E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Ina Rama të hetojë paditë e PS, ose të largohet

 Aristir LumeziDeputeti socialist Sajmir Tahiri analizon situatën politike në vend, në një intervistë ekskluzive për “Panorama”. Si deputet i zgjedhur për herë të parë, Tahiri shprehet se politika shqiptare “ka fare pak fisnikëri dhe moral”, duke ndarë në këtë mënyrë opinionin e një brezi të ri politikanësh. Tahiri i cilëson ftesat e Berishës për dialog me opozitën të papranueshme, pasi sipas tij, pas ftesës vijnë kërcënimet prej tij dhe deputetëve të maxhorancës ndaj deputetëve të opozitës. Deputeti i qarkut të Tiranës shpreh rezerva për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, sipas tij, nuk ka kryer asnjë veprim konkret për paditë penale të depozituara nga opozita ndaj kryeministrit, ministrave të maxhorancës, por dhe ndaj ngjarjeve të rëndësishme si tragjedia e Gërdecit, shembja e tunelit të Thirrës etj. Duke folur për kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, Tahiri shprehet se e rëndësishme në këtë proces është kthimi i besimit të qytetarëve te sistemi zgjedhor e te mundësia e tyre për të zgjedhur në liri të plotë përmes votës së pacenueshme.Zoti Tahiri, viti që kaloi ishte i ngarkuar me ngjarje politike të rëndësishme. Ju ndërkohë jeni ndër deputetët që u zgjodhët për herë të parë si i tillë. E keni përjetuar në mënyrë të veçantë eksperiencën e deritanishme në politikë?Ka fare pak fisnikëri e moral në këtë lloj ushtrimi, që me mburrje të pajustifikuar sot e quajmë politikë, e kjo nuk besoj se është vetëm përshtypja ime. Për më tepër që zgjedhja si deputet nuk ma ndryshon këtë bindje, për të mos thënë të kundërtën. E kam fjalën për një lloj kalbje të sistemit që as ka lindur tani, e as mund të marrë fund menjëherë. Ata që vuajnë padrejtësisht janë vetëm qytetarët. Po nga ana tjetër, për mua e shumë të tjerë, kjo është një arsye më shumë për t’u përfshirë e për të përbuzur këdo që kalbet edhe vetë bashkë me sistemin, duke ndrequr gjithçka është e mundur. Ndërkohë që komuniteti i biznesit në botën e qytetëruar, por edhe në Shqipëri, po përpiqet të bindë qytetarët se nuk punon vetëm për të fituar parà, por njëkohësisht edhe për të ndërtuar një botë më të mirë, politika jonë as e ka fare për shqetësim të shpaloset në gjithë imoralitetin e saj. Një fjalë e urtë thotë priftërinjtë janë të pasur, manastiri dhe ata të shkretët që falen janë të varfër. E këtu priftërinjtë janë ata që kanë qeverisur këtë vend e që vazhdojnë të qeverisin. Mendoj se kaluam një vit që duhet mundim për ta konsideruar të suksesshëm. Ashtu si edhe zgjedhjet, në tërësi këta që na qeverisin dështuan të përmbushin plotësisht standardet më të larta jo vetëm zgjedhore, por edhe shumë detyrime të tjera kryesore, dështime të cilat të mbledhura bashkë errësojnë edhe ato arritje të pashmangshme. Shansi i humbur me zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit është padyshim kulmi kritik i keqqeverisjes aspak surprizë të kësaj maxhorance. Emergjenca e demokracisë dhe shtetit ligjor nuk është e tanishme dhe as vetëm produkt i deformimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit. është kryesisht produkt i degradimit politik e qeverisës që mirëqenien shoqërore e ka katandisur të fundit në listën e prioriteteve ndonëse të parën në fjalor. Megjithatë, ka ende motiv për të shpresuar se gjithçka mund të marrë kthesë pozitive shumë shpejt. Për këtë ama, duhet ta ndajmë mendjen mirë. Kërkesa për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit përbën një hap deciziv në radhën e plot gjerave të tjera që duhet të bëjmë. PS dhe aleatët e saj po kërkojnë me forcë hapjen e kutive ndërkohë që maxhoranca e ka bërë të qartë më shumë se një herë se nuk do t’i hapë kutitë. A ka rrezik që kjo situatë ta çojë vendin në krizë?Në mendimin tim, pyetja themelore nuk është a do hapen kutitë apo jo, por a do jemi në gjendje të kthejmë besimin e qytetarëve te sistemi zgjedhor e te mundësia e tyre për të zgjedhur në paqe alternativën që mendojnë si më të mirë. Të thuash sot se krizën po e shkakton PS, më duket në rastin më të mirë miopi e thjeshtëzim i panevojshëm i situatës aktuale, duke harruar me dashje se po kështu në mos më keq, politika ka shkaktuar kriza permanente për qytetarët edhe në momentet e saj më të mira, kur paqja e përsëritur e atyre që kanë drejtuar me turne këtë vend, është dukur se ka prodhuar konsensuse gjoja në interes të qytetarëve. Nuk ka qenë kështu e i kemi të gjitha mundësitë që këtë radhë të mos përsëritet. Ka krizë parlamentarizmi për shkak të degradimit të parlamentit pikërisht nga maxhoranca në pushtet. Cilësia e legjislaturës është skandaloze. Projektligjet miratohen qorrazi pa u konsultuar me grupet e interesit e madje pa debat parlamentar për të mos folur pastaj për vullnetin e kësaj maxhorance për të miratuar ligje dukshëm antikushtetuese që në shumë raste konstatohen të tilla edhe nga Gjykata Kushtetuese. Degradimi i parlamentarizmit konfirmohet edhe tek sheh deputetë të maxhorancës që në vend të debatojnë për interesat e qytetarëve, linçojnë opozitën.Si i shikoni në këtë këndvështrim marrëdhëniet mes institucioneve?Në vend ka krizë institucionale për sa kohë balanca e pushteteve është e rrezikuar pikërisht pse për Kryeministrin e maxhorancën tendenca për pushtet pa kufi është më e madhe sesa detyrimi kushtetues e ligjor për të respektuar ndarjen e pushteteve. Ka krizë ekonomike për shkak të verbërisë së qeverisë po aq sa edhe për shkak të shpërdorimit financiar për interesa elektorale e korruptive. Krizë serioze është edhe përhapja masive e korrupsionit për shkak të prirjes korruptive të kësaj qeverie që për turp arriti të degdisë vendin të fundit në Evropë.Kësaj krize të shumëfishtë i shtohet edhe kriza e demokracisë, pra deformimi i vullnetit të popullit si pasojë e hajdutërisë me votat e qytetarëve. Me pak fjalë, kriza nuk lindi pas 28 Qershorit por ka ekzistuar, kryesisht falë politikës së keqe të të gjithë atyre me shpirt të shitur që kanë vjedhur e vjedhin ende në emër të popullit, vjedhin shkollat e fëmijëve, të ardhurat e buxhetorëve, pagat e pensionistëve, votat e bashkë me to edhe të ardhmen. Zgjedhjet e 28 Qershorit vetëm e thelluan krizën. PS e ka theksuar qartë këtë, duke mos i trajtuar kutitë si fundin e kërkesave të saj, por si fillimin e domosdoshëm për tu përballur me shqetësimet e qytetarëve.Kryeministri ka bërë thirrje për dialog në parlament ndërkohë që njëkohësisht maxhoranca ka bërë të qartë se në mars skadojnë mandatet e deputetëve të PS. Si do të veprojë grupi parlamentar socialist?Edhe pyetja juaj që fillon me ftesë për dialog e mbaron me kërcënim për djegien e mandateve është vetë pasqyra më e mirë e paradoksit politik që po ndodh me këto ftesat ambulante të maxhorancës. Ftesa për të bashkëbiseduar që përfundojnë me kërcënim për pushim nga puna, nuk janë e nuk mund të jenë serioze e të sinqerta. Kjo tendencë e maxhorancës nuk është vetëm ndaj deputetëve të PS, por edhe ndaj të zgjedhurve vendorë të saj, të cilët nuk ka hezituar t’i kërcënojë njëlloj me pushim nga puna, vetëm pse protestojnë kundër centralizimit të pushtetit nga ekzekutivi.Maxhoranca ka dëshmuar se nuk e përdor kushtetutën dhe ligjin në interesin më të lartë të qytetarëve, por e shpërdor atë në kurriz të interesave fare të ngushta. Duket se Kryeministrit i ka sosur durimi nga protestat e PS, opozitës, pushtetit vendor, sindikatave, shoqatave, e mbi të gjitha nga protesta e heshtur e çdo qytetari që ulëret më shumë se protesta e artikuluar e kujtdo tjetër.E meqë qytetarët nuk i pushon dot nga të qenit të tillë, i ka mbetur të kërcënojë deputetët e PS e të zgjedhurit e saj vendorë me ndërprerje mandati e pushim nga puna. është jashtë çdo logjike Kushtetuese, ligjore, parlamentare e institucionale të eliminosh opozitën që nuk të pëlqen e të zgjedhësh me gisht opozitën që të përshtatet më mirë. Kjo është e patolerueshme, e nuk besoj ka për të ndodhur. Z. Tahiri, ndërkohë që PS vazhdon të qëndrojë jashtë Parlamentit, disa deputetë janë shprehur se nuk do të “djegin” mandatin e tyre. Si mendoni se do të zgjidhet kjo dilemë mes detyrimit për të përfaqësuar elektoratin që ju ka votuar në parlament dhe kërkesës së PS-së për transparencën e zgjedhjeve?Po e përsëris se kjo që ju quani “djegie e mandateve” është vetëm përpjekje e maxhorancës për të eliminuar opozitën jo vetëm në parlament por edhe në pushtetin vendor e kudo ku ka mundësi për të gjetur mundësi të shpikë një opozitë tjetër më miqësore ndaj saj. Nga ana tjetër, dilemën që ju dalloni unë nuk e shoh. Pikërisht pse përfaqësimi i elektoratit është cenuar në thelb, ne vazhdojmë të kërkojmë transparencë për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme jo gjysmë, por plotësisht. Nëse ka mandate deputetësh që duhet të “digjen”, janë mandatet e ministrave nën akuzë publike për korrupsion e që ende gjejnë strehë pas imunitetit për t’iu fshehur drejtësisë e jo mandatet e deputetëve të opozitës.Paradokse që vërtetojnë kalbjen e sistemit, por që diktojnë edhe një pastrim qelizor ka plot, por disa janë skandaloze në të atilla përmasa sa për të vënë nën akuza vetë ata që na qeverisin. Ndryshe nuk ka sesi të shpjegohet po të mendosh se një punonjës i thjeshtë që dyshohet për vjedhje pezullohet nga puna deri në sqarimin përfundimtar të fakteve, ndërkohë që Sali Berisha ata që vjedhin e vrasin, siç është edhe punonjësi publik Fatmir Mediu, i ngre në detyrë duke detyruar qytetarët t’i paguajmë edhe rrogën e ministrit me taksat e tyre. Kjo parodi politike në kurriz të qytetarëve duhet të marrë fund pa kursyer askënd që në politikë gjen strehimin më të sigurt për t’iu fshehur drejtësisë. Politika, parlamenti apo qeveria nuk mund të jenë tribuna ku flitet për demokracinë e shtetin ligjor e njëkohësisht bunker për të ruajtur lëkurën. Herët a vonë të gjithë do përgjigjen pa dallim, këtë nuk duhet ta harrojë askush në politikë.Duke qëndruar në këtë pikë, PS kanë depozituar disa padi në Prokurori ndaj Kryeministrit e disa ministrave. ç’po ndodh me këto padi, a po vazhdon prokuroria punën e saj? Për këtë pyetje nuk mund të përgjigjem unë. Duhet të pyesni Prokuroren e Përgjithshme. Por me siguri mund të them se është tërësisht e papranueshme që jo vetëm këto padi, por edhe disa të tjera për çështje shumë më të rëndësishme se këto, siç është tragjedia e Gërdecit, Rruga Durrës-Kukës apo shembja e tunelit të Thirrës, kanë mbetur pezull e askush nuk ka informacion se ç’po ndodh. Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin absolut për të bërë me dije opinionin publik mbi ecurinë e këtyre çështjeve. Askush nuk ka një përgjigje sot mbi arsyet pse Prokuroria e Përgjithshme nuk i kërkon parlamentit heqjen e imunitetit për deputetin Fatmir Mediu. Po kështu edhe për deputetin Lulzim Basha. Askush nuk di nëse Prokuroria ka filluar hetimet për shembjen e tunelit të Thirrës megjithëse denoncimet publike të opozitës kanë qenë të vazhdueshme. Këto janë çështje të cilat nuk mund të arkivohen për asnjë motiv. Dosjet duhen nxjerrë nga sirtarët. Në të kundërt, kush se bën dot duhet të largohet nga detyra patjetër. PS ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mendoni se do e fitoni këtë betejë ligjore?Tashmë jeni të gjithë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e në këtë moment nuk ka shumë vend për koment. Për sa më përket, fitore e mjaftueshme ishte ndërmarrja e iniciativës për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë pajtueshmërinë me kushtetutën të një marrëveshje mjaft delikate si ajo për delimitimin e kufirit detar me Greqinë. Kam të gjitha motivet profesionale e politike për të investuar besim të pakushtëzuar në Gjykatën Kushtetuese jo vetëm në këtë rast por mbi të gjitha në parim, ashtu si edhe për çdo institucion tjetër të pavarur që mban detyrën kushtetuese për t’u bërë garant i të drejtave legjitime të çdo qytetari. Kufiri detar me Greqinë në KushtetuesePartia Socialiste ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë. Një nga avokatët e PS-së në këtë gjykim, Sajmir Tahiri është shprehur gjatë seancës se qeveria në hartimin e kësaj marrëveshje nuk ka marrë plotfuqinë e Presidentit të Republikës, duke shkelur në këtë mënyrë kushtetutën, por dhe Aktet ndërkombëtare për marrëveshjet për kufijtë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›