Përmbytjet, Berisha: Prag katastrofe
SHKODER/ RITVAN DIBRAKryeministri Sali Berisha paralajmëroi katastrofën nga përmbytjet, për shkak të reshjeve të shumta në Shkodër dhe Lezhë. Ditën e djeshme, kreu i qeverisë ka inspektuar nga afër operacionin në Dajç, komunë në veri të vendit, ku ka paralajmëruar ditë të vështira. “Duke u nisur nga situata e këtyre orëve në Dajç, në Anë Mali, në Shkodër në tërësi, duke pasur parasysh faktin se jemi në një kohë që, sipas të gjitha parashikimeve sinoptike të vendit dhe të vendeve përreth Italisë, jemi para një moti të zgjatur dhe të thellë, pasi si sot parashikohet së paku edhe dhjetë ditët që vijnë, në mos edhe më gjatë. Realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik”, u shpreh kryeministri. Sipas tij, forcat e shpëtimit duhet të përqendrohen tani te largimi i të gjithë banorëve nga zonat e përmbytura. Ai bëri thirrje për të evakuuar fëmijët, gratë dhe të moshuarit, rreziku për të cilët është shumë më i madh. “Detyra dhe apeli që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. është totalisht e papranueshme të barazosh rrezikun tënd me rrezikun e foshnjës apo të fëmijës tënd. Në qoftë se ti je një herë i kërcënuar si i rritur, e kam fjalën për kryefamiljarin, çfarëdo që të bësh ti, foshnja dhe fëmija yt është 10 herë i kërcënuar, në momentin e një përmbytjeje të madhe. Ndaj duhet të fillojmë në mënyrë të organizuar evakuimin me shpejtësi nga zona të fëmijëve, të grave, të të moshuarve, të sëmurëve”, u shpreh Berisha. Në mesditë kreu i ekzekutivit, i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha inspektoi zonën e Ishull Lezhës, e cila është përmbytur gjithashtu nga shirat e ditëve të fundit. Ai u njoh nga afër edhe me ecurinë e punimeve për ngritjen e digës që do të normalizojë situatën dhe do ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i ngritjes së detit. Kryeministri inspektoi dje punimet e bëra në ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat, investim i qeverisë, me vlerë 1 milion dollarë dhe gjatësi nga 1.1 kilometër në të dy anët e lumit. Berisha e vlerësoi si shumë të mirë menaxhimin e deri tanishëm të situatës, por theksoi se ky mund të jetë vetëm fillimi i një moti që mund të vazhdojë gjatë dhe nuk ka parashikim. “Deri tani është bërë një menaxhim shumë i mirë, por ky mund të jetë vetëm fillimi i një moti që mund të vazhdojë gjatë dhe nuk ka parashikim. Në qoftë se ka ndonjë gjë për të cilat mund të thuhet se çmenden, ato janë lumenj e maleve. Në momente të caktuara prurjet e tyre qindrafishohen. Nga përrenj të parëndësishëm, ata shndërrohen në lumenj të frikshëm me prurjet e tyre. Megjithatë kjo pjesë është e siguruar shumë mirë”, u shpreh Kryeministri. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e opozitës për përmbytjet. “Opozita, pasi i dolën avujt e Sharm El Sheik-ut dhe Burj Al Arabia, u kujtua dje të kritikojë. Një gjë është e sigurt, se në origjinë të këtij problemi është Komani”, theksoi kreu i ekzekutivit.Reshjet do të vazhdojnëReshjet e shiut do të vazhdojnë deri në fund të javës. Parashikimi i motit për ditët në vazhdim e bën situatën aktuale në vend tepër të disfavorshme dhe të rrezikshme për jetët e banorëve të zonave që janë aktualisht nën ujë. Sinoptikanët flasin se në ditët e ardhshme shiu do të vazhdojë të bjerë, pavarësisht disa kthjellimeve që do të ndodhin gjatë fundjavës. Parashikimi në ditët e para të javës së ardhshme duket po aq pesimist, pasi mendohet se reshjet do të vazhdojnë sërish, ndërsa temperaturat nuk do të kenë luhatje të madhe nga njëra ditë në tjetrën.