E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi financiar për ish-pronarët, si do të ndahen 600 milionë lekë

Hyn në fuqi vendimi për ndarjen e fondit për vitin 2009 nga AKKP-ja. Nga 15 qershori deri më 14 korrik vazhdojnë aplikimet për kompensim

Ervin KOÇI

Për 30 ditë, duke filluar nga 15 qershori të gjithë ish-pronarët që nuk kanë përfituar nga kompensimi financiar i këtyre viteve mund të nisin aplikimet. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të jetë institucioni që do të pranojë të gjitha aplikimet e subjekteve, si dhe më pas do të merret me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Qeveria ka miratuar një fond të ri për kompensimin e ish-pronarëve të shpronësuar në vite, duke ngjallur edhe një herë shpresën e kësaj kategorie për të përfituar. Vetëm dy ditë më parë nëndrejtori i AKKP-së, bëri të ditur detajet në lidhje me kompensimin financiar të këtij viti. Sipas tij, AKKP-ja fillon procedurat për pritjen e kërkesave dhe regjistrimin e tyre ditën e hënë datë 15 qershor dhe vazhdon deri më 14 korrik, pra 30 ditë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas nëndrejtorit të AKKP-së, Genci Çelo, subjektet që do të përfitojnë nga ky kompensim nuk duhet të kenë përfituar nga kthime dhe kompensime të mëparshme dhe njëkohësisht nuk duhet të kenë përfituar nga shpërndarja e tokës sipas ligjit 7501. Kompensimi për përfituesit do të kryhet deri në 200 metra katror truall sipas vlerës së tregut.

Kush përfiton

Për këtë proces kompensimi mund të aplikojë kushdo që nuk ka bërë asnjëherë aplikim gjatë viteve të mëparshme. Sipas AKKP-së, subjektet e interesuara duhet të paraqesin dokumentacionin si vijon: vendimet e komisioneve së bashku me planvendosjen përkatëse, aktin e trashëgimisë, si dhe prokurën e posaçme. Sipas AKKP-së, “personat që kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitin 2008 dhe nuk kanë përfituar për shkak të mbarimit të fondit të kompensimit, ata do të kenë më pak dokumentacion për të paraqitur. Ata do të plotësojnë vetëm formularët”. Ky është viti i pestë që në buxhetin e shtetit parashikohet fond për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për këtë vit pritet që të kompensohen financiarisht rreth 150 ish-pronarë, nga 600 që nuk përfituan vitin e kaluar. Procedurat e aplikimit janë të hapura edhe për ata qytetarë që nuk përfituan nga aplikimi i një viti më parë, por edhe për gjithë të interesuarit e tjerë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë më parë në këtë proces. Për ata që ishin të listuar në vitin 2008 dhe që nuk u shpallën fitues, aplikimi do të jetë vetëm me një kërkesë të thjeshtë pranë zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Vendimi

Sipas vendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i ligjit nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet”, - thekson vendimi i qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar. Në të njëjtën kohë, personat që kanë dokumentacion të mangët sa i përket hartografive, mund të paraqiten në çdo moment pranë kësaj agjencie me një kërkesë për saktësimin e hartave. Vetëm kështu ata mund të kenë mundësi që të riklasifikohen për t’u trajtuar me kompensimin financiar të radhës.

Programi

Rreth 2,1 miliardë lekë parashikon të shpenzojë Qeveria deri në 2011-n për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Në programin buxhetor afatmesëm, theksohet se nga viti në vit shifra e ish-pronarëve që do të përfitojnë të holla do të jetë rreth 500, ndërsa fondet do të shtohen rreth 100 milionë çdo vit. Në vitin 2009 kjo shifër është miratuar tashmë në vlerën 600 milionë lekë të reja, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2011 plot 800 milionë lekë do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›