E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derëmbylluri i kongresit të mbyllur

Me vendimin për mbajtjen e kongresit me dyer të mbyllura, Edvini ka shpallur të mbyllur procesin e rekrutimit të të gjithë zhapikëve të nomenklaturës, kryesisht ylberistë e politikanë-zulu të brezit të dytë.
Si në bashki apo tek mbledhjet e Cosa Nostra-s, në sallë do të jenë në shumicë “gorillat” e tij, por edhe malavitozët që do të sjellin me vete ruçët, dadet, braçet e doklet, të gatshëm për të likuiduar menshevikët e Ben Blushit.
Derëmbyllurit i ka ardhur “zëri nga lart” për likuidimin politik të të gjithë atyre që kanë ardhur në parti para tij, por kar rrezik që sherrbudallenjtë e politikës të mos e kuptojnë mirë fjalën e të nisin edhe një spirale destabilizimi fizik, në partinë kryesore të opozitës

Derëmbylluri i Partisë Socialiste nuk mund të sillet ndryshe veç si humbësi i përjetshëm, si sherrbudallai që është i vendosur të marrë me vete të gjithë ngrehinën e PS-së, të dëmtuar rëndë nga katastrofa e 28 qershorit. Edhe pse ndenji katër vjet si bujtës në selinë e partisë, derëmbylluri Edvin nuk mundi kurrë të ngrihej në lartësinë e liderit të partisë. Ai s’pati as karizmën, as modestinë e as mençurinë e liderit, prandaj edhe socialistët e Vlorës i patën vënë Edvinit që herët nofkën “derëmbylluri”. Ç’na ra për pjesë edhe ky derëmbyllur, ishte refreni i holleve të asambleve socialiste, por në fakt nofka nuk qe krejt e vërtetë. Ajo qe veç përgjysëm, pasi Edvini ishte derëmbyllur për historinë e re të PS, ishte derëmbyllur për vijimësinë e asaj rruge të mbështetjes së reformave për integrimin e vendit në NATO e në BE, ishte derëmbyllur për pastrimin e strukturave të trashëguara nga nikotina politike e diktaturës.
Por derëmbylluri i reformave ishte një sherrbudalla i madh i politikës, pasi ai s’reshti përpjekjet derisa risolli të gjithë zhapikët, mbetjet, njollat e pinjollët rakitikë të nomenklaturës. Pasi i gjeti ata - ku ishin e ku s’ishin -  të strukur që të mos zbuloheshin nga vlaga e dekomunistizimit, por edhe të mimetizuar në botën ekonomike që përgatitej të merrte edhe pushtet politik, po t’i vinte rasti, Edvini i solli të gjithë në partinë e vet. I futi në partinë që dikur kishte qenë e të gjithë majtistëve, socialkomunistëve, por edhe socialdemokratëve... nuk i futi nga dera, pasi derëmbylluri është specialist për të mbyllur dyer. Nëpër dritare, trarë e deriçka partiake mbinë zulutë e nomenklaturës komuniste, të cilët rrakitikë e brezdytë siç ishin u shfaqën me emra e me mbiemra të rinj, por pati edhe nga ata rondokopë që e kishin për krenari të deklaronin se ishin nga e njëjta racë e keqe, që e ushqeu diktaturën për 50 vjet me energjinë negative që u buronte nga dejet.
Derëmbylluri i PS-së u konfirmua deri në fund si një sherrbudalla i rëndësishëm, teksa shpalli se po dëgjonte “zëra nga lart”, të cilët i thonë të mos e lëshojë partinë, sepse ajo tashmë ishte e tija dhe e zuluve brezdytë të nomenklaturës, zëra që i japin mesazhin se duhen likuiduar politikisht të gjithë ata që kanë qenë në parti përpara tij... por zëri i lartë më i fundit, e ndoshta ndër më vendimmarrësit ka qenë zëri që e urdhëronte derëmbyllurin të mbante një kongres me dyer të mbyllura, krejt si kongreset e merhumit, krejt si shfaqjet e cosa nostra-s, por edhe njëlloj si mbledhjet në bunkerin-bashki.
Përvoja i tregon derëmbyllurit se në mbledhje me derë të mbyllur nuk ka surpriza. Aty janë edhe gorillat e tij, aty janë edhe malavitozët që do të sjellin me vete ruçët, dadet, braçet e doklet, aty janë edhe ylberistët e rinj, aty janë edhe zulutë-kamikazë. Të gjithë janë aty e janë shumicë, të gatshëm të zbatojnë përvojën historike të bolshevikëve ndaj menshevikëve.
“Zëri nga lart” i paradyditëve, ka folur për likuidimin e një partie politike, ndoshta jo krejt trashëgimtare e 70 viteve histori, por e 18 viteve po. Nga goditja e 28 qershorit duhet të dalë një parti krejt e re, një parti krejt private, një parti e nomenklaturës së brezit të dytë, dhe aksidentet që mund të jenë ende në të, kryesisht në historinë e re 18 vjeçare duhen likuiduar. Kuptohet “zëri nga lart” s’ka folur për detaje dhe për momentin e presupozojmë se likuidimet janë politike. Por në mos ndodhtë ky realitet, në paçin ndërmend menshevikët të rezistojnë e të ndërmarrin nisma të tilla - siç po dëgjojmë këto kohë - për grupe të veçanta parlamentare, fraksion të strukturuar e politikë të pavarur, derëmbylluri është aty, sherrbudalla si gjithmonë dhe i gatshëm të angazhojë gorillat, malavitozët e zulutë-kamikazë (ylberistët po i kursejmë për këtë raund) për likuidime edhe të natyrave të tjera.
Me vendimin e pardjeshëm të kryesisë është shënuar me të vërtetë një kthesë e rëndësishme dhe Derëmbylluri, me kongresin e mbyllur po nis likuidimin e mirëfilltë të trupave të huaj në PS (menshevikëve po i quajmë). Është një moment që do kujdes, siç meritojnë kujdes vendimet e fuqishme e të papritura të të gjithë sherrbudallenjve, në të gjitha fushat ku gjallojnë si aksidente...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›