“SHBA me mburoja anti-raketore në Ballkan”
Pas lajmeve se parimisht administrata amerikane ka hequr dorë nga planet për vendosjen e mburojës anti-raketore në Evropën Qendrore, në Uashington kanë nisur të qarkullojnë zëra për vendosjen e një mburoje të tillë në Ballkan. E përditshmja polake “Gazeta Viborça”, shkruan se sipas burimeve nga Uashingtoni, sistemi anti-raketor mund të vendoset në Izrael, Turqi dhe në Ballkan. Gazeta shkruan se shefi i nismës amerikane për mburojën anti-raketore, i cili angazhohet për zgjerimin e mbrojtjes kundërajrore, Riki Elison, i ka konfirmuar gazetës se në parim është sjellë vendimi që SHBA të heqin dorë nga sistemi i interceptorëve në Poloni dhe radari në Çeki. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, zgjidhja e pjesshme mund të jetë sistemi i lëvizshëm anti-raketor, të cilin e ka ofruar kompania amerikane “Boeing”, ose varianti i interceptorëve në anijet luftarake të ndërlidhura me sistemin për paralajmërim të hershëm përmes satelitit. “Kongresi e ka thënë shumë qartë se sistemi kundër-raketor në Evropë duhet ta mbrojë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, njësoj sikur interceptorët të ishin vendosur në Poloni. Prandaj, Pentagoni dëshiron që t’i transferojë raketat nga anijet në tokë, në mënyrë që të mund t’i shkatërrojnë raketat në fazën fillestare të fluturimit. Kjo kërkon baza të tjera në tokë, njërën në Izrael, kurse tjetrën në Turqi apo Ballkan”, tha Elison.