E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush i blen?


Nga Dritan Ikonomi
Ka nisur tashmë edicioni i i ri i serialit "Futbolli shqiptar". Sic ka ndodhur në episodet e mëparshëm, edhe ky i riu ka të njëjtin subjekt, të njëjtët aktorë, të njëjtat skena, madje edhe të njëjtit spektatorë. Në cdo finish sezoni, plasin akuzat e kundërakuzat, të gjithë akuzojnë dhe të gjithë janë të akuzuar. E ka nisur presidenti i Dinamos, që ngre gishtin kundër atij të Besës. Ky i fundit "kundërsulmon", duke i kujtuar proceset e dikurshme të skuadrës së tij. Vjet ishte Bizhdili i akuzuar, që nga ana e tij akuzoi të tjerët. Një telenovelë aspak tërheqëse, me ngjarje të përsëritura nga viti në vit, ku secili pretendon se është i dlirë, ndryshe nga të tjerët që i mbulon deri në fund pisllëku. "Hakërrimet" e presidentëve kundër njëri-tjetrit tani as nuk habisin dhe as nuk shqetësojnë më njeri. Veshët janë mësuar me të tillë dialogje apo monologje. Shqetësues është fakti që problemi ekziston. Është vërtet pozitive që Sulaj synon t'i hyjë deri në fund zbulimit të një afere të dyshuar korruptive, por vallë është vetë aq i pastër sa të ngrejë dorën e të hedhë gurin kundër mëkatarit? Bizhdili i ka kujtuar pikërisht të kundërtën, duke risjellë në kujtesë procesin gjyqësor të Dukës. Në atë kohë, Sulaj nuk ka qenë president, por kjo vlen pak si alibi, kur kujton se Dinamo ka qenë gjithmonë e në vorbullën e përgojimit për trukim, falë "ecurisë sistematike" me nga katër gola të pësuar cdo vit në kompeticionet evropiane, Champions League, Kupa UEFA, Kupa Intertoto. Risia e edicionit të sivjetshëm të serialit "Futbolli shqiptar" është se ka nisur më herët se zakonisht, falë eliminimit deri diku të bujshëm të Dinamos nga Kupa e Shqipërisë. Seritë e tjera janë gati dhe do të shfaqen së shpejti. Do të ketë akuza për shitje e blerje ndeshjesh, blerje gjyqtarësh e blerje zyrtarësh. Secili nga presidentët do të akuzojë gjithë të tjerët dhe pikëpyetja kryesore e serialit sërish do të jetë e njëjtë: Kush vallë i blen ndeshjet dhe gjyqtarët?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›