Banorët, roje natën për t’u mbrojtur nga përmbytjet
Nga Dajçi, Ritvan DibraBanorët e Dajçit kanë bërë roje gjatë natës së të hënës, duke u gdhirë e marta nga frika se uji do të rriste nivelin e do t’u hynte brenda shtëpive e u merrte jetën. Ata nuk kanë dashur të lënë banesat, por vetëm mbrëmjen e djeshme, të frikësuar nga paralajmërimet e shumta, rreth 100 familje kanë pranuar të evakuohen, duke u strehuar tek të afërm. Sipërfaqja e përfshirë nga uji mendohet të arrijë në 3800 hektarë në të gjithë rrethin e Shkodrës. Megjithëse në lagjet periferike të qytetit nuk ka pasur shtim të ujit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për zonën e Dajçit. Situata paraditen e djeshme ka qenë vërtetë dramatike. Uji ka përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore. Rruga që të çon në komunën Dajç ka qenë nën monitorimin e forcave policore, të cilat nuk kanë lejuar që në të të kalojnë autoveturat, por vetëm fuoristradat dhe makinat e larta, pasi uji në këtë aks rrugor arrinte në 40 cm. Shtimi i pranisë së ujit në toka bujqësore, deri pranë rrugës Shkodër–Velipojë, lidhet jo vetëm me shkarkimet e hidrocentraleve, por edhe me shkarkimet e liqenit të Shkodrës. Kjo ka bërë që, me mijëra tonelata ushqime për bagëtinë, të cilat banorët e kësaj zone i kanë grumbulluar për të kaluar dimrin, kanë shkuar dëm. Për disa nga banorët një situatë e tillë është krijuar nga keqmenaxhimi i regjimit të hidrocentraleve si dhe nga neglizhenca e qeverisë, e cila nuk ka qenë e zonja të parashikonte këtë situatë të tillë duke bërë shkarkime graduale në kohë. Ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre pohojnë se për momentin, edhe pse u ka shkuar dëm gjithë baza ushqimore ata nuk kanë ndërmend të braktisin shtëpitë. Një pjesë e banorëve të Dajçit madje thanë se me fillimin e reshjeve të shiut mbrëmjen e së hënës ata kanë bërë roje me radhë duke ndjekur prurjet në argjinaturën e Dajçit me qëllim që të njoftojnë njerëzit në kohë në rast se situata do të kishte përkeqësim. Ndërkohë që prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu ka pohuar se pasi janë këshilluar me disa specialistë të hidro-energjitikës dhe të digave, kanë marrë masa për forcimin e disa pjesëve të argjinaturës së lumit Buna në zonën e Dajçit. “Në rast se është e nevojshme le të bëjnë lartësimin me thasë të digës në Dajç. Ushtria të merret me vendosjen e thasëve. Pesë mijë deri në 10 mijë thasë mund të duhen në rastet e nevojshme, nëse kështu e gjykojnë specialistët”, ka pohuar Cungu. Shqetësuese paraqitet situata edhe në fshatin Obot. Edhe këtu niveli i ujit ka pasur një rritje në krahasim me ditët e tjera. Banorëve të kësaj zone, dy ditë më parë u ka filluar shpërndarja e ndihmave ushqimore të ardhura nga rezervat e shtetit. Transportimi i tyre fillimisht është bërë me kamionë të ushtrisë deri në një farë vendi. Më pas shkuarja e tyre tek banesat e izoluara nga uji është bërë nëpërmjet transportit me varka të ushtrisë. E njëjta situatë paraqitet edhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës. Kështu, rreth 280 hektarë tokë vazhdojnë të jenë nën ujë si dhe rreth 60 shtëpi, e kryesisht në lagjen “Ajasëm” dhe në zonën informale pranë lagjes “Salo Halili”, tek ish-ndërmarrja e Zukthave. Niveli i ujit pranë urës së Bunës ka arritur në 8 m nga 9 m që është niveli maksimal në këtë zonë. Kjo rritje ka ardhur ngaqë liqeni ka filluar derdhjen e tij nëpërmjet lumit Buna në drejtim të Nënshkodrës. Gjatë orëve të pasdites, 2 kamionë të Ministrisë së Brendshme kanë filluar shpërndarjen e ndihmave në ushqime për 60 familjet që janë të larguara nga banesat e tyre në lagjen “Ajasëm” dhe për 35 familje në lagjen “Bahçallëk”. Ndërsa ditën e sotme pritet të fillojë shpërndarja e ushqimeve për familjet që ndodhen pranë ish-ndërmarrjes së zukthave. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme, efektivët e policisë Bashkiake kanë bërë evakuimin e 12 familjeve rome, të cilat ndodheshin të izoluara në brigjet e lumit Drin. Ato janë transportuar me kamionë të ushtrisë pranë ambienteve të repartit ushtarak në Rrenc. Mësohet se prurjet e lumit Kir kanë qenë relativisht të vogla dy ditët e fundit. Një gjë e tillë është favorizuese për banorët e këtyre lagjeve, edhe pse në shtëpi të veçanta niveli i ujit arrin deri 1 metër, pasi në të kundërt këta banorë do të përballeshin të parët me një situatë kritike e më pas do të ishin fshatrat e Nënshkodrës. “Banorët të largohen, moti i çmendur” Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte dje në komunën Dajç, për të parë nga afër në terren situatën më të fundit ku takoi banorët dhe më pas së bashku me kryeministrin Berisha morën pjesë në mbledhjen e shtabit të Emergjencës. Topalli i bëri thirrje banorëve të zonës që të mos qëndrojnë në shtëpi, pasi është shumë e rrezikshme. “Ajo që unë kam për detyrë t’u them banorëve si deputete e kësaj zone, ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë që kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme, për shkak të këtij moti të çmendur, do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti”, tha kryeparlamentarja. Ajo theksoi se “kjo është një situatë e jashtëzakonshme. Këtë kohë nuk e mbaj mend prej vitesh. Gjadri është mbushur, Kiri, Drini, dhe janë bashkuar me Bunën që është në nivelin më të lartë që kur s’mbahet mend”.65-vjeçari: Uji u fut në katin e parë“Në 40 vjet, nuk na ka ndodhur përmbytje si kjo”Pjetër Fusharrësi, është nga kryefamiljarët e 60 familjeve që janë larguar nga lagjja “Ajasëm” pas përmbytjes së shtëpisë. 65-vjeçari është zhvendosur me anëtarët e tjerë të familjes te disa të afërm, duke mos qëndruar më tepër se 1 natë në hotelin e caktuar si strehë për të evakuuarit. Ai tregon se që prej 40 vitesh kur ka ndërtuar shtëpinë vetëm 2 herë uji i ka rrezikuar për t’u përmbytur. Por, në të dy rastet uji është larguar shpejt, ndryshe nga këto ditë që nuk dihet se kur do të ndodhë kjo. Ashtu si dhe familjet e tjera, dhe ajo e Fusharrësit kanë marrë pakot me ndihma ushqimore, të dërguara me kamionët e ushtrisë.Cila është gjendja e shtëpisë suaj? Shtëpia ime, ashtu si edhe 60 të tjera, prej 40 vitesh ndodhet në pjesën e poshtme të rrugës së lagjes “Ajasëm” dhe ka një javë që ndodhet nën ujë. Niveli i ujit në katin e parë të saj arrin në 1 metër. Fatmirësisht ne, duke e ditur rrezikun e ujit kemi marrë masa për ndërtimin e një shtëpie dykatëshe. çfarë dëmesh ka pësuar shtëpia e juaj? Uji siç thashë edhe më sipër ka hyrë në 1 m, duke dëmtuar disa divanë, ushqime për familjen dhe për bagëtinë. Por akoma nuk kemi bërë një inventar të plotë të dëmeve, pasi që nga dita e diel nuk jemi futur në shtëpi. Ku ndodhet e strehuar aktualisht familja juaj? Aktualisht familja ime që përbëhet nga 5 persona jemi të strehuar tek miqtë tanë që kanë shtëpinë mbi rrugë, pra për të qenë sa më pranë shtëpisë. Fillimisht natën e parë bashkia na strehoi në hotelin Rozafa. Por aty dihet që janë kushte hoteli, edhe pse ushqimi dhe fjetja ishin të paguara, por qëndrimi larg shtëpisë, meraku për të qenë sa më pranë saj na bëri që ne të largohemi nga hoteli.A jeni përballur edhe herë të tjera me situata të ngjashme? Në fakt, prej 40 vitesh që unë banoj në këtë lagje mbaj mend se vetëm dy herë uji ka arritur në lartësi deri në 1.5 m në shtëpinë time. Por nuk e kemi pasur shumë problem se uji ka ardhur për 30 minuta dhe ka ikur shpejt. Kësaj here edhe pse është 1 m lartësi nuk po dimë se kur po largohet uji, aq më tepër që nuk po dëgjojmë fjalë të mira ndaj dhe kemi frikë se mos niveli i ujit na rritet edhe më shumë dhe ne ndodhemi më në vështirësi se herët e tjera. Sot u shpërndanë ndihma nga shteti? çfarë përfituat prej tyre?Ashtu si dhe familjet e tjera që janë përmbytur morëm pako me ushqime, që na i sollën kamionët e ushtrisë. Në këto pako ka nga 6 kg vaj, 6 kg sheqer, 3.5 kg konserva peshku, 5 kg detergjentë, 8 kallëpë sapun, 12 pako makarona dhe 1 pako kripë.