E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja, në fillim të shtatoritzgjidhen pesë anëtarët e rinj

29/07/2010 Konferenca gjyqësore mbledhje pa ligj. Spahiu, kandidatët të jenë me integritet

TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zgjedhë anëtarët e rinj brenda dy javëve të para të shtatorit. Një gjë e tillë u vendos në mbledhjen e thirrur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ku merrte pjesë dhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në këtë takim, përfaqësuesit vendosën ngritjen e një grupi pune, i cili do të hartojë projekt-rregulloren për funksionimin e Konferencës Zgjedhore me qëllim zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së, brenda dy javëve të para të shtatorit. Më pas kjo projekt-rregullore do t’i nënshtrohet procesit të shqyrtimit nga të gjithë gjyqtarët, në një takim të përbashkët, që do të organizohet në fund të muajit shtator. Në tryezën e rrumbullakët konsultative, kryetarët e gjykatave të Republikës dhe përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve diskutuan për përpjekjet e vazhdueshme për të zgjidhur situatën e krijuar brenda pushtetit gjyqësor, lidhur me funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare në kushtet e vakumit ligjor për rregullimin e saj. Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të këtij organi për mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, dje përfaqësuesit e gjyqësorit, i thanë “po” mbledhjes së Konferencës Gjyqësore Kombëtare edhe në mungesë të ligjit organik, i cili ende nuk është miratuar nga Parlamenti. Ndërkohë që nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, është shprehur se zgjedhjeve në radhët e KLD-së, duhet të kryhet mbi disa kritere si dhe të zgjidhen gjyqtarë me integritet. Sipas Spahiut, zgjedhjet do ridimensionojnë KLD-në prandaj institucioni që ai bën pjesë inkurajon gjyqtarët me integritet si dhe për anëtarët e KLD-së duhet të shmanget konflikti i interesit. Pritet që në fillim të shtatorit konferenca e gjyqtarëve të votojë për 5 anëtarët e rinj të KLD-së, të cilëve aktualisht i ka mbaruar mandati. Prej disa muajsh KLD është bllokuar duke mos marrë vendime të rëndësishme në kryerjen e reformës në sistemin gjyqësor. Shkak i kësaj situate është bërë përfundimi i mandateve të 5 anëtarëve, të cilët ligjërisht nuk kanë të drejtë të miratojnë apo të marrin vendime, në shërbim të sistemit gjyqësor. Herë pas herë unioni i gjyqtarëve ka propozuar që konferenca të mblidhet pa ligj, por ky propozim është hedhur poshtë nga shoqata e gjyqtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›