E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu bankar me probleme, në 3 muaj rritet me 7.55 kreditë me probleme

Në muajin shkurt kredia me probleme arriti nivelin 7.77 për qind. Sektori imobiliar ka shfaqur më tepër probleme për bankat

Tregu bankar në Shqipëri ka paraqitur probleme të ndryshme gjatë tre mujorit të parë të vitit 2009, ku ai më kryesori është rritja e portofolit të kredive me probleme. Analiza e fundit e dalë dje nga mbledhja e Këshilli Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka dhënë qartë situatën kritike në të cilën ndodhet aktualisht sektori bankar vendas, me gjithë mundësitë pozitive që paraqet situata në vijim. Rritmi i rritjes së kredive me probleme është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit në 19.73 për qind. Raporti “kredi me probleme/teprica e kredisë” përllogaritet në nivelin 7.55 për qind krahasuar me 6.64 për qind në fundvitin 2008. Ky tregues regjistroi nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit në muajin shkurt të vitit 2009, kur arriti nivelin 7.77 për qind. Cilësia e kredive vijon të shfaqet më problematike për bizneset. Gjithashtu, portofoli i kredive në lekë vijon të jetë më problematik në drejtim të cilësisë së tij kundrejt portofolit te kredisë në valutë. Ndërkohë, analiza e cilësisë sipas degëve të ekonomisë, dallon në mars ’09 si degët më problematike ato të “pasurive të paluajtshme dhe dhënia me qira”, “industria përpunuese”, ”peshkimi” të cilat zënë një peshë thuajse të papërfillshme ndaj totalit te portofolit të kredive, përjashtimisht kredisë për industrinë përpunuese. Ndryshe nga tremujori paraardhës, portofoli i kredive këtë tremujor, dallon për ritmin më të lartë të rritjes së kredisë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve. Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë (biznese dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, në fund të tremujorit të parë të vitit, ashtu sikundër edhe në fundvitin 2008, dallon peshën më të madhe të kredisë për “investime në pasuri të paluajtshme” dhënë individëve me 23.3 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga “overdraftet” për bizneset me 20.7 për qind të totalit. Ndërsa, norma më e lartë e rritjes konstatohet për kredinë dhënë individëve për konsumin e mallrave jo të qëndrueshëm pasuar nga kredia për “overdraft” dhe ajo për kapital qarkullues dhënë bizneseve.

Ritmi i kredisë

Ritmi i rritjes së kredisë vlerësohet rreth 5.25 për qind apo 20.84 miliardë lekë, kundrejt rritjes me 5.07 për qind (19.14 miliardë lekë) një tremujor më parë. Në bazë vjetore (mars’08-mars’09) vërehet rritje në nivelin 33.3 për qind apo 104.3 miliardë lekë. Megjithatë, rritja vjen kryesisht nga ndikimi i kursit të këmbimit. Analiza e kredisë në monedhë origjinale tregon për rënie të kredisë në valutë në monedhat kryesore. Kjo do të thotë se në mungesë të ndryshimit të kursit të këmbimit, kredia në total u rrit 2.94 miliardë lekë, ose 0.74 për qind. Dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave edhe këtë tremujor, dallon rritjen më të madhe të kredisë në lekë. Kredia në lekë u rrit 6.88 për qind dhe kredia në valutë u rrit 4.64 për qind kundrejt rritjes respektivisht prej 9.4 për qind dhe 3.5 për qind një periudhë më parë. Bankat e mëdha vlerësohet të kryejnë mbulim më të mirë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit që shoqëron kredinë në valutë kur të ardhurat e kredimarrësit janë në lekë, krahasuar me bankat e mesme dhe bankat të vogla të sistemit.

Tërheqja e depozitave

Fenomeni i tërheqjes së depozitave, i cili u shfaq fillimisht gjatë muajit tetor 2008, ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Në fund të marsit totali i depozitave të sistemit paraqitet 634.5 miliardë lekë, 2.5 për qind më pak krahasuar me fundin e vitit. Gjithashtu, që nga muaji tetor, muaji mars 2009 përbën muajin me rënien më të vogël. Bazuar në të dhënat operative, për periudhën 1 prill 2009 deri në 08 qershor 2009 rezulton se depozitat në tre monedhat kryesore kanë shfaqur rritje. Depozitat në lekë tregojnë një rritje prej 3 për qind, depozitat në euro 0.2 për qind dhe ato në usd 0.3 për qind. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rregullator vazhdon të jetë ende i lartë në nivelin 17 për qind, krahasuar me nivelin minimal të kërkuar 8 për qind që buron nga standardet ndërkombëtare. Treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” duket të jetë rritur gjatë tremujorit të parë të vitit në 4.3 pikë përqindje më e lartë krahasuar me dhjetorin 2008. Rritja e treguesit vjen nga rënia e depozitave nga klientët, ndërsa portofoli i kredisë ka vijuar rritjen. Vlerësimi i përshtatshmërisë së aktiveve likuide të sistemit tregon se ato janë të mjaftueshme për të mbuluar rënien e nivelit të depozitave sipas disa skenarëve.

BSH: Deficiti tregtar u tkurr me 11 milionë euro

Deficiti i tregtisë së mallrave u tkurr me 11 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 dhe u vlerësua në 516 milionë euro nga 527 milionë euro në tremujorin e parë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë. Në raportin e publikuar dje mbi tregtinë ndërkombëtare, Banka Qendrore evidenton faktin se flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 247 milionë euro, duke financuar rreth 74% të deficitit korent. Duke vlerësuar efektet e krizës financiare ndërkombëtare, Banka Qendrore vëren se transaksionet ose shkëmbimet tregtare, gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 regjistruan rreth 1.930 milionë euro, duke qenë 7% më të ulëta se një vit më parë. Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe, rreth 61% e shpenzimeve korente kanë shkuar për financimin e importeve të mallrave, ndërkohë që hyrjet valutore janë siguruar nga eksportet.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›