "zoti i luftës" ai që kishte njohje me ish-drejtorin e MEICO-s, të pandehurin Ylli Pinari që nga viti 1990, dhe kanë qenë referencat e tij të dërguar me postë elektronike në adresë të të pandehurit, që ka sjellë kompaninë "SAC Inc" në Shqipëri.
"Unë kontaktova me kompaninë "BT Internacional" (BTI) në Zvicër me president Henri Tomeit dhe i kërkova nëse ata kishin ndonjë municion, ose kishin dijeni për ndonjë municion të tepërt që duhej çmilitarizuar. Ata më informuan mua që kishte një stok të madh municioni, që kishte nevojë për çmilitarizim në Shqipëri, dhe më dha mua emrin e kontaktit Ylli Pinari në MEICO. Fillimisht Henrei Tomeit do të më takonte mua në Shqipëri dhe të më prezantonte ai me Ylli Pinarin, duke lënë të kuptohej se nëse ky adresim do të sillte punë për "SAC"-in firma e tij "BTI" do të merrte një tarifë për gjetjen e biznesit për referencën që bëri.
Megjithatë, në minutën e fundit, Henri Tomeit anuloi udhëtimin e tij për në Shqipëri dhe unë e takova vetë Ylli Pinarin sipas referimit të tij"-ka thënë ndër të tjera presidenti i "SAC"-it që n\kontraktoi firmën "Albademil" të Mihal Delijorgjit, e cila duke mos respektuar elementët më të vogla të sigurisë, solli shpërthimin e 15 marsit 2008, duke sjellë vrasjen e 26 personave dhe... gjykimin e mbi 300 të tjerëve. Sipas kësaj dëshmie, konfirmohet se ka qenë i pandehuri Pinari, i cili përveç njohjes me "zotin e luftës" dhe "punën" që ata dy kishin kryes pas viteve 1990, ka përgatitur të gjitha dokumentet apo ofertat që nën firmën e Henrit janë dorëzuar në Ministri të Mbrojtjes apo institucioneve të tjera, për të fituar tenderin e demontimit të municioneve të kalibrit të vogël.
Gjithashtu Henri tregon në dëshminë e tij se ka udhëtuar për në Tiranë, disa herë ku është takuar përveç me të pandehurin Pinari edhe me shtetasin Mihal Delijorgji, të cilin ia ka prezantuar vetë ish-drejtori i MEICO-së. "Kam shkuar në Shqipëri disa herë, ku fillimisht pas prezantimit me Ylli Pinarin, ky i fundit më ka propozuar që të kisha një partner shqiptar ndryshe puna ime në Shqipëri do të ishte e paligjshme dhe për këtë më njoftoi me Mihal Delijorgjin, si një njeri shumë i afërt me MEICO-n.
Ky person, sipas Pinarit, kishte çmilitarizuar tanke për MEICO-n dhe ishte i familjarizuar me drejtimin e këtij lloj biznesi në Shqipëri. Të gjitha takimet mes nesh janë kryer në restorante dhe bare, ku edhe kemi rënë dakord për fillimin e punës për demontim. Unë do sillja dhe solla vetëm makineritë, ndërsa, kontratat, çmimet, vendin e demontimit, dokumentet e nevojshme për kryerjen e kësaj pune, është kryer nga Pinari e Delijorgji, unë vetëm firmosja",-ka thënë ndër të tjera, Patrik Henri, në lidhje me kontratën e parë të qershorit 2007 të nënshkruar mes kompanisë së tij SAC dhe MEICO-s dhe më pas "Albademil".
Ndërsa, në kontratën e dytë të dhjetorit 2007 Henri ka shpjeguar se kishte pranuar të firmoste për të marrë vetëm të ardhurat e kontratës së parë, pasi sipas tij, kishte shantazh nga Pinari.