Rritet çmimi i biletave të urbanëve: Nga 1 qershori behen 30 leke
Qeveria ndryshon tarifat e transportit të udhëtarëve me autobusë urbanë qytetas, në linjat me largësi deri në 9 km. Duke filluar nga muaji i ardhshëm, një biletë urbani do të kushtojë 10 lekë më shumë se më parë. Për një udhëtim me autobus, çmimi për një person do të kushtojë 30 lekë të reja. Pajtimi mujor për një linjë të veçantë do të jetë 900 lekë në muaj, ndërsa pajtimi mujor që do të përdoret për të gjitha linjat do të kushtojë 1200 lekë në muaj. Që prej muajit të ardhshëm, të gjithë invalidët dhe një pjesë e mirë e të moshuarve do të jenë të detyruar të paguajnë çmimet e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme. Karta e tyre e invalidit, apo të tilla karta të ngjashme me këtë të fundit, nuk do të njihen më për të siguruar udhëtimin falas në urban. Oferta të mira paraqiten për studentët dhe nxënësit, të cilët për të gjitha linjat brenda qytetit do të paguajnë një abone mujore prej 600 lekësh. Vendimi për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve është marrë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ajo e Financave. Në relacionin e përgatitur nga këto dy ministri citohet se "gjatë kësaj periudhe, mbi 4 vjet shërbim në transportin qytetas të udhëtarëve ka pësuar një ulje të nivelit të standardeve të shërbimit, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës e vajrave lubrifikantë në treg dhe abuzimit që bëhet nga disa persona anëtarë të shoqatave, të cilët sipas legjislacionit në fuqi përfitojnë udhëtimin falas". Nga studimi i kryer nga Instituti i Studimeve të Transportit për vitin 2007 në qytetin e Tiranës rezultoi se 10% e qytetarëve që udhëtonin në ditë ishin të pajisur me karta anëtarësie të shoqatave që përfitojnë udhëtimin falas. Në relacionin e paraqitur nga Ministria e Transporteve citohet se "shqetësimet për nivelin e ulët të tarifës së biletës dhe biletave të pajtimit mujor janë bërë prezent nga Bashkia e Tiranës dhe Shoqata Kombëtare e Transportit qytetas". Një raport i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit ka dalë në përfundimin se "fitimi i kompanive private të linjave urbane në kryeqytet është minimumi 7 milionë dollarë. Ndërsa numri i pasagjerëve që udhëtojnë çdo ditë dhe paguajnë biletën është mbi 185 mijë persona. Ata që udhëtojnë me abone arrijnë në gati 15 mijë pasagjerë, pa përfshirë këtu numrin e personave me status udhëtimi falas". Janë këto të dhënat e bëra publike në një studim të kryer nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, që argumenton se përse qeveria nuk duhet të pranojë kërkesën për rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve nga Shoqata e Transportit Urban në Tiranë. Nisur nga rezultatet e studimit, ZMK ka kërkuar ndërprerjen urgjente të procedurave të rritjes së çmimit të biletës dhe të aboneve në transportin urban të udhëtarëve në Tiranë nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas tyre, çmimi prej 20 lekësh për biletë është shumë i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm.
ZMK bën publike edhe disa shifra në lidhje me transportin urban në kryeqytet. Sipas të dhënave të ZMK-së, në Tiranë udhëtojnë çdo ditë mbi 225 mijë pasagjerë. Sipas statistikave të nxjerra nga ZMK, në Tiranë ka 234 stacione, në të cilat ndalojnë 162 autobusë 45 mijë herë çdo ditë.
ZMK bën publike edhe disa shifra në lidhje me transportin urban në kryeqytet. Sipas të dhënave të ZMK-së, në Tiranë udhëtojnë çdo ditë mbi 225 mijë pasagjerë. Sipas statistikave të nxjerra nga ZMK, në Tiranë ka 234 stacione, në të cilat ndalojnë 162 autobusë 45 mijë herë çdo ditë.