E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 19: Dinamo e Partizani, prova të vështira

Sokol Paja
Dinamo kryesuese e kampionatit do të luajë një takim mjaft të vështirë përballë Elbasanit, i cili kthyer në "mace të zezë" për ekipet kryeqytetase. Djemtë e Agim Canajt janë në një situatë mjaft delikate për vazhdimësinë. Një fitore do i afronte akoma më afër titullit kampion. Ndërsa një humbje e mundshme për Dinamon mund të rihapte gjithcka në garën për titull. Elbasani është ekipi që u ka nxjerrë shumë punë ekipeve të kryeqytetit ku asnjëra nga tre skuadrat e Tiranës nuk ka arritur që ta mundë Elbasanin. Të dy ekipet vijnë pas një rezultati pozitiv. Dinamo fitore në Kavajë e Elbasani barazim me një kundërshtar të fuqishëm sic është Tirana. Partizani do të luajë me Besën një takim mjaft domethënës sidomos për ekipin e Starovës që vjen pas disa humbjeve rresht. Djemtë e Hasan Likës vijnë mjaft të karikuar në këtë ndeshje pasi vijnë pas një fitoreje në Korcë dhe me privilegjin se ndodhen në vendin e dytë në renditje. Nëse Besa humbet edhe këtë herë do të vihej në rrezik shumë të madh bankina e Starovës i cili akoma nuk i ka shijuar pikët në krye të Besës së Kavajës. Tirana e Sul Memës do të ndeshet në një takim mjaft delikat me Kastriotin që një javë më parë shpartalloi Vllazninë. Djemtë e Memës megjithëse do të kërkojnë fitore, do të ndeshen me rezistencën e krutanëve si një ekip me një kontingjent mjaft simpatik në këtë fazë të dytë të kampionatit. Tirana vjen pas një barazimi me Elbasanin dhe me hijen e rëndë të shkarkimit të Hafizit, situatë e cila do të ndikojë jo pak në ekip në këtë ndeshje. Vllaznia e Shkodrës do të ndeshet me Teutën e cila kërkon që të shpëtojë rënies nga Superliga. Një ndeshje shumë e vështirë për shkodranët të cilët luajnë pa katër titullarë. Grima e Kotorri të pezulluar, Kraja e Ahi të përjashtuar. Ekipi durrsak i Miles vjen shumë i përgatitur pas merkatos së bërë në janar dhe fitorja e domosdoshme për shkodranët do të vihet thellësisht në dilemë. Teuta vjen me moralin e ngritur pasi ka fituar një ndeshje me një rival direkt sic është Besëlidhja ndërsa shkodranët vijnë pas një shokimi në Shijak ndaj Kastriotit. Një tjetër humbje ndaj Tutës do të thoshte shkatërrim për ekipin e Vllaznisë dhe dora e hekurt e Fushajt nuk do të ketë të ndalur. Shkumbini do të luajë një ndeshje të lehtë në letër përballë Skënderbeut ku marrja e tri pikëve nuk do të vihet në diskutim edhe pse korcarët janë forcuar pak në merkaton e dimrit. Besëlidhja e Neptun Bajkos do të luajë një ndeshje për jetë a vdekje nesër ndaj Flamurtarit, ku një tjetër humbje do të thoshte përfundimisht edhe lamtumirë Superligës. Superliga kryesohet nga Dinamo me 40 pikë e ndjekur nga Partizani me 34 e Elbasani me 31.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›