Fitch: Italia në recesion
Kriza në Itali ka marrë edhe një goditje tjetër. Agjencia e Vlerësimeve Fitch ka ulur kreditin për 8 banka italiane me përmasa të mesme, duke përmendur si arsye rritjen e kostos së financimit si dhe risqeve në rritje se Italia mund të jetë tashmë në recesion.
Fitch deklaroi se 8 bankat, duke përmendur këtu Banca Popolare di Milano dhe Banca Popolare dell'Emilia Romagna, mund të jenë nën presion për të rishikuar targetet e kapitalit në terma afatmesme dhe afatgjata. Një faktor tjetër ka qenë edhe rritja e kredive të këqija. Agjencia Fitch, jo më larg se muaji tetor zhvlerësoi me një nyje borxhin sovran të Italisë, në A+ me këndvështrim negativ, duke cituar si arsye përkeqësimin e situatës së borxheve sovrane në eurozonë. “Agjencia beson se Italia është tashmë në recesion”, - deklaroi Fitch në raportin e tetorit. Por megjithatë, Fitch deklaroi se bankat kryesore italiane janë të mirëkapitalizuara dhe janë të afta për të gjetur fonde me kosto më të ulët se interesi i bonove shtetërore.