Vrasja e të penduarit të “Poter-Al”,Balliu: Kam alibi dhe filmime
Tiranë Vrasja e Aleksandër Koliçit, i penduari i njërit prej grupeve më të fuqishme të narkotrafikut në vend, tashmë ka një të dyshuar në pranga, por policia dhe prokuroria janë ende larg zbardhjes së plotë. Bledar Balliu, i arrestuari i vetëm për vrasjen e Aleksandër Koliçit, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 15 korrikut pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ka kundërshtuar dje provat e prokurorisë, madje me një alibi të fortë. Fieraku 32-vjeçar ka deklaruar në seancën për caktimin e masës së sigurisë se mbrëmjen e 15 korrikut ka qenë i vetëm në një kafe pranë vendit të ngjarjes, fakt ky që sipas tij provohet nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ai ndodhej. Alibia e paraqitur nga i arrestuari duket se ka lëkundur gjyqtaren e çështjes, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorit, duke caktuar ndaj Balliut masën e sigurisë “arrest me burg për 40 ditë”. Përfaqësuesi i akuzës ka paraqitur në gjykatë dy prova, që sipas tij janë të mjaftueshme për të mbajtur në qeli Bledar Balliun, i njohur ndryshe me emrin Arif Shehu. Prokurori Shpëtim Kurti tha se i arrestuari është autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 15 korrikut në rrugën “Ymer Kurti” në kryeqytet. Nga hetimet e deritanishme, sipas akuzës, ky fakt provohet nga dëshmitë e familjarëve të viktimës, të cilët kanë deklaruar se Aleksandri dhe Bledar Balliu kanë pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i akuzës tha se policia ka siguruar edhe një provë shkencore, që vërteton dyshimet e ngritura nga hetimet e deritanishme. Bëhet fjalë për një bluzë, që policia ka gjetur gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit Balliu, ku janë vërejtur elemente që janë pjesë e faktorëve plotësues të qitjes. Ekspertiza ka gjetur gjurmë bloze në pjesën e përparme të bluzës, çka sipas akuzës do të thotë se i arrestuari ka kryer qitje gjatë kohës që ka mbajtur veshur këtë bluzë. Por të dyja provat kryesore të paraqitura nga prokuroria janë kundërshtuar nga vetë i arrestuari, i cili tha se ai së bashku me avokatin mbrojtës do të sjellin në gjykatë prova që vërtetojnë alibinë e ngritur dje në sallën e gjyqit. Sipas Balliut, mbrëmjen e 15 korrikut ai ka qenë i vetëm në një lokal pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja, nga ora 20:30 deri në orën 23:00. Ky fakt, sipas të arrestuarit provohet nga pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së lokalit, të cilat kanë regjistruar gjatë gjithë kohës që i dyshuari ka qëndruar në këto ambiente. Balliu pranoi para gjykatës se ka lëvizur nga lokali për disa minuta, pasi i është dashur të blejë një kartë rimbushëse për celularin dhe më pas është kthyer sërish në të njëjtin vend, ku ka qëndruar deri rreth orës 23:00. Duke kundërshtuar edhe provën e vetme shkencore që prokurori paraqiti në seancën e djeshme, Balliu tha se kamerat e sigurisë së lokalit gjithashtu mund të tregojnë se atë mbrëmje ai ka qenë i veshur me një bluzë lejla dhe pantallona të shkurtra dhe jo me bluzën që pretendon policia dhe prokuroria, të cilën Balliu tha se nuk e vishte prej kohësh. Ndërsa lidhur me pretendimet e familjarëve të viktimës se Aleksandër Koliçi ka pasur konflikte të vazhdueshme me ish-shokun e tij Bledar Balliu, i arrestuari tha se mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt. Madje, Balliu shtoi se ata kanë qenë shokë qelie dhe të dy janë gjykuar me procedurë të shkurtuar në një çështje penale të mëparshme. Balliu deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe ky pohim do të provohet nga provat që ai do të paraqesë në gjykatë.
40 Ditë burg caktoi gjykata e Tiranës për Bledar Balliun, duke i lënë kohë prokurorisë dhe mbrojtjes të paraqesin prova shtesë për vrasjen e Aleksandër Koliçit. Me këtë vendim, gjykata miratoi pjesërisht kërkesën e prokurorisë
2:30 Minuta ka qëndruar Bledar Balliu, në një lokal pranë shtëpisë së Aleksandër Koliçit, përballë shkollës “Petro Nini”. Ai pohoi se është filmuar nga kamerat dhe se kishte dalë për të blerë një kartë rimbushëse e ishte kthyer sërish
Gjykata, 40 ditë burg për Balliun
Pas dëshmisë së Bledar Balliut, gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, kohë kjo që do të jetë në dispozicion të të arrestuarit dhe avokatit të tij mbrojtës për të paraqitur provat, mes të cilave edhe pamjet filmike të kamerave të lokalit, që sipas Balliut vërtetojnë alibinë e tij. Bledar Balliu, një prej anëtarëve të grupit “Poter Al”, dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Koliçit, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 15 korrikut me një plumb në kokë. Balliu dhe Koliçi janë dënuar në vitin 2008 me 6 dhe 4 vjet burg nga Gjykata për Krime të Rënda, si pjesëmarrës në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Aleksandër Koliçi ka përfituar uljen e gjysmës së dënimit, falë një marrëveshjeje bashkëpunimi që kishte firmosur me prokurorinë.