E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina në greminë, humb jetën në aksident inxhinieri

 BULQIZE – Ngricat çojnë në greminë makinën, duke sjellë vdekjen e një 22-vjeçari. Aksidenti me pasoja fatale për jetën e Roland Guzjas, me profesion inxhinier dhe me të dy plagosur u shënua pak metra mbi fshatin Plani i Bardhë, në aksin nacional Bulqizë- Klos. Automjeti me të cilin udhëtonin 3 persona ka rrëshqitur të paktën 80 metra nga rruga kryesore, duke rënë në greminë. Sipas policisë rrugore automjeti tip Land Rover me targa TR 9434 A ka rrëshqitur në akull duke dalë nga rruga. Mësohet se Guzja kishte vajtur për mik në familjen Daci dhe pa gdhirë ende dita e djeshme është nisur në drejtim të kryeqytetit. Shoferë të tjerë të linjave Peshkopi-Tiranë dhe Bulqizë-Tiranë kanë parë mjetin që kishte rënë në greminë dhe fillimisht kanë nxituar për t’u ardhur në ndihmë atyre. Më pas është njoftuar policia e Burrelit dhe ajo e Bulqizës. Dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se 22-vjeçari kishte humbur jetën në vend për shkak të dëmtimeve serioze në kokë dhe trup. Të plagosur mbetën drejtuesi i mjetit, Hysen Daci, 63 vjeç dhe vajza e tij 20-vjeçare. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›