Vodhën delet, një në pranga, 2 në kërkim
KAVAJE-Një 26-vjeçar ka përfunduar në pranga, ndërsa dy shokët e tij janë shpallur në kërkim nga policia, pasi kanë vjedhur dy dele në një fshat të Kavajës. Efektivat e Komisariatit të policisë së Kavajës arrestuan dje 26-vjeçarin Çelnik Fasho, lindur në fshatin Kakaç dhe banues në fshatin Pirg të Korçës. Burime nga policia thanë se i riu në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur në fshatin Aganas, të Komunës Golem të Kavajës, dy bagëti, në pronësi të një banori të zonës. Burimet sqaruan se dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar, por nuk bëhen të ditur emrat e tyre për arsye hetimi. Ndërsa është bërë shpallja në kërkim nga ana e policisë së Kavajës dhe po punohet për kapjen e tyre, me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Policia po heton veprimtarinë e tyre edhe në fshatra të tjera ku ka pasur denoncime të ngjashme.