E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmoset Statuti. Kontrolli nis sërish

Qartësohen të tjera detaje nga konflikti MTKRS-FSHF në lidhje me statutin e federatës së futbollit. "Ministri do ta firmosë statutin brenda ditës së hënë, ose maksimumi të martën, por ai do të bëhet në bazë në ndryshime të bëra në Ligjin e Sportit", tha zëdhënësja e ministrit Pango, e cila nuk përcaktoi se për cilat ndryshime bëheshin fjalë.
Të hënën do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptarë të Futbollit për dëgjuar raportimin e presidentit Duka nga takimet e tij në Kongresin e 31-të UEFA-s në Zagreb dhe në mbledhjen e Komisionit të Federatave të FIFA-s më Zyrih dhe për të ripërcaktuar qëndrimet e mëtejshme.
Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Sporteve u shprehën se mbledhja e komitetasve nuk do të ndikojë aspak në kontrollin që kanë kërkuar të kryejnë Ministria e Financave dhe ajo Sporteve, së bashku edhe me grupin e Dretorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
"Kontrolli i auditit do të bëhet dhe qëndrimi tani është i pakthyeshëm për të".
Më datë 27 janar, gjashtë zyrtarë të auditit shtetëror kryen një vizitë punë në selinë e FSHF-së, por pas dy orësh e gjysmë dolën në përfundimin se duhej pritur rikthimi i presidentit Duka nga Zagrebi dhe Zurihu.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të auditit, Pajtim Shehu, FSHF-ja rezulton me një evazion fiskal prej 12 milionë lekësh vetëm për vitin 2007.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›