Vëllazërimi dhe Bashkimi , të dyja skuadrat duan fitoren

Kumanovë– Me kërkesë të KF Vëllazërimi, ndeshja e javës së dytë e sezonit pranveror ndërmjet kësaj skuadre dhe Bashkimit të
Kumanovës do të luhet të shtunën. "Kemi bërë kërkesë deri të Komisioni për gara të na mundësojnë të luajmë të shtunën, pasi edhe Napredoku luan në Kërcovë. Dëshirojmë që publiku mos të ndahet, kjo është arsyeja që kemi kërkuar të takohemi një ditë më herët. Le të vijnë të na përcjellin edhe lojën tonë, sepse kemi nevojë për të holla, për të paguar gjyqtarët e ndeshjes", është shprehur i zhgënjyer trajneri Ajdini, pas asaj që ju ka ndodhur në Shkup me Rabotnickin. "Ende jemi të mërzitur. Referët na dëmtuan me dy penallti. Nuk kishte nevojë Rabotnicki të ketë ndihmën e referit Barton. Deri kur kështu do të na dëmtojë FFM-ja, e cila nuk po na konsideron se jemi duke bërë gara në elitë. Ne e dimë se kemi rënë nga kategoria, por duam që në mënyrë sportive të zhvillojmë të gjitha ndeshjet", thotë ai, duke shtuar se kundër Bashkimit presin fitore, pasi luajnë të kompletuar. Edhe nga skuadra e Bashkimit, paralajmërojnë se atmosfera e mirë pas pikës së fituar, në ndeshjen kundër Pobedës, do të vazhdojë edhe në përballjen me Vëllazërimin. Ndihmëstrajeneri i Bashkimit, Erkan Jusufi, thotë se moti i mirë që po mban këto ditë po kontribuon që stërvitjet të zhvillohen në kushte shumë të mira për punë, dhe në një atmosferë të mirë. Ai më tej shton se në ndeshjen kundër Vëllazërimit, në ekip do të kthehen Toni Banduliev dhe Dardan Miftari, të cilët nuk janë aktivizuar kundër Pobedës, për shkak të tre kartonëve të verdhë. "Në Kërcovë do të udhëtojmë të kompletuar. Presim rezultat pozitiv nga ky ballafaqim. Do të mundohemi të kemi efekt maksimal, për të pasur një pranverë më të qetë", përfundon Jusufi.
Rijad MURATI