Majko, ripërtëritës i luftës së klasave
Në komunizëm ajo që ka qenë më e palejueshme apo më mirë të themi kriminale, ka qenë e ashtuquajtura lufta e klasave. Vënia e një pjese të popullsisë mbi pjesën tjetër ishte një egërsi e paparë në asnjë vend të "demokracive popullore", sidomos mbas viteve ‘60. Vënia e popullit si në një ring boksi midis të "mirëve" dhe të këqijve, ose ne dhe ata, siç thotë Kadareja tek “Dimri i vetmisë së madhe”, ishte shpikja më kriminale e regjimit të Hoxhës. Kjo tanimë është pranuar nga të gjithë, bile edhe nga eksponentë të diktaturës. Pikërisht tani kur po zë kore kjo luftë e shpikur komuniste, kur në vend që t’iu lëmë brezave që vijnë një mirëkuptim dhe një tolerancë midis tyre, del "pishtari i demokracisë", Majko dhe jo pak, por midis Kuvendit hedh fjalët e poshtme: “Prandaj të nderuar miq, mos të vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve mbas vitit ’44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë plehrat e historisë”. Ndalu Majko! Të quash prindërit tanë plehra, nuk e ke të lehtë. Ata u quajtën të tille për gjysmë shekulli, kur fjala e lirë ishte e ndaluar. Tanimë, ne pasardhësit e tyre, nuk të lëmë t’i përbaltësh. Ti këtë e bën për të qenë mirë me kryetarin tënd, por siç e di, edhe ai e ka pranuar se lufta e ‘44-s ishte luftë civile dhe jo çlirimtare. Por le t’ua lëmë historianëve këtë punë. Tani të vijmë tek tema jonë. Ti u revoltove dhe i quajte plehra ata që janë pushkatuar pa gjyq para 29 nëntorit 1944. Dhe kjo, sepse Komisioni i Ligjeve të Kuvendit me të drejtë, bile dhe me vonesë, vendosi t’i përfshijë këta në dëmshpërblimin moral, më shume se atë material. Për të shpjeguar se kush kanë qenë ata, po të jap shembull pushkatimet e Tiranës, të kryera me urdhër të Hoxhës nga 28 tetori 1944 deri më 12 nëntor 1944. Në këtë periudhë janë vrarë pa gjyq nëpunës e punëtorë, intelektualë me prejardhje nga gjithë Shqipëria. Arsyeja e vrasjes: Ishin kundër ideve komuniste. Këtë e vërteton fjala e Gogo Nushit në Berat në nëntor 1944: Të gjithë ata që kanë qenë kundër politikës sonë, jokriminele dhe kuislinge, ne i konsideronim si armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tirane janë vrarë 60 veta. E kemi listën e tyre. Asnjë nuk e meritonte të vritej. Kjo është karakteristikë e vijës sonë. Jemi të sigurt se do të ketë edhe të tjerë. Numri i tyre do të ketë kaluar 100. Kurse Kristo Themelko në librin e plenumit të Beratit f 96: Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se kur të hynim në qytet të spastronim elementët e rrezikshëm... Fjalët e Nushit janë të shkruara në Muzeun Kombëtar në hyrje. Nuk e di a ke pasur kohë ta vizitosh ti e shokët e tu. Bën mirë ta shohësh, kështu që mund të kesh kohë për reflektim deri nesër, kur do të bëhet miratimi në Parlament. Elementët e rrezikshëm ishin familjet që përfaqësonin dinjitetin shqiptar: Petrela, Kokalari, Kalenja, Liku, Mema, Stermasi, Blloshmi, Çika, Greblleshi, Deliallisi, Lleshi etj. Ismail Age Petrela ishte pjesëmarrës i Konferencës së Pezës, që më vonë u shkel nga komunistët. Vëllezërit Kokalari ishin botuesit e shtypshkronjës “Mesagjeri”, Nebil Çika ishte ylli i gazetarisë shqiptare. Aty kishte oficerë që kishin luftuar në Durrës në prill 1939, si ishte im atë, Akil Sakiqi, aty ishte edhe babai i dëshmorit të demokracisë, Skënder Kalenja e të tjerë. Thoshte Shollzhenicin, “Nobel në letërsi”: “Nuk kam përgjegjësi për të vrarët pa gjyq. Por më vjen keq, se nuk kam bërë diçka për ta”.