Fisnik Nuhiu: E respektova vendimin e trajnerit

Tetovë, - Futbollisti i skuadrës së Renovës, Fisnik Nuhiu, nuk është aktivizuar në ndeshjen e së dielës kundër Bregallnicës nga Shtipi. Ai thotë se e respekton vendimin e kryetrajnerit Kostov, ndërsa do të vazhdoj të punoj gjatë stërvitjeve. "Është vendim i tij, të cilin e respektoj. Unë isha në kombinim, por e drejta e trajnerit është të përcaktojë se kush do të luaj. Do të vazhdoj të stërvitem, sepse kjo është puna ime, kurse përzgjedhjen e ka trajneri", u shpreh Nuhiu. Ai është
duke luajtur për disa sezone me radhë te skuadra e Renovës, madje duke qenë edhe kapiten i "bardhe kaltërtëve". "Vazhdoj të jem kapiten i parë i skuadrës, por në ndeshjet ku nuk aktivizohem, atëherë zëvendësues i imi është bashkëlojtari Evzal Jahiu, i cili ishte kapiten në ndeshjen ndaj Bregallnicës", vijon ëm tutje Nuhiu. Ndeshjen e ardhshme kampionale "gjipspunuesit" e luajnë kundër Pobedës, e cila është e pozicionuar një vend më lart se Renova. "Do të shkojmë të marrim rezultat pozitiv në Prilep. Kundërshtari është ekip që duhet të respektohet, ka traditë, por ne do të mundohemi të nxjerrim maksimumin nga ky takim", përfundoi Nuhiu.
Vullnet DAUTI