E Diel, 1 Nëntor 2026

Pinari më propozoi Selmanllarin që ta kisha si përfaqësues në Shqipëri

TIRANË- Miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Sali Berisha, shtetasi Rrahman Selmanllari, edhe pse nuk ka pranuar para Prokurorisë së Përgjithshme se ka qenë pjesë e ngritjes dhe funksionimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, dëshmia e presidentit të kompanisë "SAC", Partik Henri, dhe një autorizim i lëshuar prej tij e përfshinë atë në këtë skandal. Sipas dosjes së dërguar tashmë pranë Gjykatës së Lartë për gjykimin e 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në ish-repartin e tankeve, konfirmohet se shtetasi Selmanllari, i njohur ndryshe si "Rafi" ka qenë për disa kohë si përfaqësues i SAC-it në Gërdec.


Ky autorizim, sipas dëshmisë së presidentit të kompanisë amerikane SAC, është lëshuar me propozim dhe kërkesë të ish-drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari. "Sipas fax-it të datës 30 prill 2007 të lëshuar me firmën e presidentit të kompanisë amerikane 'SAC' Patrik Henri, shtetasi Rrahman Selmanllari është emëruar si përfaqësues i kësaj kompani në Gërdec, për të kryer punimet e ndërtimit të fabrikës së demontimit dhe eksperimentimin e makinerive të çmontimit të fishekëve",-thuhet nga prokuroria.


Ndërsa, vetë presidenti i SAC-it në lidhje me këtë autorizim është shprehur se "Unë nuk e njihja qytetarin shqiptar Rrahman Selmanllari dhe nuk e di pse ai u zgjodh. Emri i tij mu dërgua nga Ylli Pinari dhe ai më propozoi që të më përfaqësonte në Gërdec. Mesa di unë, këtë person nuk e kam takuar kurrë",-thuhet ndër të tjera në dëshminë e presidentit të SAC-it Henri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›