Firmat e pastrimit të qytetit nuk respektojnë kontratën
Zonat periferike të qytetit shpeshherë zgjohen me imazhin e zymtë që japin kazanët me plehra të pazbrazura. Megjithëse në pastrimin e Tiranës Bashkia ka marrëveshje me 6 firma pastruese, duket se këto të fundit nuk e kryejnë detyrën ashtu siç duhet. Fundjava është koha më e përshtatshme për t’i bërë bisht punës për pastrimin e qytetit. Ndërkohë që në rregulloren e mirëmbajtjes dhe pastrimit të qytetit parashikohet larja e vazhdueshme e kontenierëve për të mos krijuar ndotje të ambientit dhe shmangien e erës së keqe. Duhet thënë se larja e kontenierëve nuk është vënë re asnjëherë nga qytetarët, ku punonjësit e firmave nuk e marrin parasysh këtë kriter të marrëveshjes. Gjatë stinës së verës mikrobet dhe ajri i ndotur që mund të thithet nga plehrat e hedhura, janë më të predispozuara për të vepruar dhe për të përhapur një sërë sëmundjesh. Në këtë mënyrë, banorët e kryeqytetit ndihen të rrezikuar nga marrja e infeksioneve të ndryshme. Nëpërmjet ajrit dhe kontakteve të drejtpërdrejta që kanë me njerëzit apo me fëmijët e vegjël. Fëmijët e vegjël janë një kategori tjetër që janë të rrezikuar nga kjo situatë, pasi ata luajnë pranë kontenierëve pa e ditur se çfarë rrezikojnë. Kontrata mes bashkisë dhe firmave private i parashikon të gjitha mënyrat për të pasur një qytet të pastër dhe për mirëmbajtjen e lagjeve të kryeqytetit. Firmat kontraktuese me Bashkinë e Tiranës kanë vendosur disa rregulla për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët. Në marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët parashikohet pastrimi 2 apo 3 herë në ditë i kazanëve të plehrave si dhe dezinfektimi i tyre. Por, dezinfektimi i kazanëve duket se nuk bëhet asnjëherë, pasi gjithçka duket nga era e ndotur e kontenierëve. Njëkohësisht, marrëveshja parashikon grumbullimin dhe transportim e mbetjeve urbane dhe tregjeve, fshirje dhe larje të rrugëve dhe trotuareve, larje speciale e rrugëve, pastrim i territoreve urbane me punëtorë dhe fshesë, larje dhe dezinfektim i kontenierëve. Po kështu, parashikohet që të bëhet grumbullimi dhe transportimi i mbetjeve inerte dhe të vëllimshme, mirëmbajtja e vend grumbullimeve të mbetjeve gjatë ditës, si dhe mirëmbajtja e rrugëve kryesore në kryeqytet.
11 Qershor 2009