E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat e larta të kredive kthehen në rrezik për bankat

SHKRUAN: Blerina Hoxha 27-11-2011 12:12

Banka e Shqipërisë bën të ditur se normat e interesit euribor, libor dhe bono thesari dymbëdhjetë mujore kanë shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë 2011, duke rritur ndikimin mbi aftësinë paguese të bizneseve e të individëve dhe duke rrezikuar moskthimin e kredisë

Interesat e larta që kanë ofruar bankat në Shqipëri për kreditë dhe sidomos për ato ndaj biznesit, kanë ndikuar në moskthimin e tyre në banka. Madje, Banka e Shqipërisë vlerëson në një raport të fundit se interesat e larta janë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kredive të këqija. Rreziku i tërthortë i kredisë për shkak të normës së interesit për bizneset ose individët përcakton ndikimin që ka ndryshimi i normave të interesit në aftësinë paguese të tyre për kthimin e kredisë. Ekspozimi ndaj rrezikut të tërthortë të normave të interesit është rritur edhe për shkak të zhvillimeve në normat kryesore orientuese të interesit për kreditë. Banka e Shqipërisë, sqaron se normat euribor, libor dhe bono thesari dymbëdhjetë mujore kanë shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë 2011, duke rritur ndikimin mbi aftësinë paguese të bizneseve dhe të individëve. “Këto zhvillime janë të pritshme në kushtet kur gjatë krizës financiare normat nominale të interesit për valutën dhe ato të brendshme ranë në nivelet më të ulëta historike”, - sqaron më tej Banka. Ndërkohë që fillimi i vitit 2011 është shoqëruar edhe me rritjen e presioneve inflacioniste, ndaj të cilave bankat qendrore brenda dhe jashtë vendit kanë reaguar duke rritur normën bazë. Nga ana tjetër, edhe zhvillimet e fundit në tregjet financiare sugjerojnë për prirje më të larta në të ardhmen në drejtim të rritjes së normave të interesit, krahasuar me 2011-ën, të cilat kërkojnë një administrim më të kujdesshëm nga ana e individëve dhe bizneseve. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2011, 60.8% e tepricës së kredisë për bizneset është dhënë me normë të ndryshueshme interesi. Ky raport është rritur me 1.6 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë, duke rritur edhe ekspozimin e bizneseve ndaj luhatjeve të normës së interesit. Nga ana tjetër, individët kanë zvogëluar ekspozimin e tyre ndaj luhatjeve të normave të interesit pasi në qershor 2011, rreth 26.5% e tepricës së kredisë është dhënë me normë interesi të ndryshueshme. Ky raport është zvogëluar me 1.4 pikë përqindjeje, krahasuar me një vit më parë, dhe 1.1 pikë përqindjeje, krahasuar me një tremujor më parë. Banka e Shqipërisë pas inspektimit të fundit në bankat e nivelit të dytë vëren se, rreziku i kreditit, përfaqëson burimin kryesor të rrezikut për sektorin bankar. Për këtë çështje, nëpërmjet funksionit të saj mbikëqyrës Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat tregtare që ato të sigurojnë paralelisht identifikimin e saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme dhe krijimin e fondeve përkatëse rezervë, si edhe të realizojnë veprime të vendosura për rikuperimin e vlerave të kredive të humbura nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve. Këto veprime, të kombinuara me masat për uljen e mëtejshme të kostove operative, do të krijonin gradualisht kushtet për gjenerimin e një rezultati financiar të qëndrueshëm dhe pozitiv, i cili do të mbështeste më mirë nevojat afatmesme për kapital të sektorit bankar. Në një afat më të shkurtër, Banka e Shqipërisë vlerëson dhe ka kërkuar që sektori bankar duhet të fuqizojë kapitalizimin e veprimtarisë, nëpërmjet rritjes së kapitalit nga aksionerët. Banka e Shqipërisë e ka orientuar dhe monitoruar nga afër këtë proces, në mënyrë që ai të kryhet në përputhje me strategjitë e zhvillimit të veprimtarisë bankare dhe ecurinë e rreziqeve përkatëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›