E Diel, 1 Nëntor 2026

IFC, trajnime me biznesin për shëndetin

IFC Advisory Services (IFC-pjesë e grupit të Bankës Botërore) në bashkëpunim me projektin gjerman GTZ, kanë nisur trajnimet me bizneset shqiptare për 

 "Rëndësinë dhe zbatimin e Standardit të Menaxhimit të Mbrojtjes së Shëndetit dhe Sigurisë në Punë OHSAS 18000". Kjo nëpërmjet dy seminareve të organizuar në Tiranë dhe Durrës. Ato kanë si synim të promovojnë njohuritë mbi rëndësinë e Sistemit të Menaxhimit të Mbrojtjes së Shëndetit dhe Sigurisë në Punë të punonjësve në kompanitë shqiptare, përfitimet nga zbatimi i këtij sistemi, si dhe parimet bazë që duhet të ndiqen në lidhje me kërkesat e tij. Prezantimi ngjalli interes te pjesëmarrësit, të cilët në formën e një bashkëbisedimi ngritën çështje të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë. "OHSAS 18000" është një emërtim përgjithësisht i pranuar në botë që përcakton kërkesat për vendosjen, pranimin dhe nevojat e sistemit të menaxhimit të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë. Sistemi i menaxhimit të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë u krijon kompanive mundësinë e vazhdueshme për identifikimin e rreziqeve për shëndetin dhe sigurinë në punë të punëtorëve, me qëllim uljen e numrit të fatkeqësive të mundshme, rritjen e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregullat mbi shëndetin dhe sigurinë, si dhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë në punë. "OHSAS 18000" sot përbën një kërkesë ligjore në shumë vende. Investimi në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes së shëndetit sjell si rezultat uljen e kostove nëpërmjet parandalimit të aksidenteve dhe dëmtimeve në punë, të sëmundjeve profesionale, prishjeve dhe avarive të investimeve, makinerive, pajisjeve dhe të shpenzimeve për gjobat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›