E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për rritjen ekonomike, qeveria nuk kishte asnjë informacion për krizën

Në vitin 2008 Ministria e Financave hartoi tabelën e parashikimeve për vitet 2009-2011. Ndërsa kishte nisur krisja financiare, në Tiranë parashikohej rritje ekonomike

Habjon Hasani
Tabela në krah tregon se si e parashikonte Ministria e Financave rritjen ekonomike të vendit deri në vitin 2011. Ky parashikim (në formë raporti) i Ministrisë së Financave është kryer në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, pikërisht në kohën kur kriza financiare kishte nisur efektet e saj të para dhe kur institucionet shqiptare nisën të sinjalizoheshin për efektet e mundshme të kësaj krize mbi ekonominë e Shqipërisë. Por duket se për zyrtarët tanë nuk kishte asnjë rëndësi se çfarë ndodhte në sistemin bankar botëror, Shqipërinë e priste zhvillimi i pandalshëm. Koha kur është bërë ky parashikim përkon ekzakt me nisjen e problemeve për sektorin e ndërtimit, i cili nuk po kreditohej më nga bankat shqiptare, ndërsa vetë shteti po kreditonte vetëm ndërtimin e aksit “Rrëshen-Kalimash”, paratë e të cilit depozitoheshin dhe qarkulloheshin në bankat jashtë vendit, atje ku ”Bechtel” ka sanksionuar pasuritë e saj. Ajo që bën më shumë çudi në këtë tabelë është fakti se ekspertët dhe zyrtarët më të lartë të vendit kanë parashikuar që deri në vitin 2011 rritja ekonomike jo vetëm që nuk do të bjerë në nivelin 6 për qind, por pas vitit 2010 kjo rritje nuk do të zbresë nën 7 për qind. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se rritja për vitin 2009 dhe vitin 2010 do të jetë diku te 3.4 për qind, përkundër deklaratave të institucioneve ndërkombëtare që na faturojnë një rritje prej 0.34 përqindësh.
Raporti
”Shqipëria, një prej pak vendeve që kanë pasur një rritje ekonomike të lartë e të
Qëndrueshme, prej rreth 6 përqindësh, për më tepër se 5 vjet është duke kaluar një
‘momentum’ pozitiv ekonomik. Kjo konfirmohet më së tepërmi me performancën e ekonomisë gjatë këtij viti, ku me gjithë problemet në energjinë elektrike, rritja ekonomike pritet të jetë të paktën 6 për qind. Krahas progresit teknologjik e reformimit strukturor të ekonomisë, implementimi gjatë këtij dyvjeçari i një sërë politikash e reformash efikase makroekonomike, të orientuara qartë nga ‘filozofia’ e stimulimit të rritjes ekonomike nëpërmjet nxitjes së ofertës agregate, i kanë dhënë një shtysë mjaft të fortë ekonomisë”, - shkruhet në raportin e vitit 2008. Sipas këtij raporti, ndjekja e politikave makroekonomike të mirëplanifikuara e të mirëkoordinuara dhe thellimi i mëtejshëm i reformave ekonomike, krahas progresit teknologjik, akumulimit të kapitalit e
ristrukturimit të ekonomisë drejt një ekonomie gjithnjë e më eficente, do të sigurojnë që
kjo ecuri ekonomike të vazhdojë e tillë edhe në të ardhmen afatmesme. ”Norma e parashikuar e rritjes reale ekonomike për katër vitet e ardhshme vlerësohet të jetë në nivelet mbi 6 për qind, duke arritur 7 për qind në vitin 2010. Një nga faktorët dhe politikat kyçe të qeverisë, që do të mbështesin perspektivën e rritjes ekonomike e të zhvillimit social në një ambient makroekonomik të qëndrueshëm gjatë periudhës afatmesme 2008-2011, do të jetë: besimi i biznesit po rritet vazhdimisht si rezultat i stabilitetit makroekonomik dhe i progresit drejt integrimit në Bashkimin Europian”, - shkruhet e zeza mi të bardhë në raportin e Ministrisë së Financave.
Buxheti
Duke u nisur nga koeficienti i rritjes ekonomike, Ministria e Financave ka bërë dhe parashikimin e të ardhurave deri në vitin 2011. Duke u bazuar në një koeficient që rezultoi i fryrë (si pasojë e efektit të krizës), rrjedhimisht edhe parashikimi për madhësinë e buxheteve deri në vitin 2011 nuk mund të ishte i saktë. Vetë kjo ministri deklaron se parashikimi buxhetor është bërë mbi koeficientin e rritjes ekonomike. ”Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën 2009-2011 janë parashikuar duke u bazuar në kuadrin makroekonomik të paraqitur më sipër. Gjatë kësaj periudhe trevjeçare parashikohet një rritje me ritme të qëndrueshme të të ardhurave në përqindje ndaj PPB, nga 27.1 për qind ndaj PPB në vitin 2009 (ose 319.4 miliardë lekë), 27.6 për qind në vitin 2010 (ose 356 miliardë lekë) dhe 27.8 për qind ndaj PPB në vitin 2011 (ose 394,4 miliardë lekë) krahasuar me 26.4 për qind e PPB në vitin 2008 (283,6 miliardë lekë) ose me 27 për qind PPB së buxhetit të vitit 2007. Kjo rritje graduale, por e qëndrueshme, e të ardhurave totale ndaj PPB vjen si rezultat i efekteve pozitive që parashikohen të merren nga reduktimet e konsiderueshme të normave të tarifave që janë aplikuar gjatë 2 viteve të fundit, si dhe së fundi me ndryshimet thelbësore fiskale që u bënë në paketën fiskale të korrik 2007-s, me aplikimin e taksës së sheshtë. Parashikohet që këto reforma në vitet në vijim të japin efektet e tyre pozitive në buxhetin e të ardhurave totale”, - shkruhet në raport.

Raporti i Ministrisë së Financave: “Sa taksa do mbledhim deri në vitin 2011”

Për tatimin mbi të ardhurat personale parashikohet që gjatë tre viteve të ardhshme të kemi një rritje të vazhdueshme të bazës tatimore, duke pasur të pandryshuar normën e tatimit mbi të ardhurat personale, e cila ndryshoi në korrik 2007 me aplikimin e taksës së sheshtë prej 10 përqindësh. Parashikimi i të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale do të ruajë trendin historik dhe kryesisht do të bazohet në përmirësimet administrative. Për vetë natyrën e kësaj takse, parashikohet:
• Një rritje konstante e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, me një
përqindje konstante rreth 1.6 për qind e PPB për të tre vite, 2009-2011, krahasuar me
1.3 për qind të PPB në vitin 2007 dhe 1.5 për qind të PPB në vitin 2008. Në shifra nominalë rritja do të jetë nga 16.2 miliardë lekë në vitin 2008 në rreth 23.3 miliardë lekë në
vitin 2011.
• Aspektet makroekonomike, si: rritjen ekonomike prej 6.5 përqindësh në vitin 2009, 7 për qind në vitin 2010 dhe 7 për qind në vitin 2011, si dhe një normë konstante inflacioni përgjatë periudhës prej 3 përqindësh.
• Përmirësimet administrative dhe efekti i politikës së zbatimit të taksës së sheshtë
janë parashikuar me rreth 4.7 për qind në vitin 2009, 5.7 për qind në vitin 2010 dhe 4.2 për qind në vitin 2011.

Gjatë periudhës trevjeçare, niveli i taksave nacionale do të jenë subjekt rishikimi dhe parashikimi i të ardhurave bazohet te:
• trendi historik i vjeljes së këtyre të ardhurave;
• mbajtja e një niveli konstant inflacioni prej 3 përqindësh;
• përmirësimet administrative në mbledhjen e tyre si dhe të reformave që do të
ndërmerren në kuadër të decentralizimit fiskal. Ky faktor është parashikuar rreth
8.8 për qind në vitin 2009, 4.3 për qind në vitin 2010 dhe 2.6 për qind në vitin 2011.
Për këtë arsye parashikohet një rritje e lehtë e nivelit të këtyre taksave, duke mbetur në
normat 1.6 për qind - 1.7 për qind të PPB gjatë periudhës 2009-2011, ose në 19 miliardë lekë në 2009-n në 21.6 miliardë lekë në vitin 2010 dhe në 24 miliardë lekë në vitin 2011, krahasuar me 17,2 miliardë lekë në 2008-n.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›