Materniteti, rikujton vizitën çiftit Bush dy vjet më parë
Stafi i Maternitetit “ Mbretëresha Geraldinë” rikujtoi vizitën e ish-presidentit Amerikan Xhorxh Bush dhe bashkëshortes së tij, Laura Bush. Vizita e çiftit presidencial, dy vjet më parë në vendin tonë, vazhdon të lejë gjurmë, veçanërisht në ato institucione, të cilat patën rastin të prisnin çiftin amerikan. Në një ceremoni përkujtimi dhe nderimi për mesazhin që ata përcollën, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë. Në këtë eveniment, është zbuluar dhe një pllakë simbolike, me një mbishkrim të shkëputur nga fjala e ish zonjës së parë Laura Bush. “Ne kemi vendosur dhe një thënie të zonjës Bush gjatë kësaj vizite, që unë e admiroj punën e shkëlqyer në spitalin “Mbretëresha Geraldinë”. Ne e hoqëm këtë fragment, në mënyrë që le të jetë një motiv më shumë në punën tonë të përditshme dhe le të jetë një objektiv që ne duhet ta arrijmë në përmirësimin e kushteve karshi nënës dhe fëmijës”,- u shpreh Halim Kosova, Drejtor i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Ndërsa përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane, Biks Aliu, ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi me institucionet shqiptare, e në veçanti me këtë maternitet, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas përfaqësuesit të Ambasadës Amerikane, ky institucion tashmë ka përmbushur standardet e një spitali europian, që ofron kushte të mjaftueshme për shëndetin e nënës dhe fëmijëve.
11 Qershor 2009