E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i Bashkisë, si po “fshihet” Tirana e vjetër



Emanuela Sako

Ndërtimet e larta që janë ngritur në kryeqytet kanë fshehur pjesën kryesore të kryeqytetit të dikurshëm. Pallatet shumëkatëshe të ngritura ngado kanë “zhdukur” imazhin e shtëpive dykatwshe, apo objekte të tjera që janë trashëgimi e traditës së Tiranës së dikurshme. Bashkia e Tiranës në studimet e saj urbanistike ka nxjerrë problematike ngritjen e pallateve të larta në disa zona, ku prishet komplet struktura e urbanizimit të qytetit. Për këtë arsye Bashkia ka vendosur që të bëjë të mundur kufizimin e ndërtimeve të larta në zonat historike me vila dhe spostimin e tyre në zona me “vlera urbane” të caktuara. Në shumicën e vendeve ku ngrihen vilat e vjetra tiranase, apo zona që janë tërësisht me vila apo pallate të vjetra me të njëjtat standarde, aktualisht janë uzurpuar nga pallatet e larta shumëkatëshe që zënë frymën e traditës së vjetër dhe çojnë në shtimin e problemeve të rrugëve apo rrugicave brenda blloqeve të banimit. Ndërkohë që Bashkia bën të ditur se 70 për qind e ndërtimeve në kryeqytet janë informale.
Përqendrimi
Sipas Bashkisë së Tiranës, që nga viti 2005, ndërtesa të
larta banimi kanë pushtuar kodrat rrethuese në lindje, jug
dhe jug-perëndim të qytetit. Për të shmangur këto probleme të urbanizimit dhe të ruajtjes së vlerave të qytetit, Bashkia ka marrë përsipër vendosjen e disa alternativave të mundshme. Puna që do të kryejë bashkia është vendosja në mbrojtje e strukturave historike, dhënia përparësi e zonës qendrore dhe zonave mikse. Në këtë nismë të Bashkisë përfshihet edhe kufizimi i ndërtimeve të larta në zonat historike, të cilat synohet të spostohen në zona me “vlera urbane” të caktuara. Çdo lloj zone ka mekanizma specifikë dendësimi, ku çdo objekt ndërtimi duhet të përshtatet me zonën ku duhet të ngrihet. Studimet e specialistëve, bëjnë të mundur detajimin e zonave se ku duhet të ngrihen ndërtesat me shumë kate, zonat në të cilat të jenë të përqendruara vila, apo zonat ku duhet të përqendrohen biznese të ndryshme. Problemet e “fshehjes së identitetit” të kryeqytetit, vijnë si pasojë e vrullit të madh të ndërtimeve pas viteve ’90 dhe rritjes së informalitetit në një pjesë të madhe të zonave.
Zona informale
Studimi i fundit i Bashkisë së Tiranës parashikon se 70% e ndërtimeve në kryeqytet janë informale. Ndërsa me përllogaritjen për numër popullsisë rezulton se 43% e popullsisë së Tiranës jeton në informalitet. Sipas specialistëve, shtimi i numrit të popullsisë dhe zënia e tokave pas viteve ’90, pa marrë parasysh titujt e pronësisë, ka bërë që të rritet informaliteti në kryeqytet. Kjo është një pengesë për zbatimin e planit rregullues të kryeqytetit. Specialistët kanë përcaktuar sipas llojit të banimit, ku me ndërtime është e zënë 5 për qind e sipërfaqes së qendrës së qytetit; zonë me banesa të ndërtuara gjatë regjimit janë 9 për qind; ish-fshatrat zënë 3 për qind; zona me densitet të lartë popullsie 6 për qind; zonë historike me vila 6 për qind; zonë qendrore me strukturë mikse 5 për qind. Numri më i madh i popullsisë dhe i banesave është i përqendruar në zonat kryesore. Studimet tregojnë se numri i popullsisë do të shkojë drejt rritjes, ku pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1.5 milionë banorë.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›