Firma piramidale, pranga dy biznesmeneve
Gezim Ashimi
Dy biznesmenet nga qyteti i Korces, te akuzuar si "arkitektet e nje skeme te re piramidale" jane prangosur mengjesin e djeshem nga policia e qytetit juglindor. Jani Lluka, 50 vjec dhe Ilia Nikolla, 56 vjec, jane ndaluar pas nje urdher-arresti te firmosur nga Prokuroria e Rrethit te Korces, i njejti institucion qe rreth nje muaj me pare vendosi pushimin e ceshtjes ndaj tyre. Por numri i madh i denoncimeve dhe fakte te reja, ne lidhje me aktivitetin e dy biznesmeneve, kane bere qe prokuroret e Korces te rihapin zyrtarisht hetimet.
Jani Lluka dhe Ilia Nikolla u shoqeruan mbremjen duke u gdhire dita e djeshme ne ambientet e Komisariatit te Policise se Korces. Ata u moren nga banesat e tyre ne qytetin juglindor, duke iu thene se duhet te jepnin sqarime ne lidhje me denoncimet kunder tyre. Nder pohimet e pakta, qe ata kane bere ne oret e para te mengjesit te djeshem, ka qene pretendimi se nuk kane marre hua ne sasi te medha parash dhe se do te donin te vazhdonin aktivitetin per te shlyer parate e marra borxh. Por Prokuroria e Korces nuk u ka besuar dy bashkepronareve te firmes "Inter Konfeksion", ndaj te cileve ditet e fundit ka vershuar nje "lume" denoncimesh.
Burime nga Prokuroria e Rrethit te Korces bejne te ditur se ndaj Jani Llukes dhe Ilia Nikolles ka filluar procedimi penal, me akuzen se kane mashtruar me shume se disa persona ne bashkepunim, ne shuma te medha dhe me pasoja te renda. Ndersa ndaj tyre eshte nxjerre urdhri i arrestit, ne ditet e ardhshme ata do te paraqiten perpara Gjykates se Rrethit te Korces per vleresimin e mases se sigurise. Sipas akuzes, arrestimi i Llukes dhe Nikolles ka shenuar fundin e nje aventure financiare, qe ka funksionuar ne formen e skemes piramidale.
Skema qe funksiononte prej vitesh
Ne njoftimin zyrtar te Drejtorise se Policise se Qarkut te Korces thuhet se arrestimi i Jani Llukes dhe Ilia Nikolles ka ardhur "pasi keta persona kane mashtruar Dylber Gjiritin dhe Arjan Terollin, duke iu marre shumen prej 25000 USD dhe 1 milion leke te reja". Sipas policise, denoncimi i ketyre qytetareve ka bere qe te fillojne hetimet nga Sektori i Antikrimit Ekonomiko-Financiar ne DPQ Korce. Nje zyrtar i policise se Korces tha se nga verifikimet paraprake rezulton qe kjo skeme piramidale ka funksionuar prej 3-4 vitesh ne qytetin e Korces, por ende nuk deklarohen shumat e parave qe dy biznesmenet kane marre ne forme huaje dhe me perqindje te larte te kthimit te interesave.
Si u rrezua piramida e Korces
Tashme nga policia e Korces dhe organi i akuzes flitet hapur per nje firme piramidale, e cila funksiononte sipas skemes se viteve 1993-97. Rrenimi i tyre financiar, sipas huadhenesve, ka filluar qe nga muaji shtator i vitit te kaluar, kur nuk ishin me ne gjendje te kthenin interesat e larte te huave qe i kishin marre me kontrata noteriale, deklarata te thjeshta apo edhe me marreveshje gojore. Nderkaq, ne fundin e vitit te kaluar, shenjat e nje ecurie jo te mire te aktivitetit te tyre privat ne prodhimin e konfeksioneve, jane shfaqur me nje proteste, qe coi ne greven e punonjeseve te rrobaqepesise se tyre, te cilat deklaruan se nuk kishin marre prej 3-4 muajsh rrogat. Dy biznesmenet pretenduan atehere se i kishte demtuar konkurrenca e pandershme dhe se kishin investuar nje kapital te madh per ngritjen e nje fabrike te re te prodhimit te konfeksioneve. Ne kete menyre, ata premtonin vazhdimisht kthimin e parave, duke vazhduar nderkaq te kerkonin hua te tjera.
Shperthimi i skandalit, kreditoret ne radhe
Rrenimi i aktivitetit te firmes "Inter Konfeksion" prej disa ditesh ka vene ne radhe kreditoret, te cilet kerkojne sekuestrimin e pronave te dy biznesmeneve, me qellim qe te sigurojne te pakten nje pjese te kapitalit te investuar. Sipas te dhenave nga grupi hetimor, disa prej tyre kane dorezuar parate kundrejt garancive hipotekare, qe iu kane dhene Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, ndersa shume te tjere rrezikojne te marrin vetem ndonje "therrime". Nderkohe, policia e Korces ka bere te ditur se ende nuk ka veprime ligjore nga ndonje prej bankave, ku dy biznesmenet kane marre hua ne shuma te medha. Ndersa pritet reagimi i institucioneve bankare, ne radhe pritet te vihen edhe punonjesit e rrobaqepesise, te cilet kane disa muaj pa marre pagat, si dhe inspektoret e Deges se Tatim-Taksave, te cileve firma "Inter Konfeksion" iu detyrohet 8 milione leke. Tashme pritet te vendoset sekuestrimi i fabrikes se prodhimit te konfeksioneve, nje nga te paktat prona te rendesishme te Llukes dhe Nikolles, te cilat jane ende jashte garancive hipotekare.