E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditimi i biznesit, si dështuan parashikimet e qeverisë vetëm një vit më vonë



Bazuar në raportin e vitit 2008 duket se një nga dështimet më spektakolare të parashikimeve të qeverisë është ai që ka lidhje me kreditimin e biznesit. Qeveria ka parashikuar se deri në vitin 2011 rritja dhe qëndrueshmëria e kreditimit do të forcohej, por sot, në vitin 2009, kreditimi është në ditët më të këqija, ndërsa parashikimet e vetë bankave për vitin 2010 janë edhe më fataliste. ”Parashikohet rritja, përmirësimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemit financiar, bankar dhe jobankar, bazuar në: sistemin financiar shqiptar me likuiditet të mjaftueshëm dhe të disponueshëm për biznesin; përmirësimin e aksesit në të drejtat e pronësisë; përmirësimin e marrëdhënieve të institucioneve financiare me një gamë më të gjerë klientësh, që çon në një rritje të transaksioneve; rritjen e shpejtë e nivelit të kreditimit privat si nga sektori bankar, ashtu edhe nga institucionet financiare jobankare, si ato mikrofinanciare, shoqëritë e kursim-kredisë, apo futja e shërbimeve të lizingut, për të arritur nivelet e standardeve ndërkombëtare”, - parashikonte Ministria e Financave në vitin 2008.
Mbikëqyrja
Një tjetër masë e parashikuar nga Ministria e Financave është ajo që lidhet me mbikëqyrjen e tregut bankar, mbikëqyrje që u denoncua publikisht nga guvernatori Fullani tre muaj më parë, kur ky i fundi bëri thirrje për forcimin e menjëhershëm të saj.
”Rritja e masave të mbikëqyrjes së cilësisë së huadhënies nga sistemi bankar dhe jobankar dhe vazhdimi i procesit të rritjes së shkallës së ndërmjetësimit financiar
nëpërmjet; përmirësimit të cilësisë së sistemit të pagesave; mbajtjes së normave reale pozitive të interesit; përmirësimit të cilësisë së portofolit të kredive nga tregu bankar dhe jobankar; si dhe rritjes së shkallës së qarkullimit të mjeteve
monetare nëpërmjet sistemit bankar. Ruajtja e pozicionit të qëndrueshëm të bilancit të pagesave, e shprehur në; mbajtjen e një niveli të mjaftueshëm të rezervave valutore, reduktim të deficitit të llogarisë korente, rritje të investimeve të huaja direkte dhe hyrjeve neto kapitale”, - shkruhet në raport.
Krahasimet
Sipas Ministrisë së Financave (në vitin 2008), supozimet dhe prognozat e disa treguesve dhe variablave kryesorë që shërbejnë për parashikimin e PBB duke respektuar konsistencën midis tyre dhe marrëdhëniet midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë parashikonin një rritje të ndjeshme të kursimeve të shqiptarëve. ”Kursimet e brendshme parashikohen të arrijnë në 23.5 për qind të GDP-së në vitin 2011 nga 20.3 për qind në vitin 2008. Rritja e raportit të investimeve totale ndaj GDP-së nga 26.9 për qind në vitin 2008 në 28.8 për qind në vitin 2011. Në kushtet e pritshmërive për rënie të parasë jashtë bankave, rritjes të depozitave si dhe ruajtjes së prirjes së kërkesës së brendshme për fonde hua, tendenca rritëse e kredisë për sektorin privat ndaj GDP-së pritet të arrijë në 48.4 për qind në vitin 2011 nga 34.1 për qind në vitin 2008”, - shkruhet në raport.

Raporti, parashikimi i qeverisë në vitin 2008 për kreditimin e biznesit

Ndjekja e një politike monetare të kujdesshme, mbajtja e inflacionit brenda intervalit
2-4 për qind, koordinim edhe më efikas i politikës fiskale e monetare dhe ruajtja e
stabilitetit financiar.

Rritja e kapaciteteve prodhuese dhe konkurruese të ekonomisë shqiptare bazuar në: zbatimin e një sërë politikash mbështetëse për sektorë të ndryshëm, siç është ai i
bujqësisë dhe energjisë; shfrytëzimin gjithnjë e më tepër të avantazheve krahasuese
në përputhje me kapacitetet potenciale që ofron ekonomia vendase, do të rrisë
gradualisht volumin e eksporteve dhe do të pakësojë në mënyrë konstante rritjen e
importeve si rezultat i liberalizmit tregtar.

Oferta monetare prognozohet që të rritet gradualisht në 92.4 për qind të GDP-së në
vitin 2011 nga 83.3 për qind që ajo parashikohet në vitin 2008 si rezultat rritjes së
nivelit të depozitave si në lekë, ashtu dhe në valutë (rritja më e lartë pritet të jetë në
depozitat në monedhë vendase për të shënuar nivelin 44.2 për qind në vitin 2011 nga
37.4 për qind në vitin 2008).

Norma e rritjes së eksporteve pritet të jetë më e lartë se ajo e importeve. Si pasojë e
thellimit të reformave të brendshme strukturore, vazhdimit të procesit të integrimit në
BE e shfrytëzimit gjithnjë e më tepër të avantazheve krahasuese të ekonomisë tonë do të bëjnë që deficiti i bilancit tregtar të reduktohet gradualisht në 19.6 për qind të
PBB në vitin 2011 nga 22.3 i parashikuar në vitin 2008.

Të ardhurat nga emigrantet për periudhën 2008-2011 janë parashikuar të rriten në të
njëjtën linjë me normën vjetore të rritjes së transfertave private (rreth 7 për qind në
vit).

Investimet huaja direkte në raport me GDP-në parashikohet që të rriten gradualisht
gjatë periudhës 2008-2011 për të arritur në 5.6 për qind të GDP-së në vitin 2011 nga
4.9 për qind në vitin 2008.

Ndërtimi, sektori më i goditur nga mungesa e kreditimit

Viti 2009 pritet ta thellojë akoma më shumë krizën në kompanitë e ndërtimit. Konfirmimi vjen nga vetë bizneset e këtij sektori, që parashikojnë një reduktim deri në 40 për qind të aktivitetit krahasuar me një vit më parë. Sektori përbën rreth 13 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke zënë një peshë të konsiderueshme në ekonomi, trefish më i lartë se 10 vjet më parë.
Të dhënat nga Shoqata e Ndërtuesve, e cila përfaqëson rreth 500 kompani ndërtimi në të gjithë vendin, konfirmojnë se industria në të gjithë skenarët e mundshëm do të jetë ndër të prekurat e mëdha nga kriza. Më e vështirë parashikohet të jetë gjysma e parë e këtij viti, së paku deri në përfundim të zgjedhjeve politike. Disa nga faktorët që do të ndikojnë negativisht gjatë 2009-s parashikohet të jenë, mungesa e kreditimit, luhatja e vazhdueshme e çmimeve të lëndëve të para, legjislacioni i paqartë, rënia e fuqisë blerëse, fushata elektorale etj. Të gjitha këto do të ndikojnë detyrimisht në nivelin e papunësisë dhe në ekonominë e vendit. Përkimi me një vit elektoral duket se do ta bëjë situatën akoma më të ndërlikuar, sepse, sipas ndërtuesve, eksperienca ka treguar se rendet shumë pas investimeve dhe hapjes së fronteve fiktive të punës, që nuk kanë nga pas mbështetjen buxhetore. Ndërtuesit i tremben akoma më shumë një “indiference” nga qeveria për këtë sektor, qoftë në përfshirjen e tyre në punë publike, qoftë në ndihmesën e mjaft kompanive që mund të shfaqin probleme gjatë muajve në vazhdim.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›