E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra kundër Interit, Kaka kundër Milanit



Përballjet e dyfishta Barcelona-Inter dhe Real Madrid-Milan për ndeshjet në grupe të Ligës së Kampioneve, përveç sfidave ezkaltuese midis shkollës italiane të futbollit me atë spanjolle, kanë dhe duele intriguese, ato midis suedezit Zlatan Ibrahimoviç të Barçës me ish-ekipin e tij zikaltër, Interit, dhe brazilianit Riki Kaka të Realit të Madridit me ish-skuadrën e tij, Milanin.
Një aromë të veçantë në përballjen ndaj kampiones në fuqi të Europës, Barcelonës, do të ripërjetojë trajneri i Interit, Hoze Murinjo, i famshëm për polemikat kundër formacionit katalanas, kur portugezi drejtonte Çelsin.

IBRA - Interi nuk e fiton Ligën e Kampioneve prej 44 vjetësh, që nga edicioni 1964-1965, dhe synimi i kampionëve të Italisë është pikërisht “kupa me veshë”. Barcelona, që i shkëputi zikaltërve një sulmues me peshë si Zlatan Ibrahimoviçi (tre tituj të Serisë A me zikalërit), është sërish favorite pët ta mbrojtur titullin, por të gjithë besojnë se në “San Siro”, Ibrën do ta presë një tifozeri plotësisht kundër tij. Bashkë me Interin e Barcelonën, në grupin F janë edhe dy skuadra ish-sovjetike, rusët e Rubin Kazanit dhe ukrainasit e Dinamos së Kievit.

KAKA- Braziliani Riki Kaka, i larguar më shumë për motive financiare nga Milani, e që së fundi vizitoi Milanelon, ku u prit miqësisht, pret t’i rezervohet një atmosferë respektuese në stadiumin e Milanos. Sfida midis Realit të Madridit e Milanit, dy skuadrave që e kanë fituar më shumë herë Ligën e Kampioneve, respektivisht 9 dhe 6 herë, është shumë intriguese pasi kundër Kristiano Ronaldos e Kakasë do të jenë Ronaldinjo e Inzagi. Grupi C kompletohet me francezët e Olimpikut të Marsejësë dhe zviceranët e Zurihut.

TË TJERËT- Në grupin A, përballjet priten të vështira, pasi për dy vendet e para luftojnë dy gjigantë, Bajerni i Munihut e Juventusi, të shoqëruar nga kampionia e Francës, Bordo. Izraelitët e Makabi Haifës kompletojnë grupin. Në grupin B, finalistët e vjetshëm, Mançester Junaitid, do të përballet me CSKA-në e Moskës, Beshiktashin turk dhe kampionin në fuqi të Gjermanisë, Volfsburgun. Çelsi i Karlo Ançelotit do të përballet në Grupin D me Porton, një kundërshtar që e njeh mirë, spanjollët e Atletikos së Madridit dhe ekipin surprizë, qipriotët e Apoelit.
Në grupin E, Liverpuli do të përballet me Lionin, Fiorentinë e hungarezët e Debreçenit. Grupi G përbëhet nga Sevilja, Rejnxhërs
Shtutgart dhe rumunët e Unirea Urziceni. Arsenali në grupin H do të përballet me holandezët e Alkmarit, grekët e Olimpiakosit dhe belgët e Standardit të Liezhit.

“Big 4” shmangin Ronaldon

Katër ekipet e mëdha angleze që marrin pjesën në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, Mançester Junaitid, Çelsi, Liverpuli dhe Arsenali janë të lumtura që shmangën përballjen me gjigantin spanjoll, Realin e Madridit, ku bëjnë pjesë yje të tillë si Kristiano Ronaldo, Kaka, Benzema e Ksavi Alonso.

Surprizat e “vogla”

Tashmë janë pjesë e 32 ekipeve më të mira të Europës për këtë edicion, por pa asnjë mëdyshje qipriotët e Apoelit, rumunët e Unirea Uriziçenit, rusët e Rubin Kazanit dhe hungarezët e Debreçenit, mund të konsiderohen surpriza e këtij sezoni të kompeticionit më prestigjioz evropian të klubeve.

Altin Haxhi, shqiptari i Champions-it

Altin Haxhi, mesfushori i majtë i Apoelit të Qipros, është dhe lojtari i vetëm që përfaqëson Shqipërinë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Bashkë me Haxhin do të jetë edhe Foto Strakosha, por ish-kapiteni i Kombëtares bën pjesë në stafin e Apoelit, në rolin e trajnerit të portierëve. Sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve, Lorik Cana me fanellën e francëzëve të Olimpikut të Marsejës dhe Arjan Beqaj me atë të qipriotëve të Anorthosis ishin dy përfaqësuesit e Shqipërisë. Mesfushori Cana shënoi një gol kundër Liverpulit, ndërsa portieri Beqaj ishte protagonist me pritjen e tij në përballjet kundër Interit.

Grupi A
Bajern Munih
Juventus
Bordo
Makabi Haifa

Grupi B
Mançester Junaitid
CSKA Moskë
Beshiktash
Volfsburg

Grupi C
Milan
Real Madrid
Marsejë
Zyrih

Grupi D
Çelsi
Porto
Atletiko Madrid
Apoel

Grupi E
Liverpul
Lion
Fiorentina
Debreçen

Grupi F
Barcelona
Inter
Dinamo Kiev
Rubin Kazan

Grupi G
Sevilja
Rejnxhërs
Shtutgart
Unirea Urziceni

Grupi H
Arsenal
AZ Alkmar
Olimpiakos
Standard Liezh

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›