Hapet “Klik Ekspo Group 2012” me 400 biznese
Klik-Ekspo Group hapi panairin e përvitshëm të nëntorit. Në këtë edicion të 18-të marrin pjesë 400 kompani nga 20 shtete të botës. Përveç prodhuesve më të mëdhenj të vendit, në stendat e ekspozimeve ishin të pranishme me produktet e tyre edhe kompani belge, polake, çeke dhe të vendeve të rajonit pa përjashtim. I pranishëm në hapjen e edicionit të 18-të të panairit të "Klik Ekspo Group", kryeministri Sali Berisha tha se reformat e bëra nga qeveria kanë shtuar investimet e huaja, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Këtë vit, në aktivitetin më të rëndësishëm të biznesit në Shqipëri bie në sy një prani më e madhe e bizneseve greke. Ndonëse është krizë në shtetin fqinj, bizneset e këtij vendi po tregohen agresive në tregun shqiptar. Në këtë panair nuk mungojnë pavijone të shteteve të Ballkanit dhe BE-së, përmes të cilave do të vijnë produkte dhe shërbime të firmave të njohura. Panairi ‘Klik Ekspo Group’ do të qëndrojë i hapur nga data 25- 30 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.